Daut Dauti
Ardhja e televizorit në mesin tonë ka qenë ngjarje e madhe. Të gjithë flisnin për kutinë magjike e cila u bë kontakti jonë i parë vizual me botën. Më së shumti me këtë temë, në mënyrën tonë, merreshim ne fëmijët. Nëse e kishim parë televizorin, ua përshkruanim njëri tjetrit se si dukej dhe çka kishim parë në te. Kisha vetëm gjashtë vjet dhe ende nuk kisha filluar të shkoja në shkollë kur për herë të parë jam takuar me televizorin në shtëpinë e një kushëririt tim në Preshevë. Në atë kohë për mua asgjë nuk ka qenë më interesant dhe asgjë tjetër nuk më mrekullonte më shumë se ai. Mendoja aq shumë për të sa kisha dëshirë të qëndroja gjithmonë para tij.
Pas darkës, me babain tim shkonim në bibliotekën e qytetit për të shikuar televizorin. Rruga më dukej e gjatë dhe mezi prisja të vinte momenti të ulesha para tij. Kur mbërrinim te ndërtesa e bibliotekës, ngjiteshim shkallëve për në katin e dytë. Atje, në njërën nga dhomat ishte i vendosur Ai. Babai mundohej të gjente vend në rendin e parë në mënyrë që unë të kisha pamje më të mirë.
Televizori qëndronte i vendosur mbi një tavolinë të vjetër këmbët e së cilës më dukeshin të dobëta. Afër tavolinës rrinte ulur një burrë me mustaqe dhe beretë të zezë mbi kokë. Ai kujdesej për televizorin dhe vepronte sipas kërkesave të publikut në sallë. Ia lëshonte apo ia ndalte zërin televizorit dhe shpesh e sillte një rrotë që gjendej anash në televizor kur i humbte apo i dobësohej fotografia. Unë atëherë mendoja se ai duhej ta ruante televizorin në rast se tavolinën do ta lëshojnë këmbët delikate. Në rast se do të ndodhte kjo e keqe, televizori do të përplasej në dysheme, do të thyhej dhe ne do të trishtoheshim se do të mbeteshim pa të.
Salla gjithmonë mbushej me njerëz të cilët uleshin në disa karrige të cilat nuk ishin në gjendje më të mirë se sa tavolina e televizorit. Ato nga çdo lëvizje e atij që qëndronte ulur lëshonin ngërrcimat e tyre, herë solo, herë si nga një kor i paharmonizuar.
Ma babanë mbërrinim aty disa minuta para se të fillonin lajmet e mbrëmjes dhe të vetmet që jepeshin përgjatë një gjysmë ore. Në këtë kohë salla buçiste nga njerëzit që bisedonin dhe mezi dukeshin nga tymi i dendur i duhanit. Kur në ekran dilte një glob që sillej e përcillej me një melodi buçitëse, ishte shenja se po fillonin lajmet. Sallën e kaplonte një qetësi e heshtje, e cila prishej herë – herë nga kërkëllimat e dërrasave të dyshemesë mbi të cilat njerëzit me shpejtësi shkelnin e fiknin bishtat e cigareve duke u koncentruar në ato që vinin nga kutia e ekrani i televizorit.
Kur ndaleshin globi e muzika, në ekran dilte një burrë i krehur, i veshur mirë, me kravatën e domosdoshme, me dukje serioze e solemne. Shpesh ndodhte që në vend të këtij burri të lajmërohej një grua e bukur me një timbër të ëmbël zëri. Që të dy lexonin lajmet nga një grumbull i paluar letrash të gjysmës së formatit A4, të cilat, kur kryhej të paluara i vendosnin afër telefonit duke i rrotulluar ngadalë dhe si me naze. Kur letrat vendoseshin aty, ndërrohej edhe fotografia dhe dilnin pamje nga diku jashtë dhomës së lajmeve.
