Nga Besnik Terziu
Edi Rama u investua shume mediatikisht në Elbasan me inspektimet e ndërtimit të stadiumit të ri duke dashur që të manipulojë me tifozët e për t’i paraqitur ata si mbështetës potencialë të Partisë Socialiste. Madje sajoi edhe një penallti të dobët dhe shënoi kundrejt portierit kombëtar Berisha, i cili duke qenë se mban një mbiemër ngacmues për Ramën, u desh që të hapë portën vetë e që më pas Kryeministri të thoshte dokrrat e zakonshme me përrallat e fitores. Mirëpo ndeshja e vërtetë mes Shqipërisë dhe Danimarkës u zhvillua dhe çifti kryeministror nuk ishte këmbëmbarë. Jo vetëm që nuk arritëm rezultat fitues, por në fund rrezikuam të humbnim dhe u desh Berisha që të shpëtonte Ramën dhe gjithë Kombëtaren tonë nga makthi i minutës së fundit shtesë. Kështu që Rama u tregua i mirë për seancë stërvitore dhe për trukime banale të realitetit, por nuk është i tillë në situate reale kur fillon apo zhvillohet loja e vërtetë.
Shtrohet pyetja se çfarë e ka gjithë këtë ters që mbart me vete Rama? Me sa duket energjia e tij negative e rrethon kudo dhe nuk ikën as në një ndeshje futbolli kaq paqësore e të dëshiruar. Por nuk është ndonjë përjashtim Kombëtarja jonë nga shumë ngjarje që e kanë shoqëruar Ramën përgjatë më shumë se një viti në krye të qeverisë. Kujtoni armët kimike dhe çfarë turpi e në çfarë pozicioni u vendos SHBA-ja që i besoi Ramës. Kujtojmë se ish-Kryeministri Italian Enrico Letta është dorëhequr vetëm pak kohë pas takimit të tij me Kryeministrin Rama në Itali. Ajo vizitë e Ramës u shoqërua me një propagandë të fortë pro-qeveritare nga mediat e majta në Shqipëri. Po ashtu edhe televizioni Italian i dha hapësirë Ramës në takimin e tij me Enrico Lettën. Normale dhe krejt e shpjegueshme kur të dy Kryeministrat i përkasin familjes socialiste, të majtës europiane.Mirëpo ai që nuk zgjati shumë ishte pikërisht mandati i ish-Kryeministrit Italian.
Mbarimi i mandatit të tij, përvecse lidhet me mosmarrëveshjet që Letta kishte me kreun e partisë që e zgjodhi për Kryeministër, me paaftësinë e të majtës për të prodhuar stabilitet qeverisjeje, vetë ambienti politik italian etj, kishte si shkak edhe energjinë negative të Ramës. Ky i fundit duke qenë se është vazhdimisht i zhytur në një botë nihiliste, kudo që shkon përçon edhe negativitet. Edhe pas takimeve që Rama pati me ish- Kryeministrin turk Erdogan në Kosovë, filluan trazirat sociale në shtetin mik dhe Erdogani u përball me momentet më të vështira ndoshta të karrierës së tij si Kryeministër. Ai u detyrua të riformatojë të gjithë kabinetin qeveritar. Po kështu Hashim Thaci që është takuar disa herë me Ramën gjendet i rrëzuar në Kosovë dhe në pamundësi të formimit të qeverisë edhe pse partia e tij doli parti e parë nga zgjedhjet. Nuk është e qartë dhe as mund të provohet se deri në çfarë shkalle mund të ketë ndikuar energjia negative e Ramës që reflektohet në të gjitha takimet dhe veprimet që ndërmerr Kryeministri shqiptar. Por nga ana tjetër nuk mund të hidhet poshtë renditja kronologjike e shumë gjërave të këqija që u ndodhin njerëzve që takohen me Ramën. Mund të marrim përshembull takimet e Ramës me biznesin. Vetëm pak kohë pas tryezave të tij me të ftuar të zgjedhur në Kryeministri u eliminua me tritol një biznesmen ndërtimi në Durrës.
Gjithashtu një tjetër biznesmen do të ishte i vdekur nëse rastësia nuk do kishte zbuluar planin e vrasjes kundër tij. Një tjetër “çun tirone”, mik i mirë me Ramën u ekzekutua në mes të ish-Bllokut në kryeqytet dhe sot e kësaj dite nuk dihet se kush e vrau. Nuk mund të injorohen të gjitha këto dhe as të hidhet poshtë hipoteza e përçimit të një të keqeje natyrale që buron nga Kryeministri socialist. Po të shtojmë këtu se komisioneri për zhvillim i BE-së, Stefan Fyle, mik i deklaruar i Ramës humbi vendin e tij si komisioner zgjerimi dhe nuk u zgjodh në asnjë prej komisioneve të tjera të BE-së ashtu si shumë kolegë të tij, atëherë me siguri që këtu ka diçka. Askush nuk dëshiron që renditja e fakteve të ditës të ndikojë keq ke miqtë tanë dhe aq më pak të ndikojë keq për vendin tonë. Mirëpo Rama është sërish në prag të një vizite tjetër me Kryeministrin serb dhe shpresojmë se këtij të fundit nuk do i ndodhin gjëra si atyre që ka takuar Rama.
Mirëpo situata me rendin dhe sigurinë, me stanjacionin ekonomik, me moslikujdimin e detyrimeve ndaj firmave ndërtuese, me hapat mbrapa me faturat aforfe të energjisë elektrike, me rritjen e cmimit të energjisë për më tepër, me ato që i ndodhën Arvizusë me armët kimike e plot e plot të tjera, nuk është e mirë. E nëse askush nuk gjen dot një argument bindës(përvec politikës) se përse kemi një ecuri të tillë të qeverisë në 1 vit e ca të jetës së saj, atëherë mund të themi se dicka jo e zakontë po ndodh. E në vend që të kërkojmë arsye dhe shkaqe larg e të cuditshme ndoshta bëjmë mirë të shohim me vëmendje Kryeministrin Rama. Mos është ai përgjegjësi i të gjitha këtyre sa parashtruam më lart? Mos vallë në vend që të kërkojmë tek të tjerët fajin, e kemi mes nesh? Mos është gjë Edi Rama?















