Nga Prof. ass. Dr. Shefqet Hoxha
1.- Në kushtet e pushtimit shumëshekullor osman, lufta për gjuhën dhe shkollën shqipe ishte shprehje e qëndresës aktive të popullit shqiptar, qëndresë që spikati sidomos gjatë Rilindjes Kombëtare. Por edhe pas Lidhjes së Prizrenit (1878) pengesat për hapjen e shkollave shqipe qenë të shumta, sidomos në krahina të prapambetura dhe të egra, si Luma. Në kapërcyll të shek. XX administrate vendore e mytesarrifllëkut të Prizrenit i kërkoi Stambollit të hapte disa shkolla fetare në Lumë “për të zbutur” malësorët e pabindur dhe të panënshtruar të këtij visi dhe përnjëmend u hapën këtu, duke filluar nga viti shkollor 1901-1902, 12 mejtepe, gjegjësisht shkolla turke 4-klasëshe, gjysëm laike. Një mekteb i tillë qe hapur edhe në Bicaj me 50 nxënës, ndër ta qenë edhe gjashtë vajza, të cilat qenë ushtruar edhe për punimet në vekë, sidomos të sixhadeve orientale (punime me krimba) dhe pastaj kjo mjeshtri u shtri në tërë krahinën. Mësuesi i parë i kësaj shkolle ka qenë Hafiz Osmani nga Zhuri.
Hapja e mejtepeve turke në Lumë në kapërcyell të shek. XX ishte një veprim kundër rrymës, gjegjësisht një kundërvënie ndaj përpjekjeve e nismave patriotike për të hapur shkolla shqipe e për të shkruar gjuhën me alfabetin latin të miratuar nga “Shoqëria e të shtypurit shqip” (1879) në Stamboll, të përpunuar më vonë nga Kongresi i Manastirit (1908).
Ndërkohë, në medresetë e Prizrenit e të Shkupit vazhdonin mësimet për t’u përgatitur si klerikë disa të rinj lumjanë, po përmend Sheh Ali Bojdanin, Jonuz Jakup Hoxhën, Bajram Sadik Halilajn (të tre nga Bicaj), Riza Islam Spahiun (nga Kolesjani) e ndonjë tjetër, të cilët bënë emër, pse iu përkushtuan, njëherit, fesë islame dhe lëvizjes kombëtare shqiptare. Ata qenë të brumosur me frymën e shqiptarizmit e të pajisur me njohuri pedagogjike e me dije për shkrimin e gjuhës shqipe. Me emrat e këtyre mejtepistëve është e lidhur lëvizja për shkrimin e shqipes me alfabetin latin dhe hapja e shkollës së parë shqipe në Kolesjan të Lumës, me 14 tetor 1911. – Kjo dëshmohet edhe në një raport nga Shkupi për ministrinë e jashtme në Vjenë (1 maj 1906), ku ndër të tjera shkruhet: “Edhe më e çuditshme është se njerëzit që dërgoi “shoqëria për lirinë e Shqipërisë” prej Dibre në Lumë kanë fituar shumë anëtarë në këtë krahinë më të prapambetur e më të egër të Shqipërisë së Veriut”.
Në vitet 1908-1909 në mejtepin e Bicajt qe mësues mulla Jonuz Jakup Hoxha, i shkolluar në Prizren, i cili pat kryer edhe një kurs pedagogjik në normalen e Shkupit, ku jepnin mësim edhe mësuesit patriotë, Sali Xhuka e Bedri Pejani. Në një takim që kish pasur me kursistët shqiptarë të asaj shkolle deputeti Hasan Prishtina, i kish porositur ata që t’u mësonin nxënësve edhe gjuhën shqipe me alfabetin latin, në kundërshtim me pikëpamjet e klerikut të njohur, Rexhep Xhadiut, ish-dhëndër në Brekijë, që vinte shpesh në Lumë e propagandonte shkrimin e shqipes me alfabetin arab.