Ky moment i paslajmeve për mua paraqiste pjesën më interesante, sepse shihja vende dhe njerëz të ndryshëm. Lajmet nuk i kuptoja pasi që ishin në serbisht, por kjo nuk më pengonte që të ngjitesha për ekrani me sy dhe vëmendje të përqëndruar. Mjaftonte të shihja çkado dhe pastaj tërë kohën ta vrisja mendjen se çka ishte ajo që kisha parë, kush ishin njerëzit dhe ku ishin ato vende?
Mua më dukej që lajmet kryheshin shpejt dhe koha prej gjysmë ore fluturonte si të ishin dy tre minuta. Në përfundim lajmërohej globi duke u sjellë edhe një here dhe duke i lënë vendin rikthimit gradual të zhurmave në sallë, Ky ishte momenti kur në sallë gradualisht niste zhurma, shiheshin flakët e çakmakëve si vetëtima dhe sallën e kaplonte sërish tymi i duhanit.
Njerëzit çoheshin nga karriget me pamje të fytyrave të brengosura. Duke u lëshuar shkallëve, fillonin komentimin e lajmeve. Kur zbrazej salla, karriget mbeteshin të çrregulluara pasi që kishin dalë nga vija apo rendi ku kishin qenë më parë. Rreth karrigeve mbeteshin duqet e cigareve të shpërndara thua se vendin e kishte goditur një breshër i shkurtër kokërrmadh. Jashtë ndërtesës vazhdonte muhabeti dhe njerëzit këtë situatë e shfrytëzonin që në shenj respekti të shkembenin cigaret ose kutitë e duhanit me njëri tjetrin.
Bëhej luftë diku. Këtë e dija edhe unë pasi që në televizor i shihja ushtarët e armatosur duke sulmuar. Shihja tanke dhe aeroplanë. Njerëz të vdekur e të plagosur. Njerëzit shprehnin frikë se lufta mund të na kapte edhe neve. Lufta bëhej diku larg por nuk i dihej pasi që ajo mund të shpërndahej shpejt. “Lufta është si zjarri. Ndizet lehtë por është vështirë të ndalet. Dhe, shpejt ajo e merr dynjanë” – i dëgjoja me frikë kur flitej për këtë rrezik.
Lufta bëhej në Vietnam, siç mora vesh më vonë. Është larg nga ne, më thoshte babai duke dashur që të ma hiqte frikën. Larg po, e dija këtë gjë, por sa ishte larg? Atëherë nuk e kisha të qartë saktësinë e nocionit largësi. Nuk kisha ide se ku i binte ky vend që quhej Vietnam pasi që nuk njihesha ende me hartat dhe gjeografinë.
Sot, kur kam parasysh njohurinë për Vietnamin dhe sidomos komplikimet e botës së atëhershme të ndarë në dy blloqe tejet antagoniste, e shoh se vërtetë kam pas të drejtë që jam frikësuar.
Kur kam filluar të shkoj në shkollë kam zgjeruar rrethin e shokëve. Me këtë edhe mundësinë e shikimit më shpesh të televizorit. Bëheshim grupe shokësh dhe e caktonim vendin, ditën dhe kohën ku do të shkonim për të shikuar televizorin.
Nuk kisha bërë me shumë se dy tre muaj në klasë të parë kur kjo punë ndryshoi. Një ditë, kur u ktheva nga shkolla, vërejta një atmosferë hareje në shtëpi. Vëllezërit dhe motrat kërcenin nga gëzimi dhe e përqafonin njëri tjetrin. Babai kishte shkuar të blinte televizor. Ky lajm për mua ishte aq i mirë sa që më dukej i pabesueshëm.
Menjëherë dola ta pritja babain te dyert e oborrit dhe më vonë në fillim të rrugës nga ku mund ta shihja kthimin e tij nga larg. Lajmi u shpërnda shpejt dhe papritmas aty u mblodhën shumë fëmijë të lagjes. Edhe për ta ishte më lehtë sa tashti nuk do të shkonin larg pas televizorit. Pritnim me padurim. Kjo ishte ndodhi për t’u mbajtur mend. Të gëzuar bisedonim por unë nuk i heqja sytë nga rruga e lagjes cila në fund lëshohej teposhtë dhe merrte kthesën për në qendër të qytetit.
