Nga Dr. Mine BALLIU
Në auditor, kohët e fundit, m’u desh ta përsërisja shpesh në fund të orës së mësimit frazën për studentët se ndoshta nuk e ndjeni veten të vlerësuar në Shqipëri, por ju vleni për botën. Ideja ishte që ai pesimizëm në auditor, i kapluar prej vitesh, duhët të merrte një goditje, ndoshta ironike, ndoshta edhe në formë tangente, por duhej goditur patjetër.
Forma më e bukur ishte ringjallja e shpresës nëpërmjet protestës nga vetë studentët. Ata kuptuan se sado ngushëllime të marrin, shpesh edhe nga ata që i shkaktojnë pakënaqësitë ndaj tyre, nuk do e zgjidhin dot situatën në të cilën këta të rinj ndodhen.
Unë marr përsipër sot të jap një ide për të cilën studentët mund të më shajnë e ta përçmojnë “si zgjidhje idiote”, ndoshta edhe mund të jetë e tillë por shpresoj që jo.
Ju vetë e dini se me çfarë fryme jeni edukuar nga familja, deri në çdo qelizë tjetër shoqërore. Ju duhet thjesht të diplomoheni! Po ju këtë doni? Thjesht të diplomoheni?! Nëse doni këtë gjë, atëherë jepini fund protestës. Ama nëse doni që të tregoni se jeni ju ata që zgjedhin e që mund të marrin përgjegjësinë e vetes, atëherë mos u ndalni sepse ju vleni për botën e Shqipëria nuk duhet përjashtuar prej saj. Zgjidhja ime drastike do ishte: Braktiseni këtë vit akademik! Ndoshta është zgjidhje në kurrizin tuaj, por më besoni keni mbajtur gjithë këtë kohë në kurrizin tuaj peshën më të madhe dhe nuk jeni ndjerë. Nëse doni që edhe nesër të bartni këtë peshë atëherë kënaquni me një lugë çorbë që do vijojnë t’jua ofrojnë sot. E di që është kosto e madhe për ju të zhpenzoni një vit akademik me protesta, por është më mirë se të shpenzoni gjithë jetën tuaj nën thundra nga ata që duhen vënë nën thundër.
Studentë mos kërkoni mbështetje nga askush, as nga prindërit e as nga pedagogët, as nga politika sepse sot jeni ju ata që vendosni. Prindërit nuk i kuptojnë dot këto “dalldisjet” tuaja, sepse frika i ka mposhtur me kohë. Pedagogët i kuptojnë, por ushqehen prej jush e politikanët ushqehen me të gjithë ne. Sot keni mundësinë e përgjegjësinë që ju të bëni të ardhmen tuaj dhe padyshim që ju mundeni!P
















