Shkruan: Adil Behramaj
Raskolnikovi është personazhi që Dostojevski në romanin e tij “Krim dhe Ndëshkim”, ia shoshit psikologjinë në kontekstin e trazirave politike dhe nxjerr në pah gjendjen e tensionuar dhe të turbulluar nga varfëria që kishte kapluar shoqërinë ruse. Me vetëdije të plotë, ai i shmangej qartësimit të kësaj gjendje, por pengohej në masë të madhe nga faktet që nuk mund t’i shmangte dhe duhej patjetër të stiste me fantazinë e tij e t’iu gjente shpjegim. Nuk çlirohej dot dhe kjo gjendje i stërzgjatet deri sa zhytet thellë në dëshpërim.
E duke ndjekur teorinë e tij për t’u çliruar, ai përqafon edhe idenë se çdo njeri që pretendon se ka qëllime fisnike, ka të drejtë t’i heq nga rruga të gjitha pengesat e tij, qoftë edhe në mënyrën më brutale. Pak a shumë, personazhin e tij, Dostojevski e paraqet me rrjedhë të çoroditur të mendimeve dhe shpeshherë të kapluar nga shqetësime deri në llahtari. Por, ai trajton edhe një mori të problemeve të mbuluara me krime, që nga kushtet e ekzistencës në shtresat e ulëta, deri te prostitucioni që e kishte katandisur si mosmëkeq shoqërinë…
Personazhi i Dostojevskit në aktualitetin tonë politik, deshëm ose jo, gjithsesi ta kujton pretendentin e mjegulluar të bllokut opozitar për kryeministër, që sot i paska akuzuar të tjerët për kriminalizim. Dikur edhe Haradinaj e kishte përqafuar idenë e heqjes së pengesave të tij pa zgjedhur shumë formë. Ai më 10 korrik të vitit 2000, në orën 1:30 të natës, bashkë me hordhinë e tij, të armatosur ia kishin mësyer një familje të tërë në Strellc të Deçanit për t’i qëruar hesapet. Ky në fakt është edhe botëkuptimi i tij për demokracinë dhe shtetin ligjor.
E ka qenë botëkuptim edhe i ish-trupërojave të tij, të cilët tash po dergjen nëpër burgje për krime, duke përfshirë edhe vrasje. Madje edhe vrasje të policëve, të cilët po hetonin vrasje të familjarëve të deputetëve, që sot janë pjesë e bllokut opozitar. Për t’ia rikujtuar pretendentit për kryeministër të bllokut opozitar, që sot ka dalur përtej vetes duke akuzuar të tjerët për kriminalizim, nëse i refrohemi shkrimeve të gazetave për betejen e tij të pasluftës në Strellc, në vendin e ngjarjes sipas zëdhënësit të UNMIK’ut, Brus Llojd, ishin gjetur gjurmë gjaku dhe thuhej se vëllezërit Haradinaj edhe ishin plagosur atë natë. Sipas raportimeve të gazetës “Zëri”, afër tyre kishte plasur një bombë, e cila kishte plagosur Dautin në këmbë dhe Ramushin në fytyrë. Kurse, në deklaratën e dhënë për Zërin, vëllau i pretendentit për kryeministër, Daut Haradinaj, i cili asokohe ishte edhe komandant i zonës së tretë të TMK-së, pranon se është kundërpërgjigjur me armë, duke zbrazur siç thotë ai 13 fishekë, por mohon se kanë qenë me tridhjetë persona, siç kishte deklaruar pala tjetër e përfshirë në incident, por vetëm me katër të tjerë. “Kam ardhur t’ju them se nuk ju kam hak as hile dhe mundësisht të ma leni familjen e qetë, sepse i kanë mërzitë e veta dhe nëse keni diçka, ejani tek unë dhe merremi vesh si të doni”, parafrazon në Zëri pretendentin për kryeministër, vëllau i tij Dauti, që t’i ketë thënë kryefamiljarit të palës së përfshirë në incident.
Paramendoni tash, pretendenti për kthimin e shpresës, me duar të pastra, margaritari i demokracisë dhe shtetit ligjor u ka thënë merremi vesh si të doni. Kjo “…si të doni” nënkupton i përdorim nëse doni stupcat, theremi ose edhe vrahemi. Kurse, sipas kryefamiljarit të familjes se sulmuar, atij porsa kishte dalur nga shtëpia i ishte drejtuar edhe arma në kokë duke e kërcënuar. E me rrahje, therje, prostitucion, plaçkitje dhe vrasje, nuk kanë qenë aspak mirë as komunat që janë udhëhequr prej njerëzve të tij. Peja p.sh., e cila njihet si streh e njerëzve të Ramushit ka lulëzuar prej krimit!
Nëse analizohen raportet vjetore të policisë, atëherë në komunat e udhëhequra prej njerëzve të AAK’së vërehet qartë qeverisja e “mirë” edhe për nga numri i madh i aktiviteteve kriminale dhe të kundërligjshme. Sa për krahasim, policia e Kosovës në vitet 2012-2013, në Pejën e qeverisur prej AAK’së ka pasur 9931 aktivitete operative. Kurse në komunën e Prizrenit, e cila ka dyfish numër më të madh të popullsisë se Peja, në të njëjtë periudhë kishte vetëm 7082 sosh. Pra, kriminalizimi është i vetmi bilanc i suksesit në qeverisjen e AAK’së.
E të gjitha këto jam më së i sigurt që edhe sikur të donte Ramushi që të harrohen, ka shumë që nuk i kanë harruar. Kjo është dëshmuar edhe ditën e zgjedhjeve, prandaj një miniaturisti politik me oreks të madh për pushtet në këtë bllokadë politike, nuk i ka mbetur asgjë tjetër pos t’i bllokoj edhe bllokuesit e tjerë. E këtë nuk ka qysh ta bëj ndryshe, përpos me marionetat e tij, të cilat gjuhë të vetme bazuar në botëkuptimin e Ramushit për demokracinë e kanë shantazhimin dhe kërcënimin.
Ky ishte botëkuptimi i tyre për shtetin ligjor në të kaluarën dhe vazhdon të jetë edhe tash!