Për shkak të pjerrtësisë së madhe që niste atje ne fillim të rrugës, kur njerëzit drejtoheshin për në lagjen tonë, dukeshin sikur që mbinin nga toka. Ashtu disi, atë ditë, e pritja edhe ardhjen e babait tim me televizor. Në një moment pashë plisin dhe më vonë edhe kokën e babait tim që po dilte në horizont sikur dielli kur lind. Ai ishte vetë. Ecte më ngadalë se herëve tjera kurse pas i shkonte një njeri. Duke u ofruar pamë se njeriu ishte njëri nga ata jevgjit që punonin si hamall. Hamallët rrinin në grup para vetëshërbimit të madh që ishte në qendër të qytetit, nga ku nuk ishin larg dyqanet tjera.
Vrapuam në drejtim të tyre. Hamalli mbi një lloj samari që e barte në shpinë e kishte vendosur televizorin të cilin e kishte mbuluar me një batanije pasi që ishte dimër dhe fluskat e borës kishin filluar të shfaqeshin në ajër. I dolëm pas hamallit por nuk e shihnim televizorin. Edhepse nuk kishte më shumë se dy tri lloj televizorësh, ne dëshironim ta dinim ç’farë marke ishte.
Bora që shpeshtoi të binte kishte krijuar një shtresë mbi të cilën në një moment hamallit i rrëshqitën këmbët. Hamalli u luhat majtas dhe djathtas duke u ruajtur që të mos rrëzohej. Megjithatë, nuk e mbajtën këmbët dhe ra në dy gjunjë. Babai reagoi shpejt dhe e mbajti për krahu që të mos shtrihej përtokë. Vrapuam edhe ne fëmijët që ta mbanim se nëse rrëzohej, na thyhej televizori. Me ndihmën e babait hamalli u ngrit dhe mori veten. Sa shumë ia zura për të madhe babait që kishte marrë hamallin më të dobët që ta barte këtë gjë shumë të çmueshme…
Te dera e shtëpisë, aty ku fillonin shkallët, hamalli ktheu shpinën dhe ngadalë e vendosi samarin në njërën shkallë. Pasi e hoqi samarin, zgjidhi litarin që e kishte lidhur televizorin mbi batanije, dhe pasi mori paratë, iku i gëzuar. Por ne ishim më të gëzuar se ai. Nga aty, babait i ndihmoi nëna dhe e bartën televizorin deri në dhomë. Pasi e vendosën mbi tavolinë, ia hoqën batanijen dhe doli pamja e plotë e televizorit. Në pjesën e djathtë të ekranit, në mes të pullave i shkruante marka me shkronja të vogla shtypi të ngjitura: atlas. Nën te, me shkronja të shkrimit, me bukurshkrim: De Luxe.
E shikonim të gjithë sikur të ishte ndonjë nuse e bukur që sapo kishte zbritur nga qerrja e kuqe e martesës. Pas një kohe babai u tha fëmijëve të lagjes që të shkonin në shtëpitë e tyre pasi që televizori nuk do të lëshohej në funksionim edhe për do kohë. Sipas instruksioneve të shitësit, televizori, për shkak të lagështisë që kishte mundur ta merrte rrugës, do të duhej që të qëndronte një kohë deri sa të adaptohej me nxehtësinë e dhomës. Për këtë arsye e lëvizëm tavolinën së bashku me televizorin, afër koftorit që kërciste nga flaka duke liruar nxehtësi. Nëna për ta ngrohur sa më parë objektin e ri në shtëpinë tonë sapo e kishte mbushur me dru.
