Një shishe uji e harruar në vrimën e hapur në murin e pasëm të bankës, tradhtoi grabitësin Roland Liti. Një shenjë gishti e lënë nga 37-vjeçari çoi në zbulimin e tij. Ai ishte skeduar dhe dënuar më herët nga gjykata për vjedhje dhe grabitje.
Sa herë është arrestuar për vjedhje, Liti justifikohej se ishte në gjendje të dehur. Të dhënat e policisë tregojnë se një ditë pasi kanë kryer grabitjen, sëbashku me Alan Babameton, Roland Liti ka dalë rreth orës 19:41 minuta në drejtim të Malit të Zi nga pika kufitare e Muriqanit, me makinën AA 702 DX.
Katër ditë më vonë 23-vjeçari Babameto është rikthyer në Shqipëri vetëm, ndërsa 37- vjeçari Liti zyrtarisht figuronte të ishte ende në Mal të zi pasi nuk ka kaluar në mënyrë legale në pikën kufitare për të humbur gjurmët.
Por policia e arrestoi atë në Tiranë mesditën e 31 Gushtit sëbashku me dy shokët e tij, siç duket dhe nga kjo video, ku 38-vjeçari ndodhej në një lokal me Robert Kullën.
Policia po heton edhe për hyrjen e paligjshme të tij në Shqipëri, ndërsa për grabitjen nuk ka dyshime, pasi provat që e implikojnë janë të pakundërshtueshme. Robert Kulla po hetohet se ka ndihmuar dhe ka bashkëpunuar në grabitje me qëllim përfitimin e një pjese të shumave monetare të grabitura.
Policia i’u sekuestroi në total autorëve të dyshuar rreth 60 milionë lekë të vjetra. Alan Babameto shfaqej në rrjetet sociale si “Tony Montana”, duke pozuar me vetura luksoze dhe armë. Personi që shihni në foto është një prej grabitësve që është fiksuar në brendësi të bankës, i arrestuar tashmë nga policia sëbashku me dy persona të tjerë.
Bëhet fjalë për Roland Litin (Zekaj ), 38-vjeçari i cili dyshohet se në bashkëpunim dhe me një person tjetër, të ketë hyrë në bodrumin e një biznesi privat dhe më pas të ketë kryer grabitjen përkatësisht në data 5 dhe 6 Gusht.
Sipas versionit përfundimtar të policisë, Roland Liti Zekaj sëbashku me Alan Babameton, kanë hyrë nga kjo portë jeshile dhe kanë dalë nga mbrapa bankës, në parkingun privat ku dhe ndodhej dritarja me telat pjesërisht të hapura, pasditen e së premtes datë 5 Gusht sëbashku me veglat dhe ushqim kanë qëndruar në bodrum për dy ditë.
Ata dyshohet se fillimisht nga pjesa e brendshme kanë ndërruar fishekun e derës së ish pab-it në bodrum, që të mos hynte njeri dhe më pas kanë tentuar të hapin me çekiç, daltë, dhe kriko murin në pjesën lindore të dhomës, për të depërtuar më mirë në brendësi, por kanë hasur në beton dhe në këtë moment rreth orës 20:15 është aktivizuar alarmi i sensorit sizmik i instaluar në dhomën kasafortë, çka përbën tentativën e parë për çarjen e murit. Pas kontrollit të përciptë të drejtorit të bankës dhe shefit të sigurisë nuk është konstatuar gjë.
Sipas ekspertëve të grupit hetimor duke hasur në vështirësi, dy autorët janë zhvendosur në magazinën e bodrumit, ku ndodhet muri ndarës me dhomën kasafortë të bankës dhe me këtë krik që shihni në foto, kanë hapur fillimisht murin që të çon në dhomën kasafortë ku kanë tentuar ta hapin sërish me krik, daltë dhe çekiç.
Në orën 05:00 të mëngjesit të datës 6 Gusht, ka rënë sërish sinjali i alarmit që është vlerësuar vetëm pas 5 orësh, në orën 10 të paradites, ku është bërë sërish kontroll në të njëjtën mënyrë dhe nuk është konstatuar gjë.
Në mbrëmjen e datës 6 Gusht, njëri prej autorëve ka depërtuar në brendësi, siç duket dhe nga foto dhe me një elektrik në dorë ka arritur të marrë nga dhoma shumën prej rreth 200 milionë lekëve dhe më pas janë larguar. Autori i tretë, Robert Kulla, dyshohet se ka ndihmuar nëpërmjet bashkëpunimit dy autorët.
/TvKlan















