Para Françesku e shtyhu me forcë mohuese mendimin se Enver Hoxha edhe mund të rehabilitohej; sipas çmendurisë së enveristëve që janë sot në gjirin e maxhorancës të larë e të palarë bashkë; injorantë dhe ata që kanë lexuar vetëm gazetat e Enver Hoxhës dhe deklarohen historianë, pa e ditur realisht se çfarë është historia; apo disa të tjerë që e quanin Enver Hoxhën “lider i diktaturës”, a thua se kjo ishte shfajësim për diktatorin që instaloi tiraninë më makabre të Europës së pasluftës së Dytë Botërore: të gjithë bashkë u sfumuan nga karakteri tragjik që i dha Papa jetës së martirizuar nën diktaturën komuniste në Shqipëri. Por a do të kenë më kurajë këta “historianë” që ta përmendin ngritjen e figurës së tij?
Para së gjithash, këta nostalgjikë janë injorantë që nuk dinë fare se çfarë do të thotë një histori diktature, sepse në mendjen e tyre kanë, jo shkruarjen e re të historisë, por një histori tjetër për Enver Hoxhën. Çfarë do të thonë? Që ishte marksist një njeri, që për nga ngritja e intelektit dhe dijes nuk kishte mundësi që ta kuptonte Marksin. Që ishte patriot? Një njeri që personalisht me urdhër të tij vrau gjithë majat e intelektualizmit shqiptar për pushtetin e tij mediokër dhe tiranik deri në martirizim të shoqërisë. Çfarë do të thonë: që i solli zhvillim Shqipërisë? Kur i la shqiptarët 70 përqind bujkrobër që jetonin nëpër kasolle dhe punonin gjithë ditën për 3.7 deri në 4 lek në ditë. Shiheni se ku jetojnë ish-bujkrobërit sot: të paktën në 20 vjet bënë vilat e tyre. Po izolimi tërësor, si një nga veprat më shpërbërëse të Enver Hoxhës, si do të shkruhet, si sukses kombëtar? Turp që ta zgjasim, sepse edhe atë që thonë se ka drejtuar Luftën Nacional Çlirimtare, ai komandat i fshehur maleve, pas lufte, i vrau personalisht me urdhër të tij të gjithë liderët e Luftës Nacional Çlirimtare. Në fund të fundit, këtë tha edhe njeriu më paqësor dhe më human i Botës: “jeni të gjithë të martirizuar”. E pra, a do të këtë më kurajë grupi i shpëlarë që kërkonte të rishkruante historinë e Enver Hoxhës? Nuk e besoj…por ndërkohë më vjen edhe për të qeshur.
Nga Spartak Ngjela
















