Lumir Abdixhiku: Problemi i shqiptarëve në Maqedoni është shumë më i thellë se sa ky i shpërfaqur tani; në të vërtetë, procesi, protestat dhe në fund dhuna janë vetëm produkte të një politike regresive e anti-shqiptare të shpërfaqur atje tash e sa kohë.
Astrit Gashi: Protestat e ditëve të fundit i shoh jo vetëm si pakënaqësi të vendasve me vendimin e gjyqit, por më shumë me klasën politike dhe pozitën e shqiptarëve atje. Kësisoj nëse këto dy teza janë të vërteta, atëherë shtrohet pyetja se a duhet të kemi një parti të re të shqiptareve në Maqedoni dhe çfarë do të jetë ajo?
Shpend Kursani: BDI-ja si dhe përfaqësuesit tjerë politikë shqiptarë në Maqedoni janë përgjegjës për diskriminimin e shqiptarëve në Maqedoni po aq sa është Gruevksi. Ky i fundit është timonieri i politikës diskriminuese të shqiptarëve në Maqedoni, ndërkaq përfaqësuesit politik shqiptarë të pas viti 2001 janë bashkudhëtar në veturën e Gruevskit përplot politika diskriminuese në bagazhin e po të njëjtës veturë. Protestuesit në fakt me një vetëdije të lartë po e shfaqin këtë ndërlidhje nëpërmjet protestës së tyre drejtuar edhe subjekteve politike shqiptare. Duket se shqiptarët në Maqedoni e kanë kuptuar më mirë të vërtetën. E kjo e vërtetë e regjimit qeverisës në Maqedoni është sigurimi i pushtetit të Gruevskit përmes BDI-së, dhe sigurimi i pushtetit të BDI-së përmes Gruevksit. Protestat po e shpalosin këtë lidhje të papërshtatshme për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, ku subjektet politike shqiptare, veprojnë ngjashëm më ato subjekte maqedonase, në kërkim të rritjes dhe ruajtjes së pronës private përmes pushtetit që ia sigurojnë njëri tjetrit në shpinë të popullatës shqiptare por edhe asaj maqedonase. Është e qartë që ata e kuptojnë që nuk diskriminohen vetëm nga Gruevksi.
















