Shqipëria, edhe pse vend i vogël, është vendi i parë të cilin Ati i Shenjtë, Papa Françesku, e viziton në Evropë.
Jo vetëm në Shqipëri i janë gëzuar kësaj vizite. Në një anketë të KosovaPressit, qytetarët në Prishtinë e shohin këtë si një vizitë të një rëndësie të madhe që do të ndikojë të respektohet edhe feja islame nga fetë e tjera.
Sipas Astrit Gjocajt, Papa është njëri që e dëshiron lirinë.
“Çdo njëri që vjen në vizitë me qëllime të mira, është i mirëseardhur te ne”, ka thënë ai.
Vizitën e Papës në Shqipëri e ka quajtur si të nevojshme qytetari Ferat Muli, nga Vushtrria. Ai ka thënë se Papa Françesku është njëri me shumë rëndësi në gjithë botën. Kurse, Bajram Kastrati, qytetar nga Prishtina, u shpreh se vizita e Papës është krenaria më e madhe për kombin shqiptar.
“Vizita e Papës është një mrekulli që i bëhet Shqipërisë e në këtë kuadër bëjmë pjesë edhe ne””, ka thënë Kastrati.
Papa Françesku do të jetë nesër (21 shtator) në Shqipëri, vizitë kjo e konfirmuar qysh më 15 qershor të këtij viti. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë marrë të gjitha masat për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së aktiviteteve të programuara në kuadër të vizitës së Papa Françeskut në Tiranë. Për sigurinë e tij do të kujdesën gjithsej 2500 Policë.