Në mejtepin e Bicajt mulla Jonuzi veç njohurive fetare e bazave të turqishtes e arabishtes, nisi t’u mësojë nxënësve fshehtas edhe alfabetin latin, por u diktua nga autoritetet e kazasë dhe nga elementë fanatikë të visit, të cilët bastisin mejtepin, konfiskojnë librat dhe me urdhrin e kajmekamit Hysen Faiku dëbojnë mësuesin. Më pas – siç kujtonin Riza Spahiu e Sheh Ali Bojdani – “qeveria me disa lakej injorantë e fanatikë i dogjën shtëpinë Jonuz Hoxhës, duke e cilësuar“hoxhë llatini” dhe të atin, molla Ukën, “kavri i madh i Lumës”.
Një pasardhës i mulla Jonuzit e pat vlerësuar lart aktin patriotik të tij me vargjet:
“Plang e shtëpi unë do t’i kalli,
gjuhën shqipe do ta ngjalli!”
Dhe, vërtet, puna e nisur nga Jonuz Hoxha, nuk reshti, u vijua nga dy kolegë të tij, Sheh Ali Bojdani e Riza Islam Spahiu. I pari solli në Bicaj abetaret shqipe, i dyti hapi shkollën e Kolesjanit,më 14 tetor 1911.
Ka shkruar Sheh Ali Bojdani: “Të parën abetare shqipe me gërma latine e kam sjellë unë në Bicaj më 1910…”. Këtë të dhënë e plotëson Riza Spahiu, i cili ka shkruar: “Në kohë të pushimeve shkollore unë bisedova shtruar me mësuesin tim, Sheh Ali Bojdanin, megjithëse ai nuk kish njohuri për gërmat latine, e desh shumë gjuhën shqipe, se ish njeri përparimtar e i vendosur për çështjen kombëtare. Ai më tha: “Unë gjej njerëz besnikë që të tërheqin çdo lloj libri në gjuhën shqipe e këta janë tregtarët shirokas të Prizrenit që kanë një bakallhane edhe në Bicaj. Dhe i solli”.
- – Historia 100-vjeçare e shkollës shqipe në krahinat e Kukësit është komplekse, me ngritje-zbritje e me zigzage në përshtatje me rrethanat historike të kohës. Në këto 100 vjetët e fundit kemi përjetuar shtypjen e huaj dhe çlirimin kombëtar, luftën kundër pushtuesve, përpjekjet për krijimin dhe konsolidimin e shtetit, diktaturën komuniste dhe po jetojnë ditët e demokracisë pluralistë. Në çdonjërën prej këtyre periudhave kanë gjalluar sisteme politike, ekonomike e arsimore të ndryshme. Jashtë ndikimit të tyre nuk ka mbetur edhe shkolla, por misioni themelor i saj, “ndriçimi i mendjes së njerëzve dhe edukimi i dashurisë për atdheun nuk kanë munguar asnjëherë”.
Në dhjetëvjeçarin e dytë të shek. XX, Shqipëria ndodhej në buzë të honit. Në këtë dhjetëvjeçar krahina e Lumës qe pushtuar tri herë nga shovinistët serbomëdhenj, si dhe nga ushtritë bullgare e austro-hungareze. Ekzistenca e shtetit, madje e kombit shqiptar, qe vënë në pikëpyetje, po shkollës shqipe të Kolesjanit që kryente rrëshqânas misionin e saj, i lindi një motër jetëshkurtër,mësonjëtorja shqipe e Bicajt, më 18 tetor 1914. Kjo u hap në disa rrethana specifike të kohës. Bicaj qe qendër nënprefekture me titullar Sadik Gostivarin. Këtu qenë strehuar qindra kosovarë të përzënë nga trojet e tyre prej pushtuesit serb. Në fillim të gushtit 1914, Hasan Prishtina largohet nga qeveria e Durrësit dhe i drejtohet kufirit verilindor, gjegjësisht Lumës, ku qëndroi disa muaj për të përgatitur çlirimin e Kosovës të pushtuar nga shovinistët serbë, sipas vendimeve të padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913).
