Nga Besnik Terziu
E gjithë shumica qeverisëse është përfshirë nga ndjenjat e hakmarrjes kundrejt Shërbimit Informativ Shtetëror për përgjimet që sipas tyre kanë qenë të padrejta e tendencioze. Mirëpo në krye të listës së përgjimeve është Edi Rama, i cili duket se nuk ka ndërmend të deklarohet qartazi për çështjen dhe vullneti i tij i pakët për të cekur këtë problem të çon në një drejtim logjik. Edi Rama është politikani që është kapur në rrjetën e përgjimeve për disa biseda mes krerëve më të rrezikshëm të bandave kriminale në Shqipëri me aktivitet brenda vendit tonë, por edhe jashtë. Emri i tij figuron aq herë në tabulatet e makinerive të përgjimit jo vetëm nga shërbimi ynë sekret, por edhe nga shërbime të tjera, sa do të ishte e kotë që të shfajësohej dhe të hapte një luftë përballjeje me SHISH. Të njëjtën luftë duhet të hapte edhe me gjithë agjencitë e tjera inteligjente të vendeve europiane, por kjo nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të hapte plagë të vjetra dhe do rikthente vëmendjen e opinionit publik edhe njëherë në çështje kriminale që Rama rezulton i përfshirë, ndërsa ai vetë shpreson të fshijë nga kujtesa e qytetarëve njollat e errëta që rëndojnë mbi të. Pavarësisht se në ekranet televizive Edi Rama mund të angazhojë përkrahës së tij të njohur me sindromën e theksuar anti-Berishë që t’i qajnë hallin atij dhe mazhorancës, e vërteta është se ka më shumë se 11 vjet që Rama figuron i ngatërruar me bandat kriminale shqiptare, të paktën që nga viti 2003 kur emri i tij përmendet në telefonata mes Aldo Bares dhe Enver Dondollakut. Në atë kohë, kreu i Bandës së Lushnjës, Aldo Bare dhe krahu i djathtë i tij, Enver Dondollaku, për të kontrolluar të gjithë ekonominë e qytetit të Lushnjës përdornin të gjitha metodat, duke nisur me terrorin dhe duke bashkëpunuar me eksponentë të politikës së majtë, që ishte në pushtet dhe nëpërmjet tyre fitonin tenderat publikë. Në përgjimet e bisedave të tyre nga policia italiane, citohen emrat e shumë politikanëve të majtë shqiptarë, figuron edhe ai i kryebashkiakut të Tiranës në atë kohë dhe njëkohësisht kryetari i PS dhe Kryeministri aktual, Edi Rama. Telefonata ku shfaqet emri i Ramës, është kryer në orën 13.08 të datës 22 shkurt 2003, në periudhën kur Kuvendi diskutonte ngritjen e një Komisioni Parlamentar Hetimor ndaj kryebashkiakut të kryeqytetit. Në atë kohë në mjaft gazeta dhe media vizive, kreu i Bashkisë së Tiranës akuzohej publikisht për, “ndërtimet e disa pallateve në qendër të Tiranës nga njerëzit e “Hakmarrjes për Drejtësi”. Edi Rama po kandidonte atëherë për një mandat të dytë në krye të Bashkisë dhe ky fakt ka zgjuar edhe vëmendjen e dy krerëve të bandës së Lushnjës Aldo Bare dhe Enver Dondollaku, biseda telefonike të të cilëve janë përgjuar nga Prokuroria italiane. Dondollaku, duke biseduar me Aldo Baren është shprehur se: “Edi Rama rrezikon të humbë mandatin, sepse po ndihmon ata të “Hakmarrjes’”. Hetuesit italianë kanë zbuluar se, “ata të Hakmarrjes” personifikonin anëtarët e organizatës kriminale “Hakmarrja shqiptare për Drejtësi”. Kjo bandë kishte hyrë në konflikt me bandën e Lushnjës në këtë periudhë për tenderin e pastrimit të qytetit të Lushnjës. Një konflikt që shkaktoi pesë viktima në të dyja krahët, dhe pikërisht për këtë