Lavdrim LITA
Serbët që pamë në stadiumin e Partizanit të Beogradit në ndeshjen Serbi-Shqipëri janë pjesë të një gjenerate të lindur dhe të rritur në luftë, dhunë dhe të indoktrinuar deri në qelizë. Thirrjet e vjetra “vrite shqiptarin” që dëgjohen herë pas here në stadiumet apo sallat e sporteve të Serbisë dhe Maqedonisë nuk janë të ndryshme nga këngët që janë dëgjuar për vrasjen e boshnjakëve apo kroatëve. Ne nuk duhet të harrojmë se të rinjtë e Beogradit dhe qyteteve tjera serbe janë rritur në djep me ninulla vrasëse, manipulative; ndërsa shfaqet e dhunshme nëpër stadiume (kur s’ka luftë!), janë veçse valvula shfryrëse. Të rinjtë e stadiumeve janë aq të traumatizuar saqë ndizen për një flamur të valëvitur nga një fluturak. Ndezja e pakufishme për një flamur të kuq iu ndodh veç demave në korridat spanjolle.
Ndërkohë reagimet e krerëve të politikës dhe medias serbe një ditë pas ndeshjes së ndërprerë Serbi-Shqipëri ishin letra e lakmuesit sesi kanë vepruar zyrat e lartë të shtetit serbe apo mediat e tyre pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Infrastruktura serbe për t’u paraqitur viktimë ka më shumë se një shekull që përpunohet në kanale diplomatike. Propaganda e shfrenuar për të orientuar fajin, gjetur alibi dhe ngritur një retorikë manipulative janë modele të vjetra që kanë bërë aq shumë viktima në Ballkan. Mos dënimi i dhunës, mos distancimi nga aktet e dhunshme në fushë dhe jashtë saj nga ana e kryeministri serb Vuçiç dhe ministrit të Jashtëm, Daçiç janë shprehje kuptimplota të mungesës së ndjesive dhe skrupujve.
Mund të thuhet pa frikë që huliganët e vërtetë në Serbi gjenden nëpër zyrat e larta të shtetit dhe redaksitë e gazetave dhe televizioneve. Gënjeshtra, manipulimi dhe hedhja e fajit të orkestruar në kor pas një vërtetë të madhe të parë në gjithë botën përmes mediave janë në kontrast me realitetin faktik. Në gjithë këtë gjullurdi manipulative nuk doli as edhe një gazetar serb apo/dhe një intelektual i pavarur të shprehej se po thuhen gënjeshtra për motive të dobëta politike. Shoqëria civile serbe është nën presionin e radikalizmit shovinist që polarizon atmosferën publike aq shumë saqë një opinionin i kundërt është baraz me një tradhti kombëtare.
Departamenti i shtetit amerikan në një reagim të saj e tha shkoqur se, “ndeshja u ndërpre nga dhuna”. Në stadiumin e Partizanit të Beogradit u ushtrua dhunë sepse organizatorët e federatës serbe të futbollit dhe autoritetet e sigurisë nuk ishin të afta të siguronin një ndeshje të qetë, të mos lejonin futjen sendeve dhe tifozëve në fushë me karrige e gjithfarësoj mjetesh të ftohta. Padyshim dhuna psikologjike ka filluar përpara ndeshjes, gjatë ndeshjes dhe pas ndeshjes. Dhuna fizike dhe urrejtja verbale në stadium ishte aspekti kulmor i shpërthimi nervash të dobëta. Valëvitja e një flamuri të stilizuar shqiptar përkundër mijërave serbë nuk ushtroi kurrfarë dhune dhe nuk mund të jetë shkak e ndërprerjes së një ndeshje futbolli. Gjetja e alibive për të shmangur vëmendjen nga ajo sa ndodhi është një teknologji e vjetër e zyrtarëve serb. Kanalet serbe të diplomacisë punojnë për të dalë viktimë të provokimeve, por as edhe një zyrtar shqiptar dhe asnjë futbollist i kombëtares shqiptare nuk ka qenë i përfshirë në provokime apo stimulime të urrejtjes. Urrejtja ndaj shqiptarëve në Serbi është një projekt i vjetër kulturor që qytetarëve serbe iu mësohet përditë.















