Ndërsa sot gjithë opinioni publik në Shqipëri e Serbi priste me padurimi vendimin e UEFA-s për incidentet e ndeshjes Serbi-Shqipëri, qeveria europiane e futbollit e shtoi edhe me një ditë tjetër ankthin e dy popujve.
Vendimi pritet të jepet nesër në orët e paradites. Edhe pse prej përfaqësuesve të FSHF-së, u tha se shtyrja e vendimit erdhi për shkak të shqyrtimit të dosjeve voluminoze që kanë paraqitur dy vendet, duket se “lepuri” fle diku tjetër. Sonte në mbrëmje në Beograd, në të njëjtin stadium ku luajti Shqipëria më 14 tetor, do të luhet një ndeshje tjetër mes Partizanit të Beogradit dhe ekipit turk të Beshiktashit. Ndeshja është e vlefshme për Europa League.
Tensionet mes serbëve dhe turqve duket se nisën që mbrëmë, ku me të njëjtën mënyrë siç bllokuan shqiptarët në aroportin e Beogradit, autoritetet shtetërore serbe bllokuan edhe tifozët turq dhe përfaqësues të ekipit të tyre. Pati kontrolle të imtësishta dhe sjellje penguese që indinjuan turqit. Kështu, për të evituar ndonjë ngjarje tjetër në stadiumin Partizanit, gjatë mbrëmjes së sotme, UEFA e shtyu vendimin e saj për nesër, me argumentin se kërkon më shumë kohë. Një vendim jo në favor të serbëve, do t’i nxehte gjakrat dhe incidente e akte dhune do të regjistroheshin sërish mbrëmjen e sotme në Beograd.
Kjo shtyrje lë të kuptohet se Komisioni i Disiplinës në UEFA, do të japë një vendim në favor të Shqipërisë. Megjithatë, asgjë nuk përjashtohet deri në minutën e fundit. Serbët janë angazhuar totalisht me gjithë “makinerinë” lobuese për të rrokur një vendim pro tyre . FSHF-ja nga ana tjetër ka pajtuar dy studio ligjore nga Britania dhe Zvicra që do të bëjnë mbrojtjen e Shqipërisë në UEFA.















