Nga Kostaq Xoxa
Për çindoktrinimin e historiografisë
Është bërë zakonshme, tanimë, që të huajt kërkohen të jenë protagonistë për të na sqaruar në problemet tona politike, ekonomike, historike, financiare, të administratës, të arsimit, etj. Por jo Doris Pakun, ama, as Fylen…Për historiografinë, janë të gatshëm të ngrenë nga varri edhe kontin Galeaco Çiano, që të na bindë se Zogu është antishqiptar. Paçka se Çiano, ndonëse ishte dhëndër i Musolinit, u pushkatua prapa krahësh, si tradhtar! Është si të kërkosh dëshmi vërtetësie nga Kim Filbi, që tradhtoi Anglinë dhe u arratis në Moskë, për spiunllëqet në dobi të B.S. Por le të përqendrohemi te historiografia e indoktrinuar. A ka pasë luftë civile në vendin tonë, gjatë Luftës? Enveristët thonë JO të prerë. Por vetë E. Rama ka pasë thënë PO. Me shkrim, madje, te “Refleksionet”. Mund të marrim edhe mendimin e atyre të huajve që e njihnin mirë gjendjen në Shqipëri. Përveç Mc Lean-it, Smiley- it, Amery-t e Tony Sincox-it, me këto çështje me rëndësi historike është marrë, sidomos, Nicholas Bethel-i, një nga librat e të cilit është përkthyer edhe në shqip. Këta anglezë qëndruan pranë shtabit të Enver Hoxhës, i cili i këqyrte gati-gati si të ishin spiunë. Beteli shkruan edhe për historinë tonë të lashtë. Pastaj flet për vitin 1385 kur vendet tona u pushtuan nga Perandoria Otomane. Më tej përmenden luftërat e Skënderbeut i cili cilësohet si heroi kombëtar i Shqipërisë . Për këtë figurë me përmasa europiane citohen poema e Lonfellout dhe opera e Antonio Vivaldit. Për Luftën I Botërore na thotë se “Greqia pushtoi Jugun, Italia Vlorën dhe Serbia aneksoi përkohësisht Veriun, derisa erdhën atjé austro-hungarezët… “Që nga ajo kohë shqiptarët janë kapluar nga bindja se grekët e jugosllavët duan të përvetësojnë territorin e Shqipërisë”. Vijmë, së fundi, te Lufta II Botërore (L.II.B).
Maklini dhe Smàjli referonin se *partizanët nuk synonin të luftonin armikun. Qëllimi i vetëm i tyre ishte të shfrytëzonin prestigjin anglez dhe pajisjet e këtyre, kundër grupeve jo komuniste”. Smàjli po bëhej gjithmonë e më i padurueshëm nga përçapjet trashamane të partizanëve për të zmadhuar tej mase luftimet e tyre. Julian Émeri ishte shprehur: “Ashtu si Stalini kërkon të përmbyste regjimin properëndimor të Athinës, po ashtu edhe neve na jepet e drejta qe të rrëzojmë regjimin filosovjetik të Tiranës”. Nacionalçlirimtarët, sa herë që zbraznin ndonjë pushkë kundër ndonjë kolone armike, shpallnin se armikun e kishin ngujuar në një kurth dhe kishin bërë kërdinë mbi të. Smàjli kujton një rast, kur trupat italiane kishin sulmuar një pozicion partizan dhe këta ia kishin mbathur me të katërta. – Atëherë mendova se ishin burracakë. Por më vonë u binda se kështu ishin urdhrat: të mos kapeshin (impenjoheshin) me armikun, pa qenë kjo gjë absolutisht e domosdoshme; por të vetëreklamoheshin, që të bënin përshtypje tek oficerët anglezë dhe të përlanin të gjitha armët, me të cilat budallenjtë (anglezë) i furnizonin. “E këto armë, pastaj, t’i përdornin për luftën civile”. Kjo çështja e luftës civile, një fakt dramatik për Shqipërinë, luftë e cila ishte me interes djallëzor (diabolik), për emisarët e Titos, të cilët, me kolaboracionizmin e Enver Hoxhës, e ndezën flakën vëllavrasëse në Shqipëri që të mos kërkoheshin të drejtat nacionale për Kosovën. Kjo pati pasoja rrënimtare për çështjen kombëtare. Kuptohet se historiografia komuniste “ka fshehur me fanatizëm faktet e shumta që dëshmojnë se Lufta ishte një rast (okazion) për uzurpimin komunist të pushtetit dhe jo një shkak për t’u flijuar për Komb e për Atdhe”. Beteli citon Amery-n (Émerin) : “Është e diskutueshme që komunistët të kenë qenë luftëtarë më të mirë (se nacionalistët)”. Por vihet në dukje se “nacionalistët e shihnin në një optikë (vështrim) më të gjerë situatën”. — A ia vlente që për 2 gjermanë të vrarë të rrafshoheshin tri fshatra? Ndërsa komunistëve kaq u bënte për këtë çështje, mjaft që të merrnin pushtetin. “Në kohën kur emisarët e Titos bëheshin gjithnjë e më të shumtë e të plotfuqishëm, të Tre të Mëdhenjtë as që e diskutuan fare çështjen e Shqipërisë në Teheran”, – sipas autorit. Shqipëria s’u përmend as në Podzdam, nga të Tre të Mëdhenjtë (17 korrik – 2 gusht 1945). Lexuesi mund ta vërejë këtë në materialet historike të Podzdamit, të përkthyera dhe të botuara në shqip, para mjaft vitesh. Abaz Kupi, që i kishte ndihmuar sinqerisht anglezët e që kishte shpëtuar shumë aviatorë anglezë e amerikanë nga kthetrat e gjermanëve, duke u angazhuar në luftë kundër këtyre, me premtimin se do t’i jepeshin ndihma, u la në mëshirë të fatit. Ndihmat dhe torbat me florinj desantoheshin për komunistët. “Ata të Barit kishin vendosur, tashmë, se të vetmit, te të cilët ia vlente të mbështeteshin, ishin partizanët komunistë”. Në analizat e mëtejme tregohet se sa shtrenjtë u kushtoi ky naivitet. Tony Sincox-i, oficeri pranë Seid Kryeziut, që drejtonte guerriljen shqiptare në Kosovë, kishte referuar në Bari: “Ne i tradhtuam nacionalistët shqiptarë, sidomos Gani Kryeziun, që luftoi më mirë dhe u sakrifikua më shumë se cilido prej komunistëve. Duhej të ishim më të vendosur kundër këtyre të fundit, kur sulmuan Kupin. T’ua kishim ndërprerë furnizimet dhe të binim në ujdi, me kushtin që ata (komunistët) të luftonin VETËM kundër gjermanëve. Dhënia e mundësive komunistëve që të sulmonin, të provokonin apo të vrisnin armiqtë e tyre politikë, me ndihmat e me furnizimet tona, është sikur ta kishim bërë ne vetë këtë paudhësí….”. Smàjli, Émeri dhe Maklini zienin nga inati sesi kishin vepruan anglezët dhe aleatët në Shqipëri, gjer në atë shkallë sa të mund të quhej tradhti, për mënyrën e turpshme sesi ishin trajtuar luftëtarët nacionalistë. Qeveria e Enver Hoxhës, e ardhur në fuqi më 1944, i përligji të gjitha dyshimet e parashikimet e kundërshtarëve të saj. Në gusht të ’45-s u zhduk me dekret prona private. Zgjedhjet- farsë të ’45-s, u shoqëruan me arrestimet e Gjergj Kokoshit, Suat Asllanit e të tjerëve. Më 11 shkurt kryetari i Misionit britanik, Hodgson, shkruante për një “regjim të vogël TERRORIST”. Në incidentin e Kanalit të Korfuzit humbën jetën 43 njerëz. Në fillim të nëntorit të ’46-s u bë procesi i Maliqit. *Më 14 nëntor të gjithë amerikanët u larguan nga Durrësi, duke mos u lejuar të hipnin në anije. Ata duhej të çoheshin me rimorkiator gjer në anijen e tyre, që i priste 20 km. larg, në det të hapur. Nuk mjaftuan këto poshtërime, por duhej që secili të paguante nga 1000 dollarë për rimorkiatorin (!), në të cilin të dëbuarve iu vodhën plaçkat e valixhet!”