Ardhja e televizorit në shtëpinë tonë krijoi ndryshime të mëdha. Së pari i humbi rëndësia radio-gramafonit të markës Portorož që e kishim që moti. Edhe fizikisht televizori zuri vendin më të rëndësishëm në dhomën më të mirë që kishim në shtëpi. Mbi të nëna ime vendosi tentene që ishin punëdore të saj. Mbi tentene vendosnim ndonjë vazo apo saksi me lule, por pa ujë, apo edhe fotografi nga më të mirat që kishim. Aty vendoseshin edhe paratë me ndonjë porosi për blerje të ditës dhe gjësende tjera. Televizori u bë edhe pika kryesore orientuese në shtëpi. Afër televizorit, në të majtë, djathtas, pas apo para tij, ishin shprehjet kur përcaktonim pozitën e diçkaje në dhomë.
Me përkushtim të madh uleshim para tij me sy e gojë hapur dhe mendje të përqendruar. Me padurim prisnim orën 5 kur fillonte programi dhe dëshpëroheshim në orën 10 kur përfundonte. Gjyshja ime e prekte shpesh televizorin dhe konstatonte se ishte nxehur tej mase dhe kërkonte ta ndalnim. Ajo brengosej se televizori po harxhonte shumë rrymë, çmimi i së cilës i dukej shtrenjtë. Me kalimin e kohës gjyshja qe shndërruar në një lloj polici moral dhe ushtronte censurë. Kur shfaqeshin dy njerëz, të gjinive të kundërta, dhe kur i afroheshin njëri tjetrit me shikime të ndezura, ajo nxitimthi ngritej, e bënte gati gishtin tregues në dorën e saj të zgjatur dhe e shtypte atë pullën që e fikte televizorin. Kur shtypej pulla, ekrani vetëtonte dhe shkonte duke u mbyllur. Ky proces zgjaste disa sekonda dhe përfundonte me një pikë ngjyrë argjendi mu në mes të ekranit që venitej gradualisht. Madje, gjyshja mendonte se ishim “budallisur” pas televizorit. Po, kush e dëgjonte gjyshen. Televizori ishte më i rëndësishëm se gjyshja…
Sado që prindërit mundohen t’i kënaqin fëmijët e tyre, ata dinë edhe t’i dëshpërojnë. Leje që babai nuk e nxirrte antenën mbi kulm por ai një ditë bëri edhe një veprim tjetër që mua nuk më pëlqeu. Në njërin kënd të dhomës, në një lartësi ku ne fëmijët nuk e arrinim dot, ai me disa dërrasa ndërtoi një lloj rafti mbi të cilin e vendosi televizorin. Nga ky moment, vetëm ai, nëna dhe gjyshja, kishin kontroll të hapjes dhe mbylljes së programit televiziv. Dëshpërimi nuk zgjati shumë pasi që pas një kohe edhe ne fëmijët u ngopëm me te dhe nuk na dukeshin interesante të gjitha programet.
Natyrisht, më së shumti gëzoheshim kur bëhej ora 7:15 se atëherë vinte koha e filmave vizatimorë. Zakonisht jepeshin Tomi dhe Xheri që ne e shqiptonim së bashku: Tomixheri. Mua më pëlqenin edhe seritë “ Oliveri dhe Hardi” apo “Stalio dhe Olio” të aktorëve Stan Laurel dhe Oliver Hardy por që ne i quanim “ i holli dhe i trashi”. Edhe seritë e Charlie Chaplin-it dhe burleskat e ngjashme më pëlqenin shumë. Zot, sa shumë qeshnim. Qeshnim derisa detyroheshim ta mbanim barkun me dorë. Në këto raste intervenonte gjyshja sa për të na e përkujtuar neve fëmijëve se këto gjëra nuk ishin të vërteta.
Gradualisht u njohëm me emrat e aktorëve botëror dhe atyre jugosllav në mesin e të cilëve kishte edhe shqiptarë. Një gjë e këtillë na dispononte, na e zgjeronte horizontin e njohurive dhe ndikonte që të na lindte një dëshirë apo ambicie se edhe ne një ditë mund të bëheshim sikur ata që i shihnim në televizor.
