Nga Besi BEKTESHI
Opozita shqiptare, ose më mirë të themi Partia Demokratike, ka dalë jashtë dyerve të Kuvendit të Shqipërisë, sepse deputetin Strazimiri, dy deputetë të PS-së e kanë qëlluar në korridoret e institucionit më të lartë politik të vendit. Pra e thënë qartë, “kauza e madhe” e kryetarit Basha, e Partisë Demokratike, është “dy grushta dhe një shpullë” të dy deputetëve jo qartësisht qytetarë të PS-së, dhënë një provokatori të qartë si Strazimiri.
Në përkthimin burrnor të ngjarjes, do të kishte qenë më mirë që dy “kalorësit” e PS-së, të ishin çuar në sallë dhe t’ja kishin dhënë shpullat Strazimirit aty në shesh të burrave. Unë ka gjetur dhjetra foto me rrahje shumë më të egra në parlamentet e Europës. Besoj se nuk do të kishte shkuar puna deri në këtë “sakrificë” të madhe të kryetarit të opozitës, zotit Lulzim Basha. Por unë besoj se kryetari Basha nuk e ka problemin te tre goditjet që ka ngrënë në korridor Strazimiri! Jo, nuk është ky arsyetimi. Basha nuk do, që të jetë zoti Berisha tashmë, ai që flet e flet në Parlament! Nuk duan as njerëzit (disa prej tyre që ju është mërzitur doktori) e dr. Berishës, që të luhet kjo pjesë teatrale groteske dhe e pamëshirshme për imazhin e PD-së. Në këtë mënyrë, u gjet Strazimiri dhe dolën edhe dy kalorës grushtaxhinj që nuk dijnë të përmbajnë veten, dhe në korridore ja fusin në mënyrë të çuditshme bam bam bam, kur ka pasur pak kohë për t’u ftohur situata, pikërisht nja dy-tre lapra, normalisht njeriut që provokon me fjalë si të grave të përmendura të lagjeve.
Sa janë rrahur në parlamente, në Itali, Ukrainë, Spanjë, Turqi, Ballkan, kudo dhe në botë, aq të mira paçim, por askush nuk ka bojkotuar Parlamentin, se një deputet është goditur me shpullë mbas qafe nga një koleg i veti! Rrahjet masive, gjaku nga hundët e thyera, dhe përleshja në sy të kamerave, është një model tashmë rrugaçërie në disa parlamente, por askush nuk ka bojkotuar. Rrahja ka vazhduar dhe në korridore dhe mbas disa kohësh, por askush nuk e ka bërë kauzë për të larguar partinë nga karriget e Kuvendit! Por këtë kauzë, ka marrë në dorë tashmë kryetari Lulzim Basha, dhe po e përdor si brenda vendit, edhe jashtë tij. Kjo është pikërisht kauza pa kauzë që “ka drejtimi i ri” i PD-së. Mungesa në Parlament e Bashës, mos kontrolli mediatik dhe në foltore i disa prej figurave tanimë të mënjanuara dhe në fokus për tu larguar nga protagonizmi, e detyrojnë zotin Basha të krijojë “kauza” me Strazimirin dhe kolegët e tij nga PS-ja, nëpër korridore. As ka ndonjë gjë të rëndësishme rrahja, as ka ndonjë burrni, as ka ndonjë kauzë të madhe në qëndrim dhe fjalë, por ka kapje mbas “preshit politik” që gjendet me shumicë në Kuvendin e Shqipërisë, për të bërë pastaj largimin nga foltorja të të vetëve dhe njëkohësisht për ta përdorur në Europë, si një mënyrë “demokratike” të të bërit opozitë. Për më tepër është se “i kërkohet Ramës” të thotë “më fal” për dy deputetët që ja fusin grushta dhe shpulla Strazimirit që flet qetësisht në telefon, mbasi ka bërë provokatorin e udhëzuar. Çfarë maskarade politike dhe çfarë kauze politike “alla Basha” si vizion i ri politik?!
Kauza e shpullave mbas qafe, është dhe vizioni i ri, është modeli Basha, i politikës së re. Është ajo politikë ndryshe, që Kryetari Basha ka nga kryetari Berisha. Janë dy pika uji të barabarta, por që kanë një dallim: Berisha do të kishte vepruar me forcë, në sheshe, piaca dhe me rrëmuja, kurse Basha me që e di se nuk mbush dot as një sallë “bën demokratin” e moderuar dhe krijon kauzë të qetë, nga e cila nuk flitet nga foltorja e parlamentit, por nga foltorja e PD-së të cilën e kontrollon Basha. Kur kauza e madhe opozitare është “rrahja” në korridoret e Parlamentit, është e kuptueshme se sa e sinqertë dhe e sigurtë është rruga e opozitarizmit në Shqipërinë e “erës Basha”!? Marrja e kauzave, lënie e tyre, harresa e njërës, futja pa rradhë e tjetrës, tallja me njërën për të degraduar tjetrën, mos respekti për njërën dhe përqeshja me tjetrën, është dhe mënyra e kalimit të opozitarizmit në SHQUP. Tani dikush ju ka thënë nga jashtë: Gjeni një kauzë se na mërzitet dhe Basha gjeti shpullën mbas qafe të Strazimirit! Çfarë kauze e madhe, dhe çfarë besimi i madh që mund të ketë njeriu në të tillë kauzë. Çfarë opozitarizmi? Megjithatë, “ata e dinë”!?
















