Ngjitja e “të mëdhenjve” të rinj, a do të nënkuptojë rënien e të tjerëve, si në një lojë me shumën zero? Nuk është e sigurt që Perëndimi të joshë aq sa ka mundur ta bëjë gjatë një shekulli apo një shekulli e gjysmë. Ai e ka humbur mbizotërimin e tij. Ai po konkurrohet. Por, a po pëson një rënie?
Ah! Dhe e shikojmë atë duke iu afruar të sëmurit. Dhe duke bërë thirrje me zë të ulët, siç këndonte këngëtari Jacques Brel në tangon e tij funebre me vargjet: “A po vjen vdekja / A po largohet vdekja / A është ende ngrohtë / A është tashmë ftohtë?”.
Në intervale të rregullta Perëndimi pyet: A do të jetë afër fundi? Ai dëgjon veten e tij me një përzierje narcisizmi dhe mazohizmi, Perëndimi parashikon rënien e tij të ardhshme. Por kjo është shumë e ekzagjeruar. Tema e rënies “është po aq amerikane, sa dhe apple pie [torta me mollë]”, thotë eseisti Josef Joffe. Europa nuk mbetet pas, edhe ajo po shkon drejt “rënies”.
Dalja e fuqive të reja e ka ringjallur debatin. Ngjitja e Kinës, e Indisë, e Brazilit dhe disa të tjerëve i dha fund mbizotërimit absolut të Perëndimit – ushtarak, ekonomik, kulturor. Por emergjenca e të mëdhenjve të rinj, a do të nënkuptojë rënien e të tjerëve, si në një lojë me shumën zero?
Merita e madhe e historianit britanik Niall Ferguson është se ai e shikon çështjen në një kënd tjetër. Në librin e tij të fundit, “Qytetërimet: Perëndimi dhe pjesa tjetër e botës”, Ferguson pyet mbi sekretet e suksesit perëndimor. Pse ka ndodhur që kjo copë e vogël e Europës, e banuar nga popuj grindavecë dhe shpartalluar nga luftërat, përfundoi duke lindur entitetin “Perëndim”, i cili për një kohë do të mbizotëronte “pjesën tjetër”.
Ferguson është një tregimtar i mrekullueshëm. Ai ka sensin e afreskeve historikë. Ai trazon faktet dhe angazhohet në polemikat. Ai nuk injoron asgjë nga e kaluara skllavëruese, kolonialiste dhe imperialiste e Perëndimit, por as edhe atë çka është ndërtuar dhe të cilin e përcakton atë gjithashtu – revolucion shkencor në Shtetin e së drejtës, e duke kaluar në demokracinë përfaqësuese.
Pendesa nuk duhet të pengojë mirënjohjen. Ferguson cedon në demagogjinë e kohës dhe flet për “gjashtë aplikimet” për të caktuar gjashtë motorët kryesorë të suksesit perëndimor: konkurrenca që ushqenin ovacionin; shkenca e lidhur me fuqinë ushtarake; e drejta e pronës private; mjekësia; shoqëria e konsumit, karburant i industrializimit; etika e punës.
Disa nga këto “aplikime” sigurojnë sot suksesin e disa anëtarëve të pjesës tjetër (të botës).Më mirë për ta, thotë Ferguson. Perëndimi sot, sipas tij, është viktimë e një krize besimi që e minon atë nga brenda. A është ky një depresion i shkurtër, apo patologji më e rëndë? Autori skocez pyet mbi kapacitetin e Perëndimit për të mbajtur performancat e tij. Ai është shumë pesimist. Mbi këtë temë, një nga esetë më të rëndësishme u botua nga Régis Debray në revistën “Medium” (n° 34, janar-mars 2013, si dhe në gazetën “Le Monde” të datës 18 korrik). Ai në një libër bashkëbisedimi me Renaud Girard, gazetar i gazetës “Figaro”, i titulluar “Çfarë ka mbetur nga Perëndimi?” jep një gjeografi konkrete për këtë koncept gjeopolitik, i quajtur “Perëndimi”.
Ajo fillon sigurisht me grupin euroatlantik (Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe Europën) dhe duke vazhduar në zonën e Paqësorit, me Japoninë, Tajvanin, Korenë e Jugut, Australinë dhe Zelandën e Re. Ky është ansambël ushtarak në shtrirje, jo në rënie. Madje ky është “i vetmi bllok politiko-ushtarak ekzistues”, shkruan Debray: as Kina, as Rusia, buxhetet e mbrojtjes të të cilave janë në rritje, nuk kanë ekuivalentin e sistemit të aleancave perëndimore – një makineri “e aftë për aksione force të shpejta dhe të koordinuara nga një pikë në tjetrën të globit”.
Ajo ndan të njëjtin trup të doktrinës politike – demokracinë dhe ekonominë e tregut dhe asnjë nga anëtarët e saj nuk kundërshton lidershipin e Shteteve të Bashkuara. Vendet e BRICS-it (Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut) avancojnë të shpërndarë: ata formojnë një bllok multipolar, pa koherencë strategjike as dhe ideologjike.
Politologu amerikan, Robert Dujarric bën të njëjtin konstatim në revistën “The Diplomat” (qershor 2014). Me zgjerimin e NATO-s me vendet e ish-paktit të Varshavës, me afrimin ushtarak midis Indisë dhe Shteteve të Bashkuara për shembull, Perëndimi në këtë plan është më muskuloz dhe nuk ka rënë këto njëzet vitet e fundit.
-Nga e gjithë literatura ekonomike kushtuar krahasimit midis Perëndimit dhe pjesës së mbetur të botës, të konsiderojmë disa shifra nga Dujarric: në vitin 1988, Perëndimi përfaqësonte 80 % të produktit botëror bruto, ndërsa sot 61 %. Pjesa e Shteteve të Bashkuara (18%) është ulur, ajo e Europës akoma më shumë, kryesisht nga fakti i shpërthimit të rritjes ekonomike kineze.
Por çështja nuk është një lojë me shumën zero. GDP për banorët e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve europiane nuk ka pushuar së rrituri gjatë rritjes së pasurisë botërore. Debray dhe Dujarric janë të të njëjtit mendim për forcën e përtërirë të fuqisë së butë të Perëndimit – të mbizotërimit të universiteteve të tij për një aftësi të pabarabartë inovacioni.
Por Debray gjithashtu me arsye citon dobësitë e modelit: tendencë për arrogancë, sidomos qysh me rënien e BRSS, mosmirënjohje ndaj Tjetrit, kompleks superioriteti, paqëndrueshmëria e kapitalizmit financiar të pakontrolluar, dhe së fundi jobesnikëri në principet e tij demokratike.
Nuk është e sigurt që Perëndimi të joshë aq sa ka mundur ta bëjë gjatë një shekulli apo një shekulli e gjysmë. Ai e ka humbur mbizotërimin e tij. Ai po konkurrohet. Por a po pëson një rënie?
*Nga Le Monde.
















