Shkruan: Kushtrim Krasniqi
Më në fund erdhi. Erdhi dita e përballjes. Dita, kur dy popujt e urryer ndërmjet vete matin forcat e tyre. Këtë herë jo me armë. Jo me tanke, e as me artilerinë që më shumë se 15 vjet më parë, serbët përdorën ndaj familjeve shqiptare të Kosovës. Ata u munduan të na shuajnë edhe si popull. Tentuan të na spastrojnë dhe të na mohojnë edhe futbollin. Të na zhdukin talentët. Por, falë Zvicrës, Gjermanisë e Skandinavisë, ata u rritën e falë Kombëtares shqiptare u ngritën.
Erdhi dita kur me ta sërish do të takohemi. Do të përballemi në fushën e blertë. Serbia në njërën anë e shqiptaria në tjetrën. Ne shqiptarët e Kosovës, mundësinë e vetme momentale për të sfiduar armiqtë tanë të përbetuar e kishim dhe e kemi përmes Shqipërisë…, sepse sporti ynë, vazhdon të mos shoh dritë. Fajtori = Serbia.
Sonte, miliona shqiptarë, gra e fëmijë, e madje edhe gjyshet, gjyshërit e stërgjyshërit do të jenë tifozë të futbollit. Do t’i kalojnë 90 minuta nën ethe, duke brohoritur për JU. Ata do të mundohen të hyjnë në televizor për të dhënë përkrahjen për JU. Për t’u munduar t’u ndihmojnë edhe nga kolltuqet.
Sonte, është nata juaj. Nata kur mund të hakmerreni për dhjetëra mijëra dëshmorë të Kosovës. Për qindra mijëra njerëz të zhdukur. Qindra gra të dhunuara. Për ata bashkëvendës që krijuan mundësinë që ju sot të luani për atë fanellë. Të kontribuoni për vendin tuaj. Nëse dikush kontribuoi në fund të 90-tave me armë, ju e keni mundësinë ta bëni këtë me top.
Sonte, shumë tifozë do t’u shajnë në stadium. Do t’ua kallin flamurin kuqezi e atë me yje, për t’u treguar të ligë siç bënë në Gjenovë. Sharjet në gjuhën serbe do t’i kuptoni. Të paktën ju që vini nga vendi i përjetimit, vendi i urryer nga ata… do të shihni parulla të ëndrrave si ajo “Kosova është Serbi”. Me gjasë edhe thirrje të tilla. Por, mos u tutni. Përkundrazi, bëhuni të fortë, motivojuni dhe tregohuni. Ata do të na fishkëllejnë himnin…, por ne nuk do të kemi nevojë t’ia ngremë ‘volumin’ televizorit, pasi kënga juaj nuk do të mposhtet.
Sot, tifozët shqiptarë, veçanërisht ata nga Kosova, Presheva, Bujanoci e Medvegja, do të rrezikojnë jetën. Me gjasë do të arrestohen, siç bëri babai i Lorik Canës (Agimi) me shokë në vitet 80-ta kur me Prishtinën “dhunoi” (3:1) Crvena Zvezdën midis Beogradit. Sonte ata (tifozët) duan t’u tregojnë se në kryeqytetin serb, JU nuk jeni vetëm. Shqiptarë nga e mbarë bota ia kanë mësyrë Beogradit, e patjetër se të tillë do të ketë në stadium, pavarësisht vendimit të ligë të Federatës serbe.
Sonte, s’na interesojnë statistikat, as kornerët e posedimi i topit. Asgjë mos bëfshi, me humb mos humbni. Të paktën na bëni të mburremi me JU. Bëjeni si Kroacia, që doli kokëlartë. Kopjojeni të madhin Sokol Kushta. “Gani” (Gianni de Biasi), Lorik, Etrit, Mërgim, Ermir, Taulant, Burim, Bekim… na bëni KRENARË.
