qëllim banda e Lushnjës ishte e vëmendshme ndaj lidhjeve që kishte Edi Rama me njerëzit e “Hakmarrjes”. Pra përgjimi i Ramës nuk është për faj të asnjë faktori tjetër veçse objektit kriminal ku ka qenë i përfshirë subjekti në survejim dhe ata që sot deklarojnë se mbrapa përgjimeve të këtij lloji ka prapavijë politike sigurisht që kërkojnë të mbrojnë lidhjet e Kryeministrit shqiptar me krimin e organizuar. Nuk duhet harruar se SHISH është një institucion me lidhje të posaçme me agjencitë homologe europiane dhe të SHBA-së dhe është e paimagjinueshme që kundër Ramës të jetë ngritur një konspiracion ndërkombëtar për të dëmtuar imazhin e tij politik. Nëse besohet kjo atëherë duhet të besojmë edhe variantin se Enver Hoxha sulmohej nga e gjithë bota pikërisht se ishte udhëheqësi i vetëm i vijës origjinale marksiste-leniniste, e cila u braktis vetë nga Rusia të paktën që në vitet kur në krye të ish-Bashkimit Sovjetik erdhi Hrushovi. Këto idiotësi apo dokrra nuk mund të jenë objekt diskutimi serioz. Mbetet vetëm një arsye se përse Edi Rama dhe njerëz të tij të afërt, sot Ministra të kabinetit qeveritar, mbahen nën përgjim jo nga shërbimi ynë sekret, por nga shërbimet e inteligjencës botërore. Arsyeja është përfshirja e tyre në interesat e krimit të organizuar, shërbimet që ata i kanë ofruar krimit të organizuar dhe marrëveshjet afatgjata të politikanëve të majtë kundrejt organizatave kriminale për të ndarë me ta pushtetin politik dhe atë ekonomik. Arsye tjetër nuk mund të ketë dhe do të ishte naivitet që dikush të mbështeste ndonjë pistë më pak të rëndësishme se kjo. Është temë diskutimi se përse një numër kaq i madh i politikanëve të majtë është në marrëdhënie të ngushta me botën e krimit dhe çfarë i lidh ata me këtë botë të errët. Ky do të ishte një diskutim i shëndetshëm dhe me fokus tek interesat e publikut dhe demokracisë. Sot ne nuk e dimë se si është zhvilluar bota e krimit që nga vitet 2000 dhe nëse djemtë apo nipat e krerëve të atëhershëm të bandave kriminale nuk janë emëruar në poste të larta dhe të rëndësishme shtetërore sot me rikthimin në pushtet të “rilindasve”. Ndaj edhe mbajtja nën përgjim apo nën survejim të vazhdueshëm për këta elementë është në favor të sigurisë kombëtare dhe rendit publik. Nëse Rama nuk është distancuar asnjëherë publikisht nga implikimi i marrëdhënieve të tij me klientelën e krimit të organizuar, atëherë përse u dashka që të ndalen përgjimet ndaj tij apo bashkëpunëtorëve të tjerë të rëndësishëm që ai i ka futur në Parlament? Përgjimi është një masë edhe parandaluese mes të tjerash dhe kjo metodë e agjencive të zbatimit të ligjit nuk duhet të trembë askënd që nuk ka gjë për të fshehur. Urrejtja e Ramës dhe të majtëve kundrejt SHISH është e kuptueshme nëse janë të përfshirë në vazhdimësi në botën e krimit të organizuar dhe uzurpimi i kreut të këtij institucioni është strategjia e pastrimit të dosjeve të tyre kriminale. Por për fat të mirë sot nuk ka vetëm një shërbim sekret që ka përgjuar lidhjet e botës së krimit me të majtën shqiptare që do të thotë se edhe nëse dosjet e Ramës fshihen nga arkivat shtetërore me presion e dhunë të shumicës parlamentare, do të ketë gjithmonë një vend tjetër, kopje të tjera ku ne mund të kërkojmë për të shkruar të vërtetën.
















