Nini Ristani është një ermër i nderuar dhe i suksesshëm prej vitesh. Me një karrierë të gjatë e të suksesshme në Shqipëri e në Kanada, ku jeton prej vitesh, ai përpiqet të jetë shembulli i shqiptarit të mirë, patriotit dhe njeriut të ndershëm që nuk bën kompromise në kurriz të atdheut, të kaluarës apo politikës së sotme. I drjetpërdrejtë, i besueshëm, me shpresën se një ditë gjërat do bëhen më mirë, madje edhe për diasoporën, dhe jo të jenë si sot, “një demagogji politike dhe një çfaqje komike e dramës së rëndë shoqërore e qeverisëse që ajo ka ndërtuar e po ndërton me një mendësi foshnjore, të mangët, pa pjekuri madhore e përgjegjësi kombëtare”. Mesazhi i tij është i qartë: “Synimi, përafrimi, këmbëngulja, përkushtimi, besimi, shpresa dhe emancipimi, të mbështetur nga fati, krijojnë arritje dhe sukses”.

Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?
Unë kam dy profesione me një vjetërsi experience tani të ndarë barabar ndërmjet tyre: inxhinieri ndërtimi dhe shkencë kompjuterike. I pari i përket jetës sime në Shqipëri, ndërsa i dyti i përket jetës sime në Kanada. Profesioni i parë m’u dha nga sistemi arbitrar arsimor i të drejtës së studimit universitar që jepej nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit të asaj koheë kërkesa ime ishte për elektronikë, por rekomandimi i këshilltares së Frontit dhe antares përfaqësuese të lagjes në këshillin e të drejtave të studimit të Komitetit të Tiranës qe që të më jepej e drejtë studimi për inxhinieri ndërtimi. Pra profesionin e parë mund ta quaj të imponuar nga një sistem tejet i politizuar, arbitrar e absurd i përcaktimit të studimeve universitare!
Profesionin e dytë e zgjodha vetë, pesë muaj pasi u shpërngula në Kanada, me meditim, maturi e pjekuri moshe dhe experience dhe pa dyshim me pëlqim të plotëë kjo zgjedhje qe një alternative e dytë dëshire në pamundësinë reale për të ndjekur ëndrën time të fëmijërisë dhe rinisë së herëshme për inxhinieri avionash. I fillova studimet e përshpejtuara që nga niveli kolegjal deri në nivelin pasuniversitar dhe që nga viti 1995, ky mund të quhet profesioni im bazë. Ky profesion bazë është transformuar gjatë 20 vjetëve të fundit si nga funksioni e nga detyrat gjithashtu edhe nga kombinimi i studimeve pasuniversitare të mëtejshme, pa shkëputje nga puna, në fushën e drejtimit të administratës publike qendrore dhe trajnimeve të prera/specializuara (tailored) për formim të përgjithshëm në aftësi udhëheqëse në sektorin publik. Edhe ky profesion shumë-përmasor që ushtroj tani nuk ishte i mirëllogaritur – ai erdhi me ndërgjegjësim e pëlqim gradual si pasojë e rrethanave spontane që u ndodha, por të ndërthurura me parapërgatitjen profesionalo-teknike të specializuar që ndoqa në kohën e duhur me synim për të përvetësuar një formim të thellë.
Si pasojë nuk mund të cilësoj një profesion tradicional të mirëfilltë në përgatitjen dhe ushtrimin tim profesional. Në qoftë se do të emërtoja profesionin tim që ushtroj tani prej më se 15 vjetësh do ta quaja arkitekt i analizave dhe projektimeve strategjike gjithëpërfshirëse dhe shumë-përmasore. Funksioni im në detyrën që ushtroj quhet në anglisht Senior Enterprise Architect që i përkthyer fjalë për fjalë është Funksionar i Lartë i Arkitekturës së Ndërmarrjes. Kjo nuk ka aspak atë përmbajtje e kuptim që ka në anglisht, kështu që unë e përshtata me përafërsi të krahasueshme me ç’ka emërtova më sipër.

Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?
Fillimisht emërimi, drejt-për-drejtë nga bankat e shkollës, si inxhinier ndërtimi në zbatim ku kisha nën vartësi rreth 120 punonjës. Të kuptohemi, kjo nuk qe veçanti për mua por për të gjithë inxhinierët e dipllomuar që shkonin në prodhim/zbatim. Kjo qe një përballje me jetën dhe vështirësitë e vuajtjet e patreguara të punonjësve të ndërtimit për të siguruar bukën e përditëshme për vete dhe familjet e tyre. Këtu ka zanafillën formimi im professional dhe personal.
Pastaj rritjet në përgjegjësi deri në kryinxhinier, që me vlerësimin e gjykimin e tanishëm e quaj shumë të parakohëshëm për atë moshë që kisha. Gjatