Nga Alfred Lela/
Puna e parë e Lulzim Bashës si kryetar bashkie ishte rehabilitimi i sheshit “Skënderbej”. Asokohe, edhe ai vetë ishte i ndërgjegjshëm se ndërhyrja ishte e përkohshme. Kritikë të shumtë i mësynë ‘planit Basha’, duke i gjetur të meta te forma, përmbajtja, te kuçi e maçi. Sulme personale për një punë publike, e cila megjithëse joperfekte, ishte prapë punë. Pavarësisht kundërshtive, për tre vjet ai rehabilitim i siguroi qytetit pak më shumë gjelbërim, pak më pak ndotje dhe një estetikë të re.
Erion Veliaj, kryebashkiaku i ri i Tiranës ka rikthyer para pak ditësh një plan të vjetër rehabilitues, i cili do ta shndërrojë përfundimisht sheshin me emrin e madh dhe të ndërluftuar politikisht (dhe estetikisht) në këto 25 vite hibriditeti demokratik. Edhe plani i Veliajt është takuar që në shpallje me kritikët e vet. Në një analizë aktuale dhe të ftohtë, na duhet të bashkojmë dy cepat e dy logjikave: Asaj të z. Basha se ndërhyrja ishte e përkohëshme (lexo: duhet bërë një ndërhyrje tjetër finale në shesh), dhe kritizerët e shumtë të të dyja ndërhyrjeve. Nevojitet kjo për të arritur në përfundimin e parë, se ndërhyrja në shesh duhet bërë, dhe këtë nuk do e kundërshonte as ish-kryebashkiaku; dhe në të dytin, se kritizerët janë të përhershëm, e për këtë mund të dëshmojnë si Basha ashtu dhe Veliaj.
Nuk mendojnë, as unë dhe as ata, dhe as ti që lexon këta rreshta, se do kishte ndonjë ndërhyrje në çdo hapësirë publike në qytet, që do të merrte miratim unanim nga opinionbërësit apo opinioni publik. Thelbi i demokracisë ky është: Vendimet merren me 50 plus 1. Që do të thotë se fituesi i zgjedhjeve ka legjitimitet në zgjedhjet që bën dhe e merr përgjigjen për to në zgjedhjet e radhës.
Përtej kreshpërimit që ka sjellë përballja për parkun e fëmijëve, në 8 muajt e qeverisjes së z. Veliaj mund të dallosh më së paku një zell për punë. Dy hapësira publike të rehabilituara si parkingje bashkiake, me standarde bashkëkohore, një te stadiumi “Qemal Stafa” dhe një te Stadiumi Dinamo janë dy punë të mira. Jo vetëm si një riestetizim i hapësirës, por edhe si rifunksionalizim i saj.
Ndërhyrjet energjike, me asfaltim-sistemim, në disa rrugë të rrahura si në ish-Bllok, Myslym Shyr etj., janë gjithashtu një shenjë që lexohet si seriozitet në raport me premtimet e bëra gjatë fushatës së qershorit të shkuar. Sistemimi i hyrjes kryesore të Tiranës nga rrethrrotullimi i Doganës deri te rrethrrotullimi i Zogut të Zi, duhet pranuar se e prezanton këdo që i afrohet Tiranës me premtimin se po futet në një qytet normal.
Një premtim i Veliajt për furnizim 24 orë me ujë të kryeqytetit ka kaluar pa komente, ndoshta edhe për faktin se ngjan utopik. Por nëse arrin të heqë nga vija e horizontit të qytetit depozitat e ujit mbi tarraca pallatesh, këtë shenjë të madhe të një vendi të pazhvilluar, ai do të ketë lënë një gjurmë të pashmangshme e të përhershme, sa kulla e Sahatit.
Kryebashkiaku, ka premtuar dy punë publike për dy qershorët e ardhshëm: Parkun këtë vit dhe sheshin “Skënderbej”, në tjetrin. Puna e parë është njollosur, sa nga përleshjet antagoniste, fizike ose jo, aq edhe nga një fragmentarizim në prezantimin e planit të saj. Ka kafe, nuk do ketë kafe; nuk ka beton, ka beton; nuk ka pemë të prera, ka pemë të shkulura, i ngulën kësaj pune publike thikat e një akti jo dhe aq publik.
Duhet pritur qershori tjetër, për të parë shestimin e sheshit të ri “Skënderbej”. Ndërkohë, kritikat ndaj Veliajt do vazhdojnë dhe shumë prej tyre, fatkeqësisht, do të jenë të llojit të kahershëm e të çdohershëm të ‘vrasjes karakteriale’. Vetëpërmbajtja na sugjeron se një qeveritar duhet gjykuar nga punët e bëra apo ato të pabëra, dhe jo nga hamendësimet, konspiracionet me Soros dhe anekdotat me fiq.
Në rreth 8 muaj qeverisjeje të Tiranës, megjithë nismat kundërthënëse në taksim etj., Erion Veliaj ka dëshmuar vullnetin për punë dhe për të lënë shenja. Nëse, siç zakonisht thuhet për qeverisjet kur nuk ka kaluar shumë kohë, ‘është herët për të folur’, bilanci i tij i tejkalon 8 muajt.
Veliajt i pëlqen t’i identifikojë nëpër studio televizive kritikët apo mosmbështetësit e tij. Mbështetja nuk është personale, por shkon për punët e bëra dhe kontributin për publiken. Kritikat gjithashtu nuk duhet të jenë personale.















