Kreshnik Spahiu
Shtatë ditë në SHBA dhe larg vendit të tij për një kryeministër janë shumë. Ndoshta asnjë kryeministër i huaj nuk e viziton SHBA kaq gjatë. Jo shtatë, por edhe 2-3 ditë do mjaftonin që kryeministri i një shteti të kishte një axhendë të pasur vizitash dhe takimesh.
Gjatë kohës që Beogradi u ndez flakë nga 11 heronjtë KuqeZi dhe kur kjo ngjarje u shndërrua në një konflikt me përmasa botërore ai ende vazhdonte turizmin politik në SHBA, duke mos ndjerë peshën e përgjegjësisë politike dhe diplomatike të skandalit.
Mediat heshtën dhe vazhdojnë të mos guxojnë të flasin mbi vizitën e dështuar një javore të kryeministrit shqiptar në SHBA. E vërteta nuk mund të fshihet duke zbardhur disa dritëhije që koha do i provojë:
1. Vizita 7 ditore e Edi Ramës në Boston shënon udhëtimin e nivelit më të ulët diplomatik dhe politik të një kryeministri që nga koha e Ismail Qemalit 1912
2. Kryeministri Edi Rama nuk u lejua të udhëtoj në Washington ku ndodhen kongresi, senati, Departamenti i Shtetit, Shëpia e Bardhë dhe gjithë administrata qëndrore
3. Kryeministri Rama madje u refuzua edhe nga senatorë apo kongresmenë lokal të shtetit Massachusetts
4. 7 ditë takime u zhvilluan vetëm në piceritë dhe restorantet e emigrantëve apo diasporës shqiptare
5. Ambasadori amerikan Arvizu i cili ndodhet aktualisht në SHBA nuk doli ta priste dhe nuk e ka shoqëruar gjatë vizitës së tij
6. Vëllai i kryeministrit Rama, Olsi Rama që ka 23 vite që jeton në Amerikë nuk e priti dhe nuk qëndroi me kryeministrin, por preferoi të udhëtonte në Beograd për të parë ndeshjen
7. Qeveria amerikane ka refuzuar t’i krijojë protokoll zyrtar dhe nuk i kanë garantuar asnjë grup shoqërimi të delegacioneve të zakonshme në rast pritjesh diplomatike në nivel kryeminstrash
Dështimi i kësaj vizite në rastin më të mirë do kish qenë një udhëtim pastrimi parash dhe biznesi personal, por fatkeqësisht informacionet e shumë shërbimeve diplomatike shprehin dështimin e një tentative për të realizuar takime zyrtare të cilat u refuzuan. Biznesmeni dhe politikani grek, Anastas Angjeli nëpërmjet Fondacionit grek Kokalis financoi udhëtimin dhe lobuan që të bliheshin disa takime të nivelit të lartë; por njeriu i cili refuzoi që Shqipëria të demontonte armët e sekuestruara nga SHBA në Siri, tashmë rezulton i padëshiruar në qarqet amerikane. Përpjeket për ta blerë SHBA-në me paratë e Anastas Angjelit nuk mund të kompromentonin seriozitetin e shtetit amerikan. Ai tashmë ka nisur fluturimin mbi atlantik, por në kthmin e tij drejt lindjes. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do udhëtojë drejt Beogradit dhe sigurisht jo në picëritë e shqiptarëve, sepse në këtë rast ata nuk do e pranonin në derë. Për Edi Ramën këtë radhë dyert e “vëllezërve” serb do jenë më mikëpritëse se dyert e “miqve” kosovarë. Ai do jetë pikerisht atje në shtetin më anti-amerikan dhe më anti-shqiptar, SERBI. Edhe këtë radhë ai udhëton për vehte si në SHBA, por me një ndryshim që Vuçiç dhe Daçic nuk do e refuzojnë si Obama. Madje këtë radhë do na shfaqet në Top Channel-in e tij si “Rilindasi” që po ngrin flamurin në Beograd, por fatkeqësisht është shumë i vonuar sepse Rilindasi i vërtetë e ngriti në Beograd kur ai ndodhej i vetmuar përtej oqeanit. Rilindasi i vërtetë e ngriti flamurin dhe zemrat e shqiptarëve madje edhe si mysafir i paftuar nga Vuçiç dhe Daçiç.
















