ARBEN MANAJ
Më kot u lodha, ndërsa shikoja kronikën e Top Channel-it, të shtunën në drekë, për të parë ambasadorin tim në Londër, në konferencën e tërë ambasadorëve të Shqipërisë nëpër botë të ftuar në Tiranë, ku foli edhe Kryeministri.
Pas shkëmbimit të disa mesazheve, mësova se ai ishte në Tiranë, por jo në Konferencë, si tërë kolegët e tij, por në një dasmë.
Arsyeja ishte përjashtimi i tij nga konferenca, si Ambasador i Shqipërisë në Londër, por edhe për ambasadorët tanë në Itali dhe Bosnjë.
Ka një histori tashmë të identifikuar dhe regjistruar të luftës për qaf-heqjen e ambasadorit shqiptar në Londër, Mal Berisha, nga qeveria e re.
Kjo histori u bë më evidente dhe sikletosëse në kohën e vizitës së Ramës në Londër, kur ai takoi Kryeministrin Cameron, për të cilin e kam shkruar plot indinjatë në atë botë, se përbënte një gafë diplomatike, mospjesëmarrja e ambasadorit në delegacionin zyrtar në takim.
Të jem i sinqertë mendova se Rama, të paktën, do të dinte të sillej herën tjetër pak më me diplomaci dhe do të shmangte për hir të dinjitetit të shtetit, riciklimin e incidenteve të kësaj natyre.
Rama ka tërë të drejtën e pashkruar politike të kërkojë heqjen e Berishës (ambasadorit) nga posti i tij në Londër për një mijë e një arsye, përfshi këtu, edhe ato për militantizëm politik në emër të një kronizmi apo militantizmi tjetër partiak.
Por në një shtet serioz ka procedura. E nëse këto procedura dhe demarshe, qoftë edhe zyrtare, dështojnë po për një mijë e një arsye institucionale apo edhe politike, sërish ato nuk e justifikojnë sjelljen jodiplomatike për çështje të diplomacisë.
Nëse ka probleme të shkeljes së kodit etik nga një iks apo ipsilon ambasador, do të ishte konveniente për qeverinë, por edhe tërë publikun, të kishte minimalisht një transparencë maksimale për këtë shkelje të supozuar të etikës së sjelljes dhe të justifikohej një masë e këtillë administrative apo sanksion politik, faktikisht, ndaj një ambasadori.
Dhe mbi të gjitha, të hidheshin letrat në tavolinë, që të paktën publiku të mësonte se vërtet ka të drejtë Rama apo Bushati, që filan ambasador bën atë që ata pretendojnë se bën ose kanë bërë.
Unë e di që korrespondenca ekziston për të gjitha episodet, dhe në këtë rast, nuk ka nevojë as për australianin Asanzh e as për amerikanin Snowden të merren vesh kabllogramet mes Tiranës dhe kryeqyteteve të caktuara problematike.
Rama ka shumë të drejtë kur thotë se opozita e djeshme ishte kthyer në shënjestër të diplomacisë së vendit tonë në vendet kyçe të BE-së dhe SHBA-së. Po ashtu, ka po aq shumë të drejtë edhe sot, të thotë se diplomatët nuk duhet të kenë në shënjestër opozitën e sotme, (qeverinë e djeshme).
Por është paradoksale për vizionin tim të paktën, që ndërkohë që kërkohet të mos sulmohet opozita e sotme, e njëkohësisht, të trajtohen me kaq poshtërim sa në konferencën e kësaj fundjave, ambasadorët e emëruar në kohën e opozitës që në fund të fundit, janë ende deri në një vendim të dytë ambasadorë të Shqipërisë.
Jo tjetër, veçse mossinqeritet, nuk më vjen gjë tjetër ndër mënd, krahas parehatisë intelektuale se ne nuk do të arrijmë të bëhemi ndonjëherë shtet me kode të tilla sjelljeje publike.
E ndërsa Rama deklaronte përpara kryediplomatëve se “ndihem mirë, që nuk ndihem më keq, për ju”, nga kjo konferencë e trupit diplomatik dhe nga sjellja ndaj përfaqësuesve ende zyrtarë dhe kryediplomatëve të Shqipërisë në disa shtete që nuk u ftuan si “kulak diplomatik”, edhe unë personalisht, ndihem keq që nuk ndihem mirë për Kryeministrin.
Dhe ja pse ndihem keq: Ndihem keq, pasi praktikisht në Londër, ambasadori është kthyer në “ambasador këmbësor”, siç i quajti dje ata të dikurshmit Kryeministri, jo se shoferi i tij nuk pyet për ambasadorin, por se Tirana ia ka hequr shoferin ambasadorit në Londër.
Ndihem keq pasi, kur ambasadori im në Londër kërkon të lobojë, siç do duhet të bënte një ambasador normal i çdo vendi tjetër, në median britanike në BBC apo edhe atë ndërkombëtare si CNN, udhëzimi paradoksal nga Tirana është që të mos flas për këto media, në prag të marrjes së statusit!!!
E përse?! Sepse atë e ka emëruar Sali Berisha!!
Ndihem keq, kur ambasadori im kërkon të lobojë për statusin e vendit kandidat në Republikën e Irlandës, e sërish udhëzohet nga Tirana që jo. E përse? Sërish, ndoshta sepse nuk është ambasadori ynë, por i Berishës!
Who cares, zoti Rama! Shqipëria nuk është vetëm juaja dhe imja, por edhe atyre të Sali Berishës.
Unë dhe ju, nuk kemi të drejtë të mendojmë se jemi më patriotë se ata që politikisht janë kundër nesh. Unë nuk mendoj se ai që ka qenë ambasador, p.sh., përpara mikut tim Ilir Gjoni e ka dashur më pak si ambasador Shqipërinë, dhe nuk mendoj se Iliri (të më ndiej se po i përmend emrin, pasi atë e njoh dhe absolutisht për asnjë arsye tjetër) dhe çdo ambasador i ri për hir të argumentit, do të jetë i sterilizuar politikisht dhe nuk do ketë doza militantizmi politik dhe partiak.
Se janë paksa të tillë, që është deri-diku normale, ndaj edhe janë aty. Kështu ka qenë dhe kështu do të duhet të jetë gjithnjë e më pak, tash e tutje.
Të them të drejtën, kur erdhi ministrja e Integrimit, zonja Gjosha në Londër përpara marrjes së statusit, në takimin në Forin Ofis, vura re që në atë takim ishte edhe ambasadori shqiptar, i cili nuk ishte, kur u takua Rama me Kryeministrin Cameron. Me shaka dhe cinizëm i thashë ambasadorit: “Ju, vazhdoni akoma të jeni në koalicion me LSI-në?”
Diplomacia transformative për të cilën sapo flet Kryeministri do të duhet të fillojë nga ndërtesa te bërryli, që të mos kemi më luftë bërrylash dhe të eliminojmë bërrylat, që merren me diplomaci, por që në këto pozita kyçe, të kemi njerëz profesionistë të mirëfilltë e të përkushtuar, pa dallim feje, krahine apo ideje politike, pasi e kundërta e saj, veçse diplomaci nuk do të ishte, e tërë ata ambasadorë të pranishëm në atë takim në Tiranë këtë fundjavë, kam frikë se do të kenë të njëjtin fat si, ambasadorët e trekëndëshit Romë-Londër-Sarajevë, pas qeverisë që do të pasojë atë të sotmen.















