Shkruan: Skënder Minxhozi
Pritej që të ishte e ndyrë, por jo kaq e ndyrë. Pritej të ishte politike, por jo kaq hileqare dhe konjukturale. Pritej të ishte e padrejtë, por jo deri në këtë pikë. Ata që në 14 tetor u rrahën në stadiumin e Beogradit, që u kërcënuan me vdekje nga të gjitha anët, që u fyen, u shanë dhe u përbuzën si askund tjetër, atyre të cilëve ju fishkëllye himni në sytë e arbitrave, komisarëve të fushës, krerëve të shtetit të pritës, miliona të tjerëve që e panë ndeshjen në televizion – ata u dënuan, kurse të tjerët, shkaktarët, fituan 3 me 0 në tavolinë. Rezultati formal 3 me 0, është një banalitet i skajshëm, që nuk kompensohet dot nga heqja e tre pikëve për Serbinë. Fitorja në tavolinë është skandali i vërtetë i vendimit të UEFA-s.
Precedenti i vendimit të UEFA-s, i cili ka bërë tashmë xhiron e botës, hap një spirale tejet të rrezikshme në trajtimin juridik të shkeljeve në futboll. Sipas këtij vendimi, në teori, ne shqiptarët mundemi fare mirë, që të zbresim në fushë në 6 tetorin e vitit të ardhshëm, e t’i marrim përpara me çfarë të na vijë për dore, lojtarët e ekipit kundërshtar. Mund të rrahim madje edhe lojtarin që na duket më antipatik ose më zevzek, mund të zgjedhim llojin e “armës” që do të përdorim (karrige, stol, shkop bejsbolli, grushte, gurë), mund të japim bileta falas për të gjithë të dënuarit e stadiumeve tona, mund të këndojmë kore për vdekjen e serbëve, mund të gjuajmë me çakmakë, monedha dhe shishe me çfarëdo lëngu brenda, mund të sjellim ne stadium edhe fuçi të të gjitha dimensioneve, të mbushura me çfarë të na e dojë zemra, mund të djegim flamujt e cilitdo shteti apo organizate ndërkombëtare, të fishkëllejmë me sa kemi në grykë himnin serb, sepse sërish nuk do të ndodhë gjë.
Në fund fare, kur ndeshja të jetë prishur dhe dosjen e sherrit ta shqyrtojë UEFA, tre pikët në tavolinë nuk na i heq askush! Sepse i meritojmë plotësisht, në bazë të vendimit që u bë publik të premten në Nion të Zvicrës.
A e dëshëron UEFA instalimin e një precedenti të tillë të rrezikshëm në stadiumet e Europës? Apo mos ndoshta duhet të mendojmë atë më të keqen?! Domethënë, që jo për të gjithë gjykimi do të jetë i barabartë. Pra, që nëse bëjmë ne në Elbasan, atë që serbët bënë në Beograd, dënimi do të jetë drastik dhe i pamëshirshëm?! Mos ndoshta Mishel Platini, i cili ka folur shumë këto orë për lënien jashtë të politikës nga fushate blerta (kupto dronin “shqiptar”), është edhe ai vetë një kukull e politizuar, e federatave dhe lobeve të fuqishme financiare që kontrollojnë futbollin e sotëm komercial?
Këto pyetje në fakt nuk kanë vend sot. Ne i dimë përgjigjet, sepse bashkë me ne, i di edhe një pjesë e madhe e opinionit publik ndërkombëtar, që po ngre të njëjtat dyshime e dilema. Dënimi për Shqipërinë është tejet i padrejtë, siç është kryekëput i padrejtë edhe (mos)dënimi i palës tjetër. UEFA e ka dënuar ashpër Serbinë në Xhenova në 2010, duke ja marrë tre pikët në tavolinë, megjithëse asnjë tifoz serb nuk zbriti në fushën e atij stadiumi. Kurse sot, ja ka dhënë tre pikët në tavolinë Ivan Bogdanovit, i cili shëtiti i pashqetësuar në fushën e stadiumit të Partizanit të Beogradit. Kjo është fitorja e Ivanit, jo e drejtësisë dhe futbollit! Më saktë, është fitorja e dyshes Platini-Bogdanov!
Në këtë moment është e vështirë ta quash Mishel Platininë partner apo mik, siç vazhdon të bëjë kreu i federatës tonë të futbollit. Sa më pak deklarata të tilla, aq më pak pështjellim zorrësh, në një moment kur disa qindra mijë njerëz ndjehen të fyer, shumë më tepër sesa për humbjen e një ndeshjeje banale me top.
















