Kryeministri i Kosovës, njëherësh ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për thirrjen e parë për gjykim që ka marrë nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.
Haradinaj ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të mos i vihen prangat para se të paraqitej para këtij institucioni të drejtësisë, pasi një gjë të tillë e konsideronte poshtërim.
“Nëse dikush do të kishte provuar të më turpëronte, të më vinte pranga apo diçka, kam mundur t’i mëshoj allti në lule të ballit”, ka deklaruar Haradinaj.
“Nëse bëni filma, keni për të parë filma”, ka kujtuar të ketë paralajmëruar ai.
“Më kanë thënë: ‘Nuk e kemi interes ta poshtërojmë Kosovën, e as ty. Jemi respektues ndaj teje’”, ka treguar Haradinaj.
“U thashë: Mos i vini pranga kujt. Nuk jemi as qyqana, as flliqtana”, ka kujtuar shefi i ekzekutivit të vendit.
“E dimë se kemi luftuar. Këtu jemi”, ka kujtuar të ketë deklaruar Haradinaj, i cili ka thënë t’i ketë siguruar ndërkombëtarët se nuk do t’i ikën drejtësisë.
“Po të më poshtëronin, do të merrte kah tjetër”, ka thënë Haradinaj, në T7.
Haradinaj ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se me Rugovën është marrë vesh për qeverisjen e vendit në pranverën e vitit 2004, pas trazirave të marsit të atëhershëm.
Shefi i ekzekutivit ka kujtuar se me Rugovën ka biseduar pas një takimi që kishin pasur figurat e vendit me zyrtarët perëndimorë.
“Më tha: ‘Ramush bre, të pata vetë më 2001… A po i bëjmë bashkë institucionet’”, ka kujtuar Haradinaj t’i ketë thënë Rugova.
“Çka po ta merr mendja, në vjeshtë?”, i kishte thënë Rugova, Haradinajt, ka treguar ky i fundit.
Haradinaj ka thënë t’i jetë përgjigjur pozitivisht ofertës së Rugovës.
“I thashë: Po, nëse na dalin numrat, për hair na qoftë”, ka kujtuar Haradinaj. “Ia kam dhënë dorën, e shikova në sy”, ka theksuar ai.
Haradinaj për rrahjen me ushtarët rusë: I grushtova i pari
Kryeministri Ramush Haradinaj ka folur për rrahjen me ushtarët e Rusisë në Kosovë.
“Problemi ka qenë se rusët nuk kanë qenë forcë paqësore. Ata erdhën dhunshëm”, tha Haradinaj.
“Për Rahovec edhe Pejë unë kam qenë pjesë e kundërshtimit mos me i lanë me hy”, tha ai.
‘Ata disa herë kanë tentu me bo veprime të tilla”, shpjegoi ai.
Me një prej këtyre raste, ishte Haradinaj ai që kishte godit një ushtar rus.
‘Kanë dalë plot rusë dhe unë s’kam dashtë me u ndalë. Njëri e kapi Ahmet Isufin. Kur e pashë që e kapi Ahmetin më kcej filmi. E kam godit i pari unë me grusht dhe syzet e diellit ia ngula në diell. Atëherë më s’ka pasë çka me bo”, shpjegoi ai.
























