Kreu i opozitës Lulzim Basha u shpreh se kjo tryezë është shembulli i gjithëpërfshirjes dhe se opozita është sot e gatshme të bashkëpunojë për reformën në drejtësi, e cila duhet të mbetet brenda kornizave evropiane.
“Përshëndes iniciativën e kreut të shtetit, kjo është forma e duhur e gjithëpërfshirjes, e një reforme konsensuale që duhet të mbetet brenda kornizës evropiane. Ne kemi ndërprerë marrëdhëniet me parlamentin për arsye që dihen botërisht. Drejtësia është një nga temat e mëdha të konfliktualitetit politik në vend. Ka të bëjë me sundimin e ligjit, nga institucionet në radhë të parë nga parlamenti dhe qeveria. Sundimi i ligjit dhe zbatim i vendimeve të gjykatave të lidhura fort me njëra tjetrën flasim për sundimin e ligjit kur shumica ka vënë në pikëpyetje zbatimin e vendimit të gjykatave”, tha Basha. Basha apeloi më tej se qeveria duhet t’i mbajë duart larg nga gjyqësori.
“Prania tek trupa e ligjvënësve e individëve të dënuar për krim të organizuar komprometon motivet dhe drejtpeshimin për të marrë në dorë rolin e reformatorit. Jemi këtu për të dëshmuar vullnetin tonë ne e mbështesim reformën si një nevojë në rrugëtimin tonë evropian, ne me vizion dhe platformë. Ne e mbështesim dhe kërkojmë zbatimin e modelit evropian për reformimin e drejtësie. Drejtësia duhet të jetë llogaridhënëse dhe efiçente, reformimi i sistemit për të luftuar korrupsionin që duhet të bëhet nga sistemi dhe jo nga qeveria. Qeveria të mbajë duart larg nga gjyqësori, duhet të konsolidohet pavarësia e gjyqësorit. Modeli europian që ne kërkojmë e bën drejtësinë efiçente pa e bërë drejtësinë kurban pa e futur nën sqetullën e pushtetit”, tha Basha.
