Mbrëmjeve, vonë pas darke, shpesh në dhomë mbetesha me babain duke e shikuar televizorin. Ai e përcillte një seri, emri i të cilës nuk më kujtohet, por e mbaj mend se ishte franceze dhe bëhej fjalë për jetën e njerëzve diku në një fshat të Francës. Në këtë kohë unë arrija t’i lexoja titrimet në serbisht, të cilën gjuhë, duke iu falënderuar televizorit, e mësoja gjithnjë e më shumë. Mendoja se gati e kisha arritur babain tim në shumë aspekte. E shikoja televizorin dhe shpesh edhe babain. Rrezet e ekranit reflektoheshin me intervale në fytyrën e tij e cila në këto momente shëndëriste nga nuancat e ngjyrave bardh e zi. Kjo bënte që mua fytyra e babait të më dukej më e dashur e më madhështore.
Teknologjia televizive dhe ajo e televizorit në atë kohë ishin në themelim e sipër dhe kishin mjaft të meta. Shpërndarja e valëve nuk ishte adekuate dhe kjo bënte që njerëzit të harxhonin shumë kohë duke i lëvizur antenat poshtë – lart ose djathtas – majtas. Televizorët prisheshin shpesh. Ishte e çuditshme që në disa raste, për një kohë të shkurtër, rregulloheshin me grushtime. Kur destabilizohej apo humbte zëri ose fotografia, dikush ngritej dhe i binte grusht apo shuplakë kornizës së drunjtë në pjesën e epërme apo anash. Pastaj, vinte zëri ose fotografia. Kur grushtimet nuk bënin punë, dihej që televizorin duhej çuar te mjeshtri.
Dhjetori ishte stina e televizorit. Dyqanet që shitnin televizorë dhe ato qe i rregullonin kishin shumë punë. Disa ditë para vitit të ri njerëzit blinin televizorë më shumë se ditëve tjera. Ata që i kishin të prishur, nxitonin për t’i ndrequr. Ishte e pamundur që gjatë këtyre ditëve, kur dilje në qytet të mos shihje nga disa njerëz të ngarkuar me televizorë. Për shkak të festës së vitit të ri programi televiziv ishte më i pasur dhe njerëzit dëshironin që kjo të mos u mungonte.
Batanija ishte një gjë tjetër që shkonte bashkë me televizorin. Për shkak të transportit dhe për shkak të ruajtjes së televizorit nga të reshurat apo nga ndonjë lagështi eventuale, batanija qe bërë pjesë e pandashme duke u shndërruar në lloj ambalazhi ikonë e televizorit. Shtrihej batanija dhe në te vendosej televizori i cili mbështillej dhe në maje lidheshin nyje. Në nyje kapej batanija nga një person dhe fillonte bartja. Shpesh ndodhte që televizori të bartej nga dy persona. Në këtë rast batanija kapej ose anash ose në mes të saj vendosej një dru në formë llozi të cilin pastaj dy persona e hidhnin në krah dhe ecnin, njëri para e tjetri prapa duke i përcjell me kujdes hapat e njëri tjetrit.
Mesi i muajit korrik i vitit 1969 me siguri ka qenë koha kur televizioni ka arritur kulmin e shikueshmërisë deri atëherë. Anija kozmike amerikane e misionit Apollo 11 ishte nisur për në hënë. Të gjithë e kishim parë këtë moment. E përcjellnim çdo ditë lëvizjen e saj dhe flitnim vetëm për këtë temë. Çdo ditë shihnim pothuaj se të njëjtën pamje filmike që ishte një raketë e cila në bisht lëshonte tym dhe zjarr duke nxituar qiellit përpjetë. Unë atëherë isha 9 vjeç.
