Hyrja më e madhe në borxh e qytetarëve me të ardhura deri në 500 euro tregon hendekun ndërmjet të pasurve dhe të varfërve në Maqedoni, që sa vjen e më shumë thellohet, pasi qytetarët me të ardhura më të vogla hyjnë në borxh të ri për të larë borxhin e vjetër, theksojnë ekspertët ekonomik
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 12 tetor – Në borxhin e përgjithshëm të qytetarëve ndaj bankave, të vlefshëm më shumë se 1.6 miliardë euro, dominon borxhi i qytetarëve me rroga deri në 30.000 denarë. Ato kanë pjesëmarrjen më të madhe në totalin e kredive konsumatore, kartelave kreditore dhe saldove negative në llogaritë rrjedhëse. Personat fizik apo qytetarët kanë borxh ndaj bankave 711 milionë euro deri në fund të muajit qershor, që paraqet rritje prej muajit janar të këtij viti, kur në emër të kredive konsumatore qytetarët kishin borxh prej 660 milionë euro. Për kartela kreditore borxhi është 194 milionë euro, kurse për banesa vlera e borxhit është 377 milionë euro. Raporti i fundit i Bankës Popullore të Maqedonisë tregon se qytetarët me të ardhura nën 30.000 denarë kanë pjesëmarrjen më të madhe në bazë të kredive konsumatore, kartelave kreditore dhe saldove negative në llogaritë rrjedhëse me mbi 75 për qind. “Obligimi mujor mesatar i qytetarëve në varësi prej llojit të kredisë lëviz prej 3.500 denarë te kartelat kreditore dhe saldot negative në llogaritë rrjedhëse dhe 11.300 denarë për kreditë banesore dhe ato për renovim e konsum. Nga ana tjetër, qytetarët me të ardhura mbi 30.000 denarë marrin pjesë me 75.7 për qind në shumën e përgjithshme të kredive banesore”, thuhet në analizën e Bankës Popullore të Maqedonisë. Sipas ekspertëve ekonomik, trendet e rritjes së borxhit të qytetarëve ndaj bankave tregojnë edhe raportin e zhdrejtë mes të ardhurave dhe shpenzimeve jetësore. “Hyrja më e madhe në borxh e qytetarëve me të ardhura deri në 500 euro tregon hendekun të ndërmjet të pasurve dhe të varfërve në Maqedoni që sa vjen e më shumë thellohet, pasi qytetarët me të ardhura më të vogla hyjnë në borxh të ri për të larë borxhin e vjetër. Kjo ndodh në kushte kur nuk mund të mbulohen shpenzimet mujore pasi kemi rritjen e harxhimeve jetësore, që është në disproporcion me rritjen e pagesës”, thotë eksperti ekonomik Visar Ademi. Krahas rritjes së borxheve në kartela kreditore, të kredive konsumatore dhe saldove negative në llogaritë rrjedhëse, analiza tregon edhe rritje të bllokimit të llogarive rrjedhëse të amvisërive.
Për një vit është rritur për 28.000 numri i xhirollogarive të bllokuara të qytetarëve. Në fund të muajit gusht të këtij viti janë regjistruar 127.718 xhirollogari llogari të bllokuara të personave fizik, që paraqet rritje për 20 për qind të tyre në raport me 99.516 xhirollogari të bllokuara në gusht të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë. Ekonomistët vlerësojnë se ulja e aftësisë pagesore dhe mungesa e të hollave, si rrjedhojë e krizës ekonomike i pamundëson qytetarët të shlyejnë me kohë borxhet e ndryshme. “Rritja e numri të xhirollogarive të bllokuara dhe e hyrjes më të madhe të qytetarëve në borxh përmes formave të ndryshme të kreditimit në banka, tregon se të ardhurat neto mujore të qytetarëve gjithnjë e më shumë janë problematike për të mbuluar nevojat elementare të një familje. Kjo reflektohet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në cilësinë e jetës së qytetarëve në Maqedoni, ku si rezultat i mospërmbushjes së nevojave të tyre, qoftë për konsum ose borxheve të rrymës, telefonit dhe të ngjashme, ndodh që nga institucionet përkatëse të bllokohen llogaritë për shlyerjen e borxheve, andaj në këtë situatë qytetarët u drejtohen bankave me qëllim që të sigurojnë mjete financiare shtesë që të mund të shlyejnë detyrimet afatshkurtra për shërbimet elementare jetësore”, thotë drejtori i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore Arben Halili. Pjesë më e madhe e llogarive të bllokuara u takojnë qytetarëve të cilët për momentin nuk mund t’i paguajnë borxhet për shkak të mungesës së parave. Energjia e shtrenjtë elektrike, shtrenjtimet e njëpasnjëshme të kostos së jetesës dhe shërbimeve të ndryshme, e kanë ngarkuar buxhetin familjar të qytetarëve që e kanë të vështirë të shlyejnë muaj pas muaji detyrimet e ndryshme financiare.
Në emër të llogarive të pashlyera qytetarët ballafaqohen edhe me llogaritë marramendëse, ku ndodh që për një obligim prej 2000 denarëve, pas llogaritjes së harxhimeve të përmbaruesit prej 2500 denarë, obligimeve gjyqësore, kamatave të rregullta dhe ndëshkuese, del se në fund duhet të paguhet 7000-8000 denarë. Ndryshe, në rritjen e numrit të llogarive të bllokuara dukshëm kanë ndikuar edhe të dhënat statistikore për rrogën mesatare në Maqedoni, të cilat nuk reflektojnë situatën reale të gjendjes sociale në Maqedoni. Dallimet e mëdha në pagat vendore shkojnë prej 200 deri në 700 euro. Ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se të dhënat statistikore, sipas të cilëve, rroga mesatare në Maqedoni është rreth 350 euro, nuk e reflekton rrogën reale, për shkak se në Maqedoni, një numër i madh i punëtorëve marrin rroga në vlerë prej 12 -15 mijë denarë.















