Ndersa jemi ne 70-vjetorin e Çlirimit te vendit, ngjarjet dhe debatet ne vend jane intensifikuar. Ne kete kuader, gazeta Dita, permes historianit Paskal Milo zbulon nje fakt te panjohur deri me tani.
Enver Hoxha eshte takuar dy here me gjermanet, te cilet i kane kerkuar kompromis ish-komandanit te pergjithshem te forcave partizane.
Ja cfare shkruan Milo:
Dobësia e Ballit dhe e Legalitetit ishte se ata gabuan në strategji e në taktikë, se duke mos dashur e patur vullnet për të luftuar pushtuesin, bashkëpunuan me të për të mos harxhuar forcat e për t’i ruajtur për në fund, për betejën finale për pushtet e që nuk erdhi kurrë. Balli shkoi tek pushtuesit gjermanë e për këtë faktet e dokumentet jo vetëm shqiptare, por edhe të huaja, janë të padiskutueshme e të njohura.
Por ndofta të panjohura ose pak të njohura janë dy fakte të tjera: I pari, që pas Mukjes, Hysni Lepenica, Skënder Muço, Isuf Luzaj, Uan Filipi e të tjerë, pjesa më aktive, më e re, më radikale në kuptimin e luftës së armatosur të Ballit, kërkuan bashkëpunim me PKSH e Lëvizjen Nacionalçlirimtare për të përmbysur udhëheqjen qëndrore të tij e për të luftuar së bashku pushtuesit gjermanë. Në shtator 1944 përfaqësues të lartë të Ballit Kombëtar zhvilluan bisedime të fshehta me delegatë me mandat të PKSH e të Frontit Nacionalçlirimtar për të bashkëpunuar, me kusht që t’u falej jeta.
Fakti i dytë, udhëheqja komuniste e partizane nuk shkoi, siç bëri Balli, të kërkojë marrëveshje me pushtuesit, por ishin gjermanët që shkuan e kërkuan kompromisin me Lëvizjen Nacionalçlirimtare të paktën me sa është e dokumentuar, dy herë. Përpjekja e parë u bë kur trupat gjermane hynë në Shqipëri. Komanda e tyre i propozoi udhëheqjes së Lëvizjes marrjen e pushtetit, krijimin e qeverisë me kushtin që forcat gjermane të mos sulmoheshin sa kohë që ato të qëndronin në Shqipëri.
Moment i dytë ishte në mars 1944, kur Komanda e Lartë Gjermane kërkoi e dërgoi në Panarit të Korçës një oficer të lartë për bisedime me Shtabin e Përgjithshëm, për të nënshkruar një marrëveshje. Gjermanët i kërkuan të mos sulmoheshin e pengoheshin trupat e tyre që të kalonin nëpër Shqipëri me destinacion Greqinë, dhe në këmbim ata do t’i dorëzonin Lëvizjes Nacionalçlirimtare “gjithë pushtetin politik e ushtarak”. Në të dy rastet Shtabi i Përgjithshëm i hodhi poshtë propozimet e përfaqësuesve gjermanë dhe u deklaroi atyre se Ushtria Nacionalçlirimtare ishte aleate me anglo-amerikanët dhe do t’i luftonin deri në fund forcat pushtuese gjermane në Shqipëri.
Kategoria e dytë e kundërshtarëve të emërtimit e të përmbajtjes të Luftës Nacionalçlirimtare kanë qenë përkrahësit e “Shqipërisë së Madhe” nën pushtimin fashist, si një rrugë e mundësi për realizimin e Shqipërisë etnike. Ata kanë patur e kanë një gjykim të ngushtë, të gabuar e tepër naiv për konceptin e lirisë, për natyrën e fashizmit dhe mungesë njohurie për të drejtën ndërkombëtare e bazat e së drejtës mbi të cilat u ndërtua Aleanca e Kombeve të Bashkuara.