. Ndërkaq komunistët grekë kërkonin të merrnin pushtetin me dhunë, pavarësisht që Stalini kishte vënë firmën në Teheran se Greqia do të mbetej në sferën perëndimore. Markosi mbështetej nga Shqipëria, Bullgaria dhe Jugosllavia. Në një raport të një komisioni ndëraleat, Shqipëria cilësohej si fajtori kryesor për luftën civile në Greqi. Më 22 nëntor 1948 delegati grek, Konstantin Caldaris, deklaroi në RAI UNO: “Është në rrezik ekzistenca e kombit tim”. Delegati amerikan John Foster Dulles (Dallesi) i akuzoi të tri vendet që sapo u cilësuan, se “përdornin dhunën për të imponuar opinionet e tyre”. Përfaqësuesi britanik në Foreign Office, kishte referuar: “Komanda e guerrilasve grekë komunistë ndodhet në bregun lindor të Prespës së Vogël” (në Shqipëri). Ministri francez në Tiranë, Gui Menant (Gi Mënan), i vetmi burim informatash për Shqipërinë, e përshkruante gjendjen ekonomike: të vajtueshme. 76 % e popullit vuante nga tuberkulozi. Ndërsa largohej me avion nga Shqipëria, kolegu suedez i Mënanit, komentoi: “Nuk kam qenë kurrë më i kënaqur gjatë gjithë jetës sime, sesa në rastin e largimit tim nga ky vend. Më dukej se kisha parë ferrin me sy”. Citojmë edhé: “Për pesë vite Tito përsëriste se ishte sjellë si vëllai i madh i Enver Hoxhës, duke drejtuar politikën e Enverit”.
Por në korrikun e ’48-s Jugosllavia u përjashtua nga Byroja Informative. Tito u quajt heretik. Tashmë Perëndimi po kujtohej se Shqipëria s’ishte aq e parëndësishme! Sazani mund të bëhej një bazë e rëndësishme. Kanali i Otrantos s’e kishte gjerësinë më tepër se 80 km. Ata anglezë që e kuptuan se e kishin tradhtuar kauzën nacionaliste shqiptare, tani po mendonin se kishte ardhur koha të vepronin ndryshe. Markosit grek do t’i priste krahët një revoltë popullore antikomuniste në Shqipëri Lufta e ftohtë ishte acaruar për shkak të prepotencës së Kampit Socialist. Duhej kundërvepruar. Kështu, në metodat për t’iu kundërvënë luftës së ftohtë, u mendua për aktet subversive në vendet komuniste, ku pushteti mbahej me dhunë. Në një mbledhje të nëntorit të ’48-s u bisedua, për herë të parë, për Shqipërinë: — Po sikur të përftohet një gjendje si ajo e Greqisë edhe në Shqipëri? – kishte pyetur ambasadori i ardhshëm Kirkpatrick. Objektivi: Të lirohen vendet e orbitës sovjetike me çdo mjet, me përjashtim të luftës. Émeri kishte bindur edhe Ernest Bevinin (kryeministrin anglez) për këtë Projekt. Shqipëria duhej ndëshkuar për incidentin e Kanalit të Korfuzit dhe për vënien e tokës së saj në dispozicion të kryengritësve komunistë grekë. Po të shndërrohej Shqipëria nga armike në mike, atëherë do të ndëshkohej edhe Stalini për shkatërrimin e demokracisë çekosllovake dhe për synimin që ta shtrëngonte në uri Berlinin perëndimor. Doemos, edhe për pabesinë në rebelimin komunist kundër