Në Prishtinë janë të licencuara 29 çerdhe private të cilat funksionojnë me leje të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, mirëpo për një gjë të tillë Komuna e Prishtinës nuk ka të dhëna.
Drejtoresha e Arsimit në kryeqytet, Arbërie Nagavci, ka thënë se nuk ka informata se sa kopshte kanë leje nga Ministria e Arsimit, pasi sipas saj, këtë informatë nuk ua ka siguruar MASHT-i i cili është kompetent për një gjë të tillë.
“Për kopshtet private është kompetente Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë. Për fat të keq ne ende nuk e dimë se sa çerdhe private janë të licencuara. Kolegia jonë Fitore Pacolli ka kontaktuar me zyrtarët kompetentë në MASHT, 3 muaj papara, kur ka biseduar me Osman Shahinin që është kompetent për çerdhet private, ka kërkuar të dijë se sa çerdhe, sa prej tyre janë të licencuara, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje prej tij”, ka thënë Nagavci.
Ajo ka thënë se meqë ka qenë me interes të Komunës që të dijë këtë informatë, vet kryetari Shpend Ahmeti i ka dërguar një letër ministrit Ramë Buja, me të njëjtën pyetje.
“Përsëri nuk kemi marrë përgjigje dhe insistimi jonë ka qenë edhe për shkak të kërkesës së prindërve dhe natyrisht të drejtës së tyre për të ditur se cilat janë të licencuara e cilat jo. Pra jemi në një situatë kur nuk e dimë për shkak se nuk e kemi një përgjigje zyrtare të MASHT-it dhe ata janë kompetent për licencimin e çerdheve private”, ka thënë ajo.
Por, nëse kopshtet kanë licencë apo leje të punës nuk janë të interesuar as vet prindërit.
Ejona Icka e cila e ka fëmijën e saj në një nga kopshtet private në kryeqytet, ka thënë se në këtë kopsht e ka dërguar për disa arsye ndër të cilat edhe orari më i përshtatshëm si dhe përkujdes më i madh ndaj fëmijës.
“Jo, vetëm në kopsht, por mbi të gjitha nuk më ka interesuar shumë licenca, më shumë më ka interesuar ambienti ku fëmija im do qëndroj, menyja dhe përgatitja e mësueseve. Këto tria kanë qenë pika shumë të rëndësishme për mua që unë të zgjedh një kopsht. I kam shikuar edhe kopshtet publike por përsëri kushtet në kopshtet private kanë qenë më ë kënaqshme dhe e ndjeja veten më rehat se fëmija im do ishte më i sigurt këtu”, ka thënë ajo.
Mirëpo, një gjë të tillë e ka mohuar këshilltari i ministrit të Arsimit, Arbër Morina, i cili ka thënë se MASHT-i ia ka dërguar Komunës së Prishtinës të dhënat për kopshtet private si dhe për gjendjen e tyre.
Ai ka theksuar se deri më tani janë të licencuara kopshte private vetëm në Prishtinë por ka shtuar se ky numër mund të lëvizë pasi që departamenti që merret me këtë çështje mund të pranojë çdo ditë kërkesë për licencë një institucion të ri.
“Në bazë të shënimeve që i kemi ne si Ministri e Arsimit, përkatësisht Divizionit përkatës që merret me këto çështje, këtë vit janë të licencuara 29 çerdhe private në Komunën e Prishtinës. Këto janë punë rutinë që i bënë divizioni, nuk mund të dihet asnjë herë numri i saktë se për shkak s numri ndryshon i atyre varësisht prej punës dhe varësisht se ku ata i plotësojnë kushtet, por kryesorja është që Ministria e Arsimit e ka rregulluar infrastrukturën ligjore, përkatësisht Udhëzimin Administrativ që i përcakton qartë kriteret e licencimit të çerdheve private dhe Divizioni i MASHT-it merret me këtë çështje në mënyrë permanente”, ka deklaruar ai.
Morina ka shtuar se këto institucione monitorohen vazhdimisht nga komisioni i MASHT-it i cili përbëhet nga ekspertë të fushës dhe në rastet kur ndonjë institucion nuk i plotëson kushtet e kërkuara me Udhëzim Administrativ, institucionit i tërhiqet vërejtja apo edhe mund të mbyllet.
Morina: Kush nuk i plotëson kriteret MASHT-i nuk e licencon
“Sigurisht MASHT i ka caktuar, i ka formuar komisionet profesionale të cilat merren ekskluzivisht me këto çështje, dhe këto komisione janë të përbëra nga njerëz profesional që merren me këto çështje, inxhinier që e vlerësojnë gjendjen e infrastrukturës por edhe anëtarët tjerë që merren me anën pedagogjike profesionale të këtyre dhe ata e bëjnë në këtë çështje, janë të përfshirë edh inspektorët e arsimit të cilët në bashkëpunim me këtë divizion marrin hetimet dhe e konstatojnë gjendjen. Ne nuk mund të themi ka raste kur çerdhet nuk i kanë plotësuar kushtet, komisioni i Ministrisë së Arsimit ua ka tërhequr vërejtjen dhe nëse pas tërheqjes së vërejtjes për plotësimin e kushteve nuk janë përmirësuar ato, atëherë Ministria e Arsimit, respektivisht inspektorati e ka marrë vendimin për mbylljen e tyre. Por kjo po them është një procedurë e cila është në vazhdimësi dhe është një punë rutinore e Ministrisë së Arsimit, normalisht për aq sa ka kompetenca ligjore”, ka deklaruar ai.
Mirëpo, licencimi, funksionimi dhe mbyllja e një institucioni edukativ arsimor parashkollor privat në Republikën e Kosovës rregullohet me Udhëzimin Administrativ numër 6/2011 të datës 14 shtator 2011.
Sipas nenit 2 të këtij udhëzimi, MASHT-i është kompetent për licencimin e institucioneve edukativo-arsimore parashkollore private derisa sipas nenit 3, kushtet dhe kriteret për licencim janë: kërkesa për licencim, struktura organizative e institucionit, arsyetimi për fillimin e veprimtarisë së institucionit, historiku i shkurtër i institucionit, hapësira e mjaftueshme për fëmijë etj.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...
















