Nga Besnik Terziu
Edi Rama me gjithë shpurën e tij që rëndom e quan “ekip” qeverisës po tenton këto ditë që të zhbëjë tërësisht kuptimin e Parlamentit nga njëra anë dhe të anashkalojë luftën kundër krimit nga ana tjetër. Zhbërja faktike e Parlamentit padyshim që është goditje për sistemin demokratik dhe në këtë mënyrë po tentohet që t’i hapet rrugë një qeverisjeje oligarkike të tipit Putin e ngjashme me modelin e Rusisë. Ndaj edhe mbushja e komisioneve parlamentare nga ana e PS-së me njerëz të skeduar penalisht, të dënuar për krime në rrethana rënduese dhe ende në kërkim në vendet e BE-së për veprat e tyre, ka vetëm një domethënie. Sa më shumë të denigrohen komisionet parlamentare, sa më të parëndësishme të bëhen vendimet që merren në to, sa më qesharake situatat kur të dënuarit i kërkojnë llogari gjyqtarëve, Presidentit, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, aq më mirë për Ramën. Në fund të ditës denigrimi i kuptimit të demokracisë përmes mekanizmave të tij konkretë dhe tallja me Kuvendin shkon në favor të një pushteti autokratik. Shikoni se ku kanë katandisur seancat e komisioneve parlamentare ku shumicën e kohës vetëm shahet e mallkohet opozita, ku drejtuesit e disa prej këtyre komisioneve janë të akuzuar direkt për vjedhje të deklaratave financiare të qytetarëve dhe bizneseve shqiptare apo për gjithëfarësoj aferash nga më të pistat. Në shumë raste nuk merren dot vendime e kështu komedia vazhdon. Mund të shohim seancat plenare me monologje të mërzitshme, pa rend e pa objektiv, vetëm për të lëshuar llum e baltë kundër palës së demokratëve duke u hakërryer e duke u betuar për ndëshkime të rënda ndaj kundërshtarëve politikë.
Shikoni përbërjen e seancave plenare, njerëz që lëvizin si marioneta, pa bosht dhe qëndrim të vetin, gjithnjë duke pritur me sytë nga Rama për veprimet e tyre, ndërsa fjalimet dhe deklaratat të një niveli skandaloz. Në përbërjen e trupës së të majtëve do të gjesh me shumicë nga ata parlamentarë që nga njëra parti kanë kaluar tek tjetra e më pas tek disa të tilla për të mbajtur të paprekura privilegjet. Me vetëdije të plotë Rama ekspozon në sallën e Kuvendit imoralitetin politik për t’u thënë shqiptarëve se ai përfaqëson një zgjidhje më të mirë se të paaftët që shfaqen në ato seanca të turpit pas largimit të opozitës. E pra, duke parë këtë mish-mash dhe katandisje të ulët të Kuvendit, Edi Rama e ka shumë të thjeshtë që të injektojë frymën e talljes dhe papërgjegjshmërisë që ka mbjellë vetë ndaj sistemit demokratik që në thelb nuk e ka dashur kurrë për shkak të tendencave të kaosit dhe rrëmujës që e karakterizojnë Kryeministrin në detyrë. Opozita duhet të jetë e vëmendshme ndaj degradimit të demokracisë që po nxitet cdo ditë nga Rama dhe nuk duhet të neglizhojë pasojat që mund të sjellë për sistemin e lirive dhe të drejtave të njeriut qëndrimi I Edvinit.
Në këto moment duhet vendimarrje e guximshme dhe e menjëhershme për përgjigje të fortë dhe të menduar mirë kundër dëshirës së të majtës për të eleminuar fizikisht dhe moralisht demokracinë perëndimore. Opozita duhet të jetë e përgatitur që Rama mund të anullojë sistemin parlamentar në emër të shtetit policor dhe të forcojë strukturat paralele të saj. Me këtë ide duhet të familjarizohet që këtej e tutje cdo demokrat. Shenjat janë plotësisht në favor të këtij konstatimi. Fatkeqësisht përpjekjet e Ramës që krahas rrëzimit të Kuvendit të rehabilitojë edhe krimin duke e vënë në një kandar me korrupsionin, madje duke thënë se korrupsioni është më I rëndë se krimi I organizuar është një tjetër shenjë ogurzezë që të con tek deklarata e Gjermanisë se krimi në Shqipëri është i lidhur me zyrat e shtetit. Në asnjë rrethanë juridike dhe ligjore dhe në asnjë nen të kodit penal apo germë dhe frymë të Kushtetutës nuk ka shenjë barazie mes krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Rama e ka më të lehtë të shpallë gjuetinë e shtrigave ndaj gjoja korrupsionit nën qeverinë e kaluar me qëllim amnistimin e krimit që e ka ftuar në Kuvend dhe kudo përreth tij, por kjo taktikë nuk duhet që të tolerohet nga opozita. Partia Demokratike nuk ka patur dhe nuk ka pse të ketë komplekse nga akuzat e Ramës për korrupsion, sepse ai këtë punë bën në gjithë historinë e tij në krye të PS-së, Bashkisë së Tiranës dhe tani si Kryeministër. Akuzon të tjerët për veprat që i bën vetë e më të cilat është i lidhur kokë e këmbë. Imagjinoni se cfarë ka bërë për Ilir Metën dhe videon e famshme që e shfaqi dhe e dërgoi në cdo kancelari europiane e ambasadë të huaj.
Organizoi 21 janarin e vitit 2011 ku iu vranë edhe katër njerëz dhe sot bashkëqeveris me kreun e LSI-së. Ky është morali i Ramës dhe nuk është aspak për t’u cuditur se si po kërkon që përmes gjuetisë së shtrigave ndaj demokratëve të mbulojë gjurmët e veta që e lidhin me krimin e organizuar, me tonelatat e drogës që zbarkoi në Itali, Gjermani e deri në Kolumbi në këtë vit të qeverisjes së tij. Rama me akuzat për korrupsion po mbulon lidhjet me krimin që mbajnë në krye të bashkive dhe komunave të rëndësishme të vendit njerëz që kanë paguar Kryeministrin të jenë aty ku janë deri në Parlamentin shqiptar. Kjo është e vërteta e një race të re “rilindasish” e që në realitet nuk është gjë tjetër vecse raca e krimit që ka mbërthyer cdo qelizë të shtetit shqiptar. Kur arrin ta thotë Gjermania këtë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe vetëm pak kohë pasi Rama u thirr nga Merkel që të hiqte dorë nga krimi, atëherë cdo gjë ka marë për keq dhe ditët e këtij pushteti mund të numërohen me gishta.