qeverisë greke. Gjithashtu do të dështonte projekti sovjetik për të pasur nën kontroll Adriatikun. Raketat sovjetike nuk do të ishin më një kërcënim për Italinë. Bevini e shihte më të pranueshme idenë që të veprohej, fillimisht, në një vend të vogël e pak të njohur, si Shqipëria. Por spiunazhi sovjetik në demokracitë perëndimore ka qenë tepër vërshues dhe vendet e dëmtuara nga ky spiunazh u treguan, fillimisht, tolerante ndaj pabesisë sovjetike. Sipas disa librave, Bashkimi Sovjetik ishte në imazhin e vendit “mik”, aleat në fitoren ndaj forcave të aksit Romë-Berlin-Tokjo. Kështu spiunë të paskrupullt si Kim Filbi e bënë tepër të vështirë veprimtarinë e desantëve në Shqipëri. Ky agjent anglez në shërbim të KGB-së sovjetike bëri që veprimtaria e kundërshtarëve të regjimit enverist të mos kishte rezultat, për shkak se informacionet u bënë të qarta dhe desantët ndodheshin në rrethim. Libri i Northonit për veprimtarinë e spiunazhit sovjetik në Francë zgjoi vëmendjen e botës perëndimore dhe ishte, si të thuash, një elektroshok që bota e lirë të ishte më syçelët për këto veprimtari që u vunë në vëzhgim të rreptë. Lufta e ftohtë mori përmasa të tjera dhe shkaktari për këtë acarim ishte Kampi Socialist, që kërkonte të fitonte prioritete në mënyrë të pabesë. U demaskua gjerësisht nga Perëndimi edhe spiunazhi industrial (ekonomik), me anën e të cilit Lindja kërkonte të krijonte një farë ekuilibri ndaj avancimit perëndimor në krahasim me prapambetjen lindore, të cilën propaganda euforike komuniste u tregua e paaftë që ta mbante në këmbë. Megjithatë propaganda totalitare dha disa rezultate për të fshehur prapësitë e komunistëve Kjo ka ndodhur edhe në mbulimin e terrorit komunist, një pjesë e të cilit ka mbetur e pazbuluar plotësisht gjer në ditët tona, ndërsa masakrat e nazistëve janë detajuar në libra, katalogë dhe pasqyrime fotografike e filmike. Ky dokumentacion shërbeu për aktakuzën në Gjyqin e Nurembergut.
Kjo tendencë u vu re edhe në dramën e eksodit kosovar (1999), kur propaganda majtiste paturpësisht bënte fjalë për krime të dyanshme, domethënë nga bandat paramilitare dhe nga forcat e UÇK-së. Kjo lloj propagande arrinte gjer në paraqitjen e shpërnguljeve masive jo për efekt të dëbimeve nga ushtria etnocidase e Millosheviçit, por … për shkak të bombardimeve të NATO-s! Këto lloj shformimesh të realitetit historik ishin jo vetëm si mjet propagande antishqiptare nga njerëz si Kosuta, Ingrao, Gizi, Papandreu, etj, por edhe në arsyetimet në dobi të Millosheviçit të shteteve tradicionalisht kundër të drejtave legjitime të shqiptarëve, si për shembull, Rusia (një alter ego e Serbisë për mizorinë ndaj Çeçenisë), Kina (që kërkon me ngulm të vërë Taivanin brenda kufijve të saj), Greqia , me solidaritetin proserb dhe kundërvënien ndaj NATO-s, etj. Faktet e sjella këtu nuk i gëlltit dot historiografia enveriste, që u ka bërë “shpëlarje truri” edhe nxënësve të nëntëvjeçareve dhe të shkollave të mesme, pa përmendur edhe ato të lartat. Tani kërkohet “rregullimi” i teksteve shkollore, nga po ata persona që janë përgjegjës për tekste të tilla!
















