Një suedeze 36 vjeçare është bërë femra e parë në botë që ka lindur pas transplantimit të mitrës.
Në një artikull të publikuar sot në revistën mjekësore britanike, “The Lancet”, mjekët thanë se gruaja kishte lindur pa mitër, megjithëse vezoret i kishte të padëmtuara.
Në operacionin e kryer nga mjekët në Universietin Gothenburg, kësaj gruaje i është transplantuar mitra nga një femër 61-vjeçare, mike e saj familjare. Një vit pas transplantimit, mjekët kanë implantuar një embrion të ngrirë dhe ka pasuar shtatzënia.
Foshnja djalë ka lindur para kohe në muajin shtator, afro 31 javë të shtatzanisë dhe peshonte 1.8 kilogram. Nëna dhe foshnja gëzojnë shëndet të plotë.















