Institucione komunale e qendrore, dyqane, kafeteri dhe lokale të ndryshme në Tetovë, vazhdojnë të mos përfillin mbishkrimet në gjuhën shqipe. Tabelat hyrëse dhe treguese të tyre, vazhdojnë të jenë vetëm në gjuhën maqedonase dhe alfabetin cirilik, dhe në raste të ndryshme, përdoret një gjuhë e tretë, ndërsa anashkalohet gjuha shqipe. Komuna e Tetovës është e pafuqishme për të parandaluar këtë dukuri të injorimit të gjuhës shqipe, për shkak të mungesës së sanksioneve ligjore
Të gjitha bizneset private të qytetarëve maqedonas, por edhe institucione arsimore e bankare në komunën e Tetovës, nuk respektojnë gjuhën shqipe. Mbishkrimet e vendosura në ndërmarrjet apo institucionet e tilla, janë të shkruara vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa në disa prej tyre, ka vend për gjuhën angleze dhe jo për gjuhën shqipe, edhe pse popullsia dominuese në këtë komunë është ajo shqiptare.
Në çdo anë ku janë të pranishme dyqanet apo lokalet e ndryshme, me pronarë maqedonas, shihet që nga largësia shkrimi cirilik i reklamave, duke mos përmbajtur asnjë fjalë shqipe.
Për mbishkrimin e firmave dhe institucioneve në nivel të vetëadministrimit lokal në dy gjuhë ekziston ligji, por nuk ekzistojnë sanksionet dhe gjobat, për shkak të mospërdorimit edhe të gjuhës shqipe në vendet ku shumica e popullsisë është shqiptare. Ky ligj është i diskutueshëm dhe dualist, që në një mënyrë e mbron gjuhën maqedonase – thonë eskpertët.
Por, nga ana tjetër, ndërmarrjet shqiptare gati se shumica e respektojnë dygjuhësinë në mbishkrimet e tyre, duke vendosur fillimisht gjuhën maqedonase dhe pastaj gjuhën shqipe, vetëm e vetëm për t`u mos u përballur me ligjin dhe sanksionet.
Në bazë të ligjit për përdorimin e gjuhës që e flasin së paku njëzet për qind e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe në Njësinë e Vetëadministrimit Lokal, duhet që mbishkrimet e firmave dhe institucioneve të shkruhen në dy gjuhë, në atë maqedonase dhe shqipe, dhe firmat me këtë rast janë të obliguara me ligj që t’i bëjnë këto mbishkrime
Për mosrespektimin e dygjuhësisë në rastin e maqedonasve ndaj gjuhës shqipe, sqarime duhet të jap Regjistri qendror, atje ku bëhet regjistrimi i firmave, ku gjithashtu shumë ndërmarrje private të qytetarëve maqedonase tërheqin vendimet vetëm në gjuhën maqedonase.
A ka kerkuar Komuna e Tetovës ndryshime të ligjit, pasi, ligji aktual në këtë sferë, paraqet një hendikep dhe nuk mund të shqiptohen sanksione, kjo eshte e diskutueshme.
Disa pronarë maqedonas të dyqaneve, në shitoret e tyre nuk kanë të shkruar gjuhën shqipe, edhe sepse kanë klientë nga shqiptarët
Nga ana tjetër, bizneset shqiptare, theksojnë se ata janë të detyruar që me ligj të vendosin gjuhën maqedonase në mbishkrime, sepse në të kundërtën do të ballafaqohen me dënime të larta. Ajo që është më skandaloze është edhe mbishkrimi vetëm në maqedonisht nëpër institucione dhe ndërmarrje publike komunale e qeveritare.
















