Nga Mero Baze
Protestat e shqiptarëve në Maqedoni kanë tejkaluar dje shkakun përse nisën dhe përpjekjet për infiltrime fetare, duke u rikthyer në kryeqendrën e shqiptarëve, në Tetovë, dhe duke u mbështetur nga thuajse gjithë qytetet shqiptare me flamuj kombetarë. Edhe pse nisën për shkak të procesit “Monstra”, ato duket se nuk kanë më lidhje me arsyen pse shpërthyen. Edhe pse startuan nga ndonjë oborr xhamije, ato nuk kanë sot më karakter fetar, edhe pse militantë myslymanë mund të depërtojnë mes tyre për marketing.
Protestat në Maqedoni duket se janë një problem i ri politik, më shumë për politikën shqiptare atje, se sa për pushtetin maqedonas, dhe nëse vazhdojnë me këtë ritëm, mund të gjunjëzojnë Maqedoninë, duke detyruar riformatimin politik të shqiptarëve.
Së pari, Bashkimi Demokratik për Integrim, apo siç njihet partia e Ali Ahmetit, po agresohet nga protestuesit në çdo qytet, pas një rezultati shumë të lartë që ka marrë në zgjedhjet e fundit, kur u shtir si parti nacionaliste, kundër Gruevskit dhe kandidatit të tij për president. Gjesti simbolik i BDI, duket se zbuloi ndarjen e thellë etnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe ata i dhanë asaj partie maksimumin e mbështetjes.
Por, pas fitores ata panë se arsyeja për të cilën votuan, u kthye në një gënjeshtër banale dhe arrogante, me BDI duke rihyrë në qeveri dhe duke rinjohur e lëpirë çfarë ishte pështyrë në fushatë. E gjitha ngjau me një lojë kalamanjsh, ku në fund, Ali Ahmeti, i qeshur duket sikur u thotë votuesve: “ua hodha dhe këtë herë”. Kjo ka shaktuar zemërim tek ajo pjesë që ka votuar BDI jo si militante, por si qytetarë të irrituar nga padrejtësitë sociale dhe etnike.
Në këto kushte BDI e Ali Ahmetit, është duke shpresuar si PPD e dikurshme para konfliktit të vitit 2001, se ata që janë në rrugë, nuk kanë udhëheqës dhe nuk mund t’i rrëzojnë. Ky mentalitet mund t’u kushtojë shtrenjtë, pasi rruga dhe mali nuk vuajnë kurrë për komandant.
Së dyti, partia opozitare me BDI, e kryesuar nga Menduh Thaçi, është vendosur në një pozitë edhe më qesharake. Në deklaratën e djeshme, Menduh Thaçi duket sikur ishte gati bodigardi i qeverisë dhe pushtetit shqiptaro- maqedonas, duke i dhënë vetes atribute që nuk ja kanë dhënë shqiptarët.
“Ne i mbështesim protestat, mirëpo ne jemi edhe koka intelektuale dhe racionale e kombit shqiptar këtu. I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që mos ta humbin shpresën tek procesi demokratik, dhe e dyta mos ta humbin shpresën tek aleatët tanë perëndimorë, NATO-ja, UE-ja dhe SHBA-ja”, tha
Thaçi.
Kjo deklaratë është për t’u pasur zili nga çdo zëdhënës pushteti dhe statukuoje në Maqedoni. Ata që janë në rrugë, as që u hyn në punë fakti që Thaçi dhe Ahmeti mund të vetëquhen “koka intelektuale dhe racionale”, edhe pse s’janë të të tillë. Ata që janë në rrugë nuk janë as intelektualë dhe racionalë, por revolucionarë, që duan një përgjigje për zhgënjimin e tyre. Në rastin konkret ata nuk kanë gjë me Thaçin, se nuk e kanë votuar, por me BDI që ua mori votat si anti-maqedonase dhe pastaj e përdori këtë për të forcuar pozitat në pushtetin maqedonas.
Së treti, VMRO, si parti në pushtet në Maqedoni, është më e qartë se Ahmeti dhe Thaçi për rrezikun e protestave. Ata shikojnë më qartë se dy partitë politike shqiptare, nuk kanë autoritet mbi protestat dhe nuk janë as pas tyre dhe as mbi to. Kjo ka detyruar Gruevskin të hidhet vetë në betejë, duke sulmuar mediat shqiptare që mbështesin protestat, siç është Alsat i Maqedonisë apo portale të tjera me ndikim. Dy partite politike shqiptare nuk kanë më asgjë në dorë, as protestuesit, as medien, dhe as ndonjë ide si duhet dalin nga kjo situatë.
Ndryshe nga e premtja, kur protestat nisën nga disa xhami, dhe kur ndonjë flamur jeshil arab të dëshpëronte më shumë se Gruevski, dje protestat nisën nga sheshet e qyteteve dhe sidomos nga Tetova. Flamujt shqiptarë u bënë imazhi kryesor i tyre, dhe zhgënjimi nga partite politike shqiptare, u bënë motivi i tyre. Nëse vazhdon kështu, me ndihmën e rrjeteve sociale dhe medias së pavarur, ato mund t’i bëjnë Maqedonisë, atë që nuk i ka shkuar në mendje as Gruevskit, as Ahmetit dhe as Thaçit. Protestat nuk kanë lidhje më aq shumë me procesin “Monstra”, edhe pse ai proces gërvishti një plagë të vjetër, që ka të bëjë me diskriminimin e tyre. Protestat kanë të bëjnë më shumë me monstrat politike, që i kanë braktisur njerëzit dhe kanë shitur besimin e tyre. Kanë të bëjnë me pazarxhinjtë.