Nata e vonë e 20 korrikut dhe mëngjesi i hershëm i 21 korrikut do të mbetej përherë në kujtesën time. Atë natë kishim shumë mysafirë në shtëpi. Njerëz të afërm të familjes dhe lagjes sonë kishin ardhur që ta shikonin zbarkimin e njeriut të parë në Hënë. Kjo ishte koha kur çaji sapo ishte bërë pije e përditshme në shtëpitë tona. Atë natë nëna ime kishte huazuar gota të çajit nëpër fqinj, sepse ato që kishim ne nuk mjaftonin. Me dy palë gjygyma e përgatiste nëna çajin. Një palë mbi shporet dhe një mbi një resho që e kishte vendosur mbi disa tulla në korridor.
Në dhomën e mbushur plot njerëz, rrija ulur në prehër të babait tim dhe mundohesha ta kapja çdo moment të transmetimit. Pasi që ngjarja po zgjatej, atë natë disa herë më mori gjumi por zgjohesha pas dremitjeve të shkurtra me frikë se do të më ikte ngjarja. Dikur, pas mesnate, i bëra sytë qiqër pasi që momenti final po afrohej. Më në fund, erdhi koha kur anija u ndal mbi sipërfaqe të hënës dhe pas një kohe doli astronauti i parë. E dija që quhej Neil Armstrong. Dhe, erdhi momenti kur ai i tha fjalët që nuk do të harroheshin kurrë: Një hap i vogël për njeriun por i madh për njerëzimin. Ndoshta nuk e kam kuptuar në tërësi domethënien e kësaj fjalie por e dija se kjo punë ishte e madhe. Më vonë doli edhe astronauti i dytë, Buzz Aldrin. I treti, Micheall Collins, nuk doli fare nga anija.
Këto ishin çastet kur në dhomë nuk lëvizte dhe nuk bëzante askush. Qetësi, sikur dhoma të ishte e zbrazët. Nata e asaj vere ishte e nxehtë dhe sapo kishte filluar të lajmërohej freskia e mëngjesit. Nga dritaret e hapura të dhomës dukej hëna të cilën e shihja edhe në televizor. Për herë të parë e shihja hënën “live” në dy mënyra. Atë natë më dukej që shkëlqente më shumë se herëve tjera. Disa herë më shkuan sytë nga hëna edhepse e dija që nga dhoma nuk kishte mundësi të shihej as anija e as kozmonautët të cilët në televizor lëviznin me hapa të gjatë e të ngadalshëm në një mënyrë gjysmë fluturimi. I mahnitur duke e shikuar herë hënën e herë televizorin, më zuri gjumi.
Të nesërmen për këtë ngjarje do të fliste i tërë qyteti por më së shumti ne fëmijët. Pritnim kthimin e astronautëve në tokë. E dinim se ata do të sillnim me vete pjesë të hënës. Mendonim se ato pjesë i kishin prerë më brisk pasi që hëna nga toka na dukej sikur një rrotë gjigante e djathit. I kishim pa krateret e këtij planeti kur anije kozmike u lëshua ngadalë në sipërfaqe. Ato ngjanin në vrimat e djathit.
Me hapjen e Radio Televizionit të Prishtinës, televizori u bë edhe më i rëndësishëm për ne. Brenda pak kohe ai depërtoi në të gjitha shtëpitë. Numri i njerëzve tanë që punonin në shtetet e Perëndimit u shtua dhe me këtë edhe numri i televizorëve që sillnin ata me vete kur ktheheshin për pushime në shtëpi. Kjo ishte koha kur televizorët me ngjyra filluan t’i zëvendësojnë ata bardh e zi që kishim deri atëherë. Këta televizorë, të prodhuar kryesisht në Gjermani, e kishin edhe një të mirë tjetër. Nuk prisheshin gati asnjë herë. Edhe roli i batanijes filloi të bëhej i panevojshëm.
Kjo ishte koha kur unë mendoja se babai im ishte i pavdekshëm.















