Nga Bernd Riegert
Rreziqet, që vijnë prej rajoneve të prekura nga ebola, BE-ja duhet t’i ketë pasur të qarta më së voni në mars, kur në Bruksel u planifikuan takimet e para për koordinimin. Masat ndaj epidemisë në Afrikën e largët u vunë në lëvizje.
U premtuan mjetet e para për ndihmat, u organizuan projektet e para në terren. Përgjatë verës përgjegjësit e organizatës së ndihmës së BE-së, ECHO, dhe në drejtorinë e përgjithshme konstatuan që nevojiten më shumë ndihma.
Premtimet financiare u dhanë, por që nga gushti ka vështirësi me tërheqjen e personelit. Ky konstatim i shprehur hapur në Bruksel me sa duket tani ka mbërritur edhe tek ministrat e jashtëm, që tashmë mes krizës së Ukrainës dhe luftës kundër terrorit në Siri gjetën kohë të merren me Afrikën. Me vetëkritikë ministrat e jashtëm pranuan, se e kanë nënvleftësuar krizën në Afrikën Perëndimore. Madje edhe mund të thuash, se kreu politik i BE-së ka fjetur shumë gjatë, sepse faktet i ishin parashtruar nga brenda, pra nga organizata ECHO.
Ministrat po veprojnë pikërisht tani, sepse brenda BE-së janë shfaqur infeksionet e para nga ebola. I njëjti model veprimi vërehet edhe në SHBA. Pra trokitja e rrezikut në shtëpi i vë ata në lëvizje. Deri tani Afrika ishte mjaft larg. Tani duhet të ndihmohet shpejt e me vrull, për t’i bërë ballë epidemisë së ebolës në Liberi, Sierra Leone dhe në Guinea. BE-ja duhet të mbushë shpejt boshllëqet, që nuk mund t’i përballojnë qeveritë dhe sistemet e shëndetësisë së këtyre vendeve. Shumë gjëra janë bërë gabim edhe prej vet qeverive në Afrikën Perëndimore. Por që të qahesh tani për këtë nuk sjell gjë, e rëndësishme është aktualisht që të veprohet bashkarisht.
Mjete financiare ka mjaft, por mungojnë ndihmësit vullnetarë të kualifikuar, të cilët nga Europa të mund të shkojnë në Afrikë. Përpjekjet e mirëfillta për tërheqjen e këtij personeli kanë nisur vetëm tani në front të gjerë. Eshtë shumë vonë, çdo ditë vlen, çdo ditë e më shumë njerëz infektohen me virusin vdekjeprurës. Këto detyra duhet t’i çojnë përpara shtetet e mëdha në BE, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia, Spanja.
Varja e shpresave tek strukturat dhe orgjitë e koordinimit të BE-së dhe organizatave të tjera jo qeveritare, mund të zgjasin shumë. BE-ja fillimisht do të emërojë një “të ngarkuar” dhe të mendojë për një mision të vetin civil të BE-së. Por kohë nuk ka më. Ndërkohë ka një koordinim të angazhuar prej komisares së BE-së Georgieva, e cila qysh në mars tërheq vëmendjen për rreziqet e ebolës. Se përse duhet edhe një nivel tjetër koordinimi në BE, ky mbetet një sekret i ministrave të jashtëm.
Ideja e një “trupe të helmetave të bardha”, pra krijimi i një grupi nga Europa me luftëtarë të epidemisë në gatishmëri, është mirë, por në krizën aktuale ai nuk mund të ndihmojë. Këta “helmet-bardhë” janë menduar për epidemitë e ardhshme. Për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të ebolës së tmerrshme, duhet të krijohen dhe të pajisen sistemet e shëndetësisë në shtetet e prekura.
Veç kësaj duhet intensifikuar puna sqaruese me popullsinë në Afrikën Perëndimore. Kjo do të kërkojë vite dhe duhet të jetë një detyrë e rëndësishme për politikën e zhvillimit të BE-së. Qëndrimi indiferent ndaj epidemisë është i dëmshëm, sepse shumë shpejt ajo mund të prekë këdo.
