Me yshtjen e patriotit të madh, Hasan Prishtina, dhe me mbështetjen e fuqishme të malësorëve patriotë, u hap shkolla e Bicajt. Mësuesi i parë i saj qe Ibrahim Gota, i cili kish mbaruar gjimnazin turk të Prizrenit dhe një kurs pedagogjik në Shkup, ndërsa shkrimin e shqipes e kishte nxënë si autodidakt në qytetin e tij të lindjes. Mësimet i vazhduan 11 nxënës dhe si lokal qe xhamia e Halil agës.
Një ish-nxënës i kësaj shkolle kujtonte kështu ditët e para të mësimit: “Në orën e parë hyni në klasë nji burrë me moshë mesatare, me trup të hollë, me fytyrë bojëgruni, me një sarëk jeshil. Si u fut mbrenda, na u drejtue ne nxanësve me fjalët: “Na jemi shqiptarë e do të mësojmë gjuhën shqipe, gjuhën e nanës”. Mbrapa ai na ndau disa abetare që i kishte pru nga Kosova. Ishte hera e parë që shihnim këso librash me gërma të panjohura që shkruheshin nga e majta në të djathtë. Na u duk pak vështirë në fillim, por mbrapa me shumë zell i mësuem ato shkroja dhe kangën e Pashko Vasës “O moj Shqipni”. Si landë të para patëm abetaren, katër veprimet aritmetikore, shkrimin, bukurshkrimin, kangën e gjimnastikën dhe si landë të dytë pak njohuri fetare (kuran, texhvid e ilmihal). Për me shkrue patëm përdorë pllaka ebaniti dhe për njehsim numratoren me gogla dushku. Por për fat të zi – përfundon tregimin ish-nxanësi i kësaj shkolle – me ripushtimin e Lumës nga ushtria serbe (qershor 1915) shkolla u mshel dhe mësuesi u largue”.
Gjatë pushtimit austro-hungarez (1916) në krahinën e Lumës pat vetëm dy shkolla shqipe, nëKolesjan e në Zhur (shkollë nate), të cilat vazhduan mësimet me ndërprerje, si dhe një kurs për të rritur në Bicaj që e ndoqën rreth 40 vetë. Drejtuesi i këtij kursi qe Ndok Noka me përgatitje të pamjaftueshme gjuhësore, prandaj përfitimi i nxënësve qe i pakët. Këtë e konfirmonte edhe drejtori i përgjithshëm i arsimit, Luigj Gurakuqi, në shtator 1917. Ai shkruante: “Tue qenë se në krahinën e Lumës kemi vetëm dy shkolla me mësues të dobët dhe këta nuk kemi mundësi t’i zëvendësojmë, do të ishte me vend që ata të mbahen… dhe të orvatemi që të bahen të aftë për punën e tyne”.
Me tërheqjen e forcave austro-hungareze dhe me pushtimin e Lumës për të tretën herë nga ushtria serbe (nëntor 1918), kursi i gjuhës shqipe në Bicaj u mbyll. Pushtuesit e rinj shmangën çdo përpjekje për mësimin e shqipes, ndërsa në Kolesjan mësimi vazhdoi të jepej fshehtas. Në Bicaj serbomëdhenjtë lejuan të hapej vetëm një mejtep fetar, që vazhdoi deri në vitin 1921 nën kujdesin e Alush agë Lumës, i cili paguante edhe mësuesin.
Si u largua definitivisht ushtria dhe administrata serbe nga Luma (dhjetor 1921) dhe u ngrit administrata shqiptare, u këndellën dëshirat për hapje shkollash dhe për mësimin e shqipes. Në mars 1922 u krijua në Bicaj shoqëria arsimore “Dobia”, rreth së cilës u grumbulluan elementë me prirje patriotike e demokratike. “Populli ka uri e etje për arsim dhe këtë e dëshmon tue kërkue pa fre shkolla” – theksohej në Bisedimet e Këshillit Kombëtar. Këtë uri e etje për dije u rrek t’ua shuajë bicianëve shoqëria “Dobia”, e cila mbahej me kontribute vullnetare të anëtarëve dhe me ndihma nga populli. Në kursin e natës që hapi kjo shoqëri mësuan shkrim e këndim rreth 30 burra.Dhanë mësim në këtë kurs Riza Spahiu, Kel Vila, Ndrek Cukola e Ferid Imami.
