Nazim RASHIDI
Chris Murphy, është Senator amerikan i cili për një javë qëndroi për vizitë në vendet e rajonit, duke përfshirë edhe Beogradin, Prishtinën dhe Tiranën por jo edhe Shkupin. Senatori Murphy është anëtar i Komitetit të Senatit amerikan për politikë të jashtme dhe kryesues i nën komitetit për Evropën. Një organ i rëndësishëm ky nga ku ndikohen apo edhe përpilohen politikat e jashtme të administratës amerikane. Por senatori Murphy nuk u largua për në SHBA pa mesazhe edhe për Maqedoninë. Dy do të veçoja si më të rëndësishme:
1. Në një sens më të gjerë të politikës globale, Maqedonia do të duhet të kujdeset për aleatët e saj. Vizita e senatorit erdhi menjëherë pas vizitës së Presidentin rus Vladimir Putin në Beograd, për çka ai deklaroi se “Presidenti Putin nuk mori atë që dëshironte veç disa fotove” nga vizita në Beograd. Sidomos theksoi faktin që Serbia nuk nënshkroi marrëveshje për gazsjellësin juglindor, që sipas Senatorit ishte në qendër të vizitës të presidentit rus. Senatori Murphy nga ana tjetër theksoi se “SHBA nuk është së si Rusia” dhe nuk do të kërkojë nga vendet ose të “jenë me ne ose me ata”, por për çështje të caktuara megjithatë duhet bërë zgjedhje. “Ne nuk ju detyrojmë të zgjidhni…veç rasteve specifike dhe ky nuk është rregull por përjashtim” tha Murphy dhe ky mesazh u dha specifikisht edhe për Maqedoninë:
“Çdo vend duhet vetë të zgjedhë se kë ka mik dhe ka momente kur duhet të vendoset me kë do qëndrohet pranë. Një shembull është gazsjellësi juglindor. Është politikë evropiane që gazsjellësi juglindor mos të avancojë. Nëse vendet duan të jenë pjesë e BE atëherë duhet të jenë pjesë e politikës së përbashkët të sigurisë. Do të ketë shumë konflikte mes dëshirave ekspansioniste ekonomike ruse dhe normave dhe standardeve të BE-se dhe organizatave transatlantike. Mendoj se Rusia bën një punë të mirë për të reklamuar se ku duhet të përkasin vendet në të ardhmen. Ekonomia ruse është në rënie. Evropa dhe SHBA ka tregun më të madh botëror. Vendet do të duhet të mund të sheshin gjithandej dhe SHBA asnjëherë nuk do të detyrojnë vendet që të bëjnë një zgjedhje të përgjithshme”, tha Senatori Murphy.
2. Sa i përket rajonit dhe marrëdhënieve delikate të tij, të ndezura edhe nga ndeshja e futbollit Serbi – Shqipëri, Senatori Murphy i cili në mbrëmjen e ndeshjes ishte në Beograd dhe mëngjesin tjetër takoi edhe Kryeministrin Vuçiç. Qëndrim i tij ishte se “një akti i huliganizmit nuk do duhet të ndërhyjë në një proces të pajtimit politik”, edhe pse pranon se rasti tregoi se sa të ndjeshme janë raportet ende. Në këtë kontekst për Maqedoninë ai tha se “ajo çka incidenti në Beograd na rikujton është se edhe pse gjatë viteve të fundit në rajon kemi parë një stabilitet të konsiderueshëm politik, procesi i pajtimit është ende delikat. Ky ishte një incident relativisht i vogël parë nga një perspektivë më e gjerë por goditi të gjithë dhe diskutohet në çdo lokal dhe kafene në rajon. Ne e dimë që ka ende për tu bërë sa i përket trajtimit të shqiptarëve etnik në Maqedoni. Për këtë jam gati të bisedoj më vënë”, tha Senatori Murphy duke lënë të hapur mundësinë për një vizitë në Shkup. Shumë vetë këto mesazhe do ti lexojnë ndryshe dhe me prirjen që dëshirojnë ti shohin, sidomos do të marrin komentet e ndryshme nuanca etnike. Por ndonëse Senatori Murphy nuk erdhi në Shkup, ajo që është e qartë dhe që ai e deklaroi edhe vetë, është se politika amerikane, në një kohë kur vëmendja globale është krejt diku tjetër, megjithatë nuk lë anash Ballkanin që di të trazohet aq lehtësisht. Vendimet e hapave të mëtejmë rreth politikës së jashtme të Maqedonisë ashtu siç thotë Senatori varet nga vendimet e vendeve “se me kë do të jenë mik”. Në kohën kur po dalin në sipërfaqe ide të tipit “nëse nuk na doni ne shkojmë me Rusinë”, vizita dhe mesazhet e Senatorit janë të qarta. Sipas tij as Serbia, aleati tradicional rus, nuk i dha Rusisë atë që donte Presidenti Putin. Por për tej kësaj çështje mbetet qëndrimi dhe më shumë ende influencimi i politikës të jashtme parë nga perspektiva shqiptare. Të qenit në institucione ashtu si në shumë fusha të tjera edhe në këtë që është tejet e rëndësishme, nuk mjafton më thjeshtë përfaqësimi me numra, por edhe me influencë.Shashkat e hedhura në opinion se mund të anohet nga Rusia, sa për të zgjuar debat publik, duhet të shuhen shpejtë, për mos të krijuar iluzione për prirjen e Maqedonisë. Shqiptarët e dinë dhe e pranojnë se vendi në të cilën jetojnë, është viktimë e integrimeve e një çështjeje delikate, por s’ka kuptim të lejohet që Maqedonia të bëhet viktimë e qëndrimeve apo edhe lëvizjeve që mund të ndryshojnë shinat e orientimit të saj gjeopolitik.
















