Një shtetas egjiptian përfundoi në pranga, si i dyshuar për vjedhjen e energjisë elektrike.
Mësohet se Tamer Abdi Fattaha Mursi, 42 vjeç, banues në Vlorë, me shtetësi egjiptiane, u arrestua në kushtet e flagrancës, për shkak se gjatë kontrollit të sistemit të furnizimit me energji elektrike të fabrikës së prodhimit të çorapeve pronë e tij, rezultoi se kishte ndërhyrë në aparatin matës.
Kontrolli i fabrikës është pjesë e aksionit, që po kryen prej 3 javësh policia lokale në mbështetje të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, për të identifikuar dhe për të parandaluar vjedhjen e energjisë.
Një ditë më parë, u arrestua në flagrancë me të njëjtën akuzë edhe 52 vjeçari, Xhevair Xhelili, banues në fshatin Dukat, për shkak se kishte kryer një lidhje të paligjshme për të furnizuar me energji elektrike banesën e vet.
Gjatë tre ditëve të fundit janë evidentuar më shumë se 20 raste të vjedhjes së energjisë elektrike. Gjatë këtyre veprimeve janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre dhe janë arrestuar edhe katër ish-punonjës të OSHEE-së.