Me kërkesën këmbëngulëse të Bajram Currit (shkurt 1922) për hapje shkollash në malësi të veriut, qenë miratuar nga Ministria e Arsimit edhe shkollat e Bicajt, Shtiqnit, Kalisit, Krumës e Golajt. Populli i këtyre fshatrave u hoqi fëmijëve kafshatën e gojës dhe kontribuoi për ndërtimin e këtyre mësonjtorëve, saqë Luigj Gurakuqi theksonte në parlament: “Kur shoh vullnetin e mirë të popullit… si atë të Lumës… që ngriti ndërtesat, aprovoi me gjithë zemër shpenzimet”.
Për ndërtimin e lokalit të shkollës banorët e Bicajt e të Nangës dhuruan 2270 korona sermi, ndërsa këto fshatra dhe disa të tjerë të Lumës dhuruan më 1922 35 desh me vlerë 1225 korona sermi për shkollën teknike të Tiranës.
Shkolla e Bicajt i riçeli dyert në 10 tetor 1922 me 71 nxënës, 25 prej të cilëve vazhduan mësimet natën. Pat dy mësues, Ndrek Cukolën (Kosmaçi), i cili përgatiti edhe bankat dhe orenditë shkollore dhe Kel Vilën që kryente edhe detyrën e zv.inspektorit të arsimit për prefekturën e Kosovës. Në dhjetor 1922 vendin e këtyre e zunë Ferid Imami dhe Niman Ferizi, gjakovarë. Mësimet gjatë viteve 1922-1924 u zhvilluan sipas programit që i kish rekomanduar Kongresi Arsimor i Tiranës (22 korrik 1922) Ministrisë së Arsimit. Si lëndë mësimore qenë: mësim shikimi, këndimi, shkrim e ortografi, aritmetikë, histori natyre, gjeografi, histori, vizatim, këngë, gjimnastikë, punëdore e besim. Nxënësit vlerësoheshin edhe në sjellje, në zell e në trajtë të përjashtme të shkrimeve. Viti qe ndarë në katër semestra dhe vlerësimi i nxënësve bëhej me sistemin pesënotash (1-5). Përparimi dhe vijimi i nxënësve gjatë këtyre dy vjetëve qe i mirë dhe përpjekjet për të mësuar gjuhën shqipe të lavdërueshme.
Por gjatë këtyre vjetëve lufta politike në shkollë dhe jashtë saj qe në apogjeun e vet. Në vorbullën e ngjarjeve politike ngalluan tri shartesa: a; shpirti patriotik i lumjanëve në mbrojtje të trojeve të tyre të grabitura nga shovinistët fqinjë, shprehur në mitingun e 15 tetorit 1922 para komisionit ndërkombëtar të kufijve; b – inkuadrimi i intelektualëve e mësuesve të visit, shumica kosovarë, në lëvizjen keshe progresiste të kohës për demokratizimin e jetës së vendit, e cila i ndau lumjanët (gjegjësisht kukësianët) në përkrahës e kundërshtarë të kryengritjes së qershorit 1924, që në të vërtetë qe një “coup d’etat” kundër pushtetit të zgjedhun me votën e lirë; c – përpjekja për jetësimin e vendimeve historike të Kongreseve Arismore të Lushnjes (5.8.1920) dhe të Tiranës (22.7.1922) për konsolidimin e shkollës kombëtare, për përmirësimin e sistemit dhe të pasurimit të përmbajtjes së programit mësimor, si dhe të metodave të dhënies së mësimit etj.
Për arsye të elektrizimit të situatës politike që çoi edhe në konfrontime me armë, politizimit të tejskajshëm të mësuesve dhe të nxënësve, kushteve të vështira për mësim, cilësia e punës mësimore në shkollën e Bicajt dhe rezultatet e saj gjatë viteve 1922-1924 nuk kanë qenë fort të knaqëshme edhe pse arsimtarët Niman Ferizi “Mësues i Popullit” dhe Ferid Imami “Mësues i Merituar” punuan me vetëmohim.
