Shkruan: Xhavit Haliti
Komisioni Trepalësh (BE, SHBA, Japoni) ftoi Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në një forum që do të mbahet në Beograd nga data 31 tetor deri më 2 nëntor. Janë bërë publike dhe besoj se tashmë njihen nga opinioni publik tema e takimit (integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE), si dhe nënshkruesit e ftesës për Presidenten (Jean Clod Tricet, Kryetar i Komisionit Trilateral evropian dhe Jovan Kovaçeviç, Kryetar i Komisionit serb nga kjo organizatë).
Ajo që më tërhoqi vemendjen ishte publikimi i kësaj ftese normale zyrtare për pjesëmarjen e Republikës së Kosovës në forumin e organizuar nga Komisioni Trepalësh në Beograd, vetëm një ditë pas përqasjes më të fundit që Moska zyrtare i bëri Krimesë dhe Kosovës.
‘Vëllai i madh’, për të mos thënë ‘tutori historik’ i Serbisë, Rusia, aktori dhe faktori vendimtar shtetëror–politik e diplomatik që përcaktoi aneksimin e Kosovës nga Serbia në Konferencën e Londrës (1913), po deklarohet për të disatën herë për “ngjashmërinë“ e shkëputjes së Krimesë nga Ukraina me pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Por përqasja e përdorur nga Rusia, që zyrtarizoi bashkimin e Krimesë me Rusinë menjëherë pas shpalljes së rezultateve të referendumit në Krime, mori në deklarimin më të fundit një argument të ri.
Moska, për përqasjen Krime–Kosovë përdori (duke anashkaluar të vërtetën historike) referendumin dhe zgjedhjet në Krime që i dhanë të drejtën e aneksimit ligjor të Gadishullit nga Rusia, duke mohuar zhvillimin e këtyre proceseve në Kosovë.
Historia thuhet se shkruhet objektivisht duke u bazuar mbi fakte e dokumente. Për shumë arsye historike, etnike e politike, politika zyrtare ruse spekulon në vlerësimin e gjykimin e të tri elementeve në barazimin e madje edhe në nënvlerësimin e Kosovës shtet në raport me Krimenë.
U deklarua, se Krimeja u bashkua me Rusinë pas një referendumi dhe zgjedhjeve. Ky përfundim u proklamua asgjësues ndaj Kosovës, që e fitoi statusin që ka jashtë këtij rendi dhe, për më tepër, me mbështetjen e SHBA-ve. Pa dashur të përsëris të thëna, që dihen nga të gjithë, duhet ripërsëritur faktin se gati 25 vjet para Krimesë, Kosova bëri një referendum dhe u shpall Republikë. Bëri edhe zgjedhje parlamentare, zgjodhi parlament dhe qeveri, por Moska politike e injoroi dhe nuk e njohu.
Mendoj se Kosova dhe Krimeja nuk duhen krahasuar për arsye të ecurive të ndryshme historike. Kosova iu fal Serbisë nga Rusia, Krimeja iu fal Ukrainës nga ukrainasi Hrushovi, rreth gjysëm shekulli më vonë. Rusia e aneksoi Krimenë duke përdorur si argument edhe pavarësinë e Kosovës, ndëra Kosova vazhdon ta vuajë veton e Rusisë në OKB dhe mosnjohjen si shtet prej saj që, natyrshëm, përcakton edhe sjelljen e Beogradit zyrtar ndaj Prishtinës.
Që nga latinët vjen shprehja: “Pas saj, nuk do të thotë për shkak të kësaj”. Megjithatë, nga vazhda e zhvillimeve historike, posaçërisht në Evropë, mund të thuhet se Rusia, me qëndrimet dhe veprimet e veta ndaj Ukrainës, përpiqet të gjejë dhe gjen “argumente” vetëm në Evropë. Por “precedenti” më i fundit i politikës dhe drejtësisë ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe frenimit të gjenocidit ka qenë popullsia shqiptare e Kosovës. Më 1998-1999 populli i Kosovës nuk bëri as referendum dhe as zgjedhje parlamentare. E bëmë UÇK-në. U angazhuam për lirinë tonë, jo me vote, por me jetë. Bota nuk na ndihmoi as për etninë, as për aspiratat tona nacionale, por nuk mund t’i shmangej ndalimit të gjenocidit biblik të një milion shqiptarëve.
Komisioni Trepalësh e fton Republikën e Kosovës në forumin e Beogradit jo për inat të Rusisë dhe aspak për karshillëk të Krimesë. Prandaj konsideroj se Presidentja Jahjaga duhet të jetë pjesëmarrëse, sepse na takon të jemi dinjitozë dhe pretendues për statusin tonë në Ballkan, në Evropë dhe, më tej, në botë.















