Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto ka folur sot në Parlament për projektet e reja rrugore që janë me prioritet për tu përfunduar nga Qeveria.
Gjatë një interpelance në Kuvend me kërkesë të deputetëve të majtë ministri i transporteve tha se me një shumë prej 5.5 miliardë lekësh që është rishpërndarë për sektorin e transportit, do të mbështetet përfundimi i një sërë rrugësh të rëndësishme për vendin nga veriu në jug.
Ministri renditi disa nga rrugët në të cilat është investuar gjatë këtij viti dhe që pritet të mbyllen përfundimisht, konkretisht rruga Durrës- Rrogozhinë, Lushnjë- Berat, Unaza e Tiranës, Milot-Morinë, Bregu i Jonit, rruga Lin-Pogradec, si dhe një sërë rrugësh në Alpet e Veriut të vendit.
Ai tha se është rritur fondi me 4.3 herë për rritjen e sigurisë rrugore dhe eliminimin e pikave të zeza, investime të cilat dhanë impakt të dukshëm dhe evident në uljen e numrit të aksidenteve. Shumë rrugë janë inauguruar para kohe nga qeveritë, siç është edhe inaugurimi i autostradës Kukës-Morinë, që sipas të dhënave ka edhe 7 ura që janë ende pa u përfunduar.
“Ndarja është bërë dhe ne jemi prezantuar edhe në komisionet përkatëse për këtë. Më lejoni të përmend disa nga projektet që janë përfituese të kësaj vlere të re të rishpërndarë në rrjetin tonë rrugor. Mund të përmend by pass-in Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, që do të përfitojë prej tij, segmentin Lushnje Berat; rruga Qaf Thanë-Pogradec, rrugën në urën e Matit, rrugën Kukës-Morinë; Unazën e re të Tiranës, zgjerimin e rrugës së Elbasanit, segmentin në Valbonë, Milot-Fushë Krujë, rrugën e Arbrit, veprën e papërfunduar atje, segmentin Korçë-Ersekë, gjithashtu përfitues do të jetë edhe segmenti Porto-Romano Durrës”, tha ministri Haxhinasto gjatë një interpelance në Parlament.
Ministri shtoi se në total investimet në infrastrukturën rrugore llogariten në 23.4 miliard lekë, që rezultojnë ndër më të lartat e planifikuara ndonjëherë. Edhe në projektbuxhetin e vitit 2015 që u prezantua pak ditë më parë Ministria e Transporteve ishte institucioni që do të merrte edhe buxhetin më të madh, në krahasim me Ministritë e tjera.