- – Periudha 15-vjeçare e sundimit të Zogut si President Republike dhe si mbret shënon arritje edhe në shkollën e Bicajt dhe në tërë Lumën, rritet nr. i nxënësve dhe i mësuesve, zgjerohet rrjeti i shkollave fillore, hapen kurse për të rritur (1938), përmirësohet cilësia mësimore dhe përgatiten kuadro cilësorë vendës. Gjatë këtyre viteve numri i nxënësve në Bicaj shkoi deri në 162 (1939-1940), i mësuesve arriti në 5, vazhduan dhe mbaruan shkollën fillore 5 vajza; nga shkollë katërklasëshe, në vitin 1928 ajo u bë shkollë plotoreme 5 klasë; shumë nxënës të saj u regjistruan në shkollat e mesme të vendit dhe u bënë kuadro të vlefshëm. Dëshira e bicianëve qe që në fshatin e tyre të hapej një shkollë e ultë bujqësore, por kërkesa e tyre në vitin 1932 nuk u tumir.
Në shkollën e Bicajt kanë dhënë mësim në ato vite mësues të talentuar dhe të përkushtuar si Ferid Imami, Ibrahim Riza, Latif Ymeri, Beqir Spahiu “Mësues i Popullit” Ymer Berisha, Rexhep Shpendi “Mësues i Popullit”, Xhafer Korbi, Qamil Hoxha, Ibrahim Kolçi etj. të cilët punuan me ndërgjegje të lartë për formimin atdhetar dhe kulturor të nxënësve, aplikuan metoda racionale mësimore, u aktivizuan në aksionin kombëtar të mbledhjes e botimit të folklorit, botuan artikuj në shtypin e kohës etj. Shkolla e Bicajt në vitet e sundimit të Zogut qe një qelizë e njëmendët iluministe, emancipuese dhe atdhetare dhe mësuesit e saj figura të dashura, prandaj kujtohen me nderim.
- Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shkolla e Bicajt, përkundër shumë simotrave të saj në krahinë e në qark, edhe pse u politizua tejskajshëm, vijoi procesin mësimor-edukativ. Në këto vite dhanë mësim këtu arsimtarë të formuar intelektualisht dhe të pasionuar pas detyrës, si Ibrahim Kolçi, Myrteza e Shehrine Shehdula, Latif Ymeri, Xhafer Korbi, Ramadan Mehmetaj, Rakip Domi, Islam Axhami etj. të cilët e mbajtën shkollën në këmbë. Ishte koha kur në Bicaj vlonte urrejtja kundër pushtuesit, po edhe ëndrra e këndelljes së Shqipërisë etnike, sepse një pjesë e Kosovës i qe bashkuar shtetit të cunguar shqiptar të 1913-ës. Në vitin shkollor 1943-1944 numri i nxënësve në shkollën e Bicajt në krahasim me vitin 1938 qe zvogëluar tri herë dhe ndërprerjet e mësimeve qenë të shpeshta.
- Në vitet e diktaturës komuniste (1945-1990) në territorin e Bicajt u zgjerua rrjeti i shkollave, u rrit numri i nxënësve dhe i mësuesve, u tërhoqën të gjitha vajzat në shkollë, u luftua për zhdukjen e analfabetizmit deri në moshën 40 vjeç, u krijuan hallka të reja arsimore: sistemi parashkollor, 7-vjeçar dhe i mesëm, u ngritën lokale të reja shkollore në Bicaj dhe në territorin e këshillit të bashkuar, u shtua baza mësimore-laboratorike etj.
Më 4 nëntor 1944, në Bicajn e çliruar u rihap shkolla fillore 5-klasëshe me 119 nxënës (prej tyre 5 vajza) dhe me 5 mësues. Në dhjetor 1946 u hap shkolla unike (kl. I, II) me 49 nxënës (1 vajzë) me mësues Sabri Repishtin e Nush Tukajn. Më 1949 shkolla fillore bashkohet me uniken dhe emërtohet shkollë 7-vjeçare (më vonë 8-vjeçare). Më 1960 u hap kopshti i fëmijëve. Në shtator 1971 çeli dyert shkolla e mesme bujqësore me 14 nxënës (prej tyre 8 vajza) me drejtor Halil Vishën. Kjo shkollë pat edhe degën pa shkëputje nga puna dhe me korrespondencë. Në vitin shkollor 1984-1985 shkollës së mesme bujqësore iu shtua dega e arsimit të përgjithshëm me 40 nxënës. Shumë nxënës të Bicajt që mbaruan shkollën e mesme vazhduan dhe kryen arsimin e lartë. Shkolla e Bicajt ka qenë dalluar në ato vite në veprimtaritë shkollore dhe jashtëshkollore dhe në aktivitetet kulturore, artistike e sportive.
Por përkundër kësaj shtrirjeje të arsimit në vitet e diktaturës, qe rrudhur përmbajtja dhe politizuar te s’vete ajo. Qëllimi i shkollës ishte fokusuar në përgatitjen e njeriut të ri, i aftë t’i shërbente sistemit socialist. Pas viteve ’60 sistemi shkollor qe konceptuar si një trekëndësh: mësim – punë prodhuese – edukim fizik e ushtarak. Në planet mësimore vendin kryesor e zinin lëndët ideologjiko-politike, por edhe lëndët e tjera duhet të përshkoheshin nga boshti ideologjik marksist-leninist, që nënkuptonte përshkimin e tyre nga filozofia marksiste-leniniste dhe lidhja e tyre me praktikën revolucionare. Prandaj edhe mësuesi qe cilësuar komisar i kuq.
Edhe pse në ato vite ishte vështirë t’i shmangeshe procesit të indoktrinimit, shumica e mësuesve të Bicajt qenë të përkushtuar ndaj detyrës dhe punuan si misionarë të vërtetë për kryerjen e misionit kryesor të tyre, formimit shkencor e patriotik të nxënësve. Ndër këta mësues qenë edhe: Mustafë Brahaj, Shaip Halilaj, Gani Zelaj, Islam Axhami, Fatmire Domi, Kasem Kërxhaliu, Dorotea Serreqi, Ahmet Doçi, Trëndafil Shehu, Qerim Cenaj, Refik Shehu, Granit Qypi, Safi Korbi, Isa Halilaj, Ahmet Dogjani, Mahmudije Cenaj, Xhemali Kërxhaliu, Ramadan Cenaj, Mine Shehu, Avni Omuri, Ilir Dogjani etj. etj.
Me rënien e sistemit komunist (1991) arsimi në Bicaj, si kudo në Shqipëri, mori një frymëmarrje të gjerë, por nuk ndryshoi menjëherë gjithçka, pse përshtatja me transformimet politike, ekonomike e shoqërore nuk qe e lehtë për mësuesit, të cilët duhej të transformonin edhe veten, edhe shkollën, pra, të gjithë komponentët dhe kurrikulat e saj. Këtyre vështirësive u shtoheshin edhe faktorë të tjerë, si lëvizja e popullsisë, largimi i mësuesve dhe shpërblimi i pakët i tyre, modernizimi i teksteve etj. etj. Të gjitha këto vështirësi po kalohen dhe me reformat e bëra dhe ato që do të bëhen, shkollat në Shqipëri, pra, dhe ajo e Bicajt, do të vihen në rrugë të mbarë.
Në fund, si ish-nxënës dhe si ish-mësues i kësaj shkolle, kam të drejtë morale t’u bëj thirrje shoqërore kolegëve të rinj që japin mësim këtu që t’i përvishen më seriozisht detyrës së shenjtë të tyre, të mbajnë lart emrin mësues dhe emrin e shkollës 100-vjeçare të Bicajt. Cilësia mbi të gjitha – kjo është detyra kryesore që shtron koha para nesh dhe le ta arrijnë këtë!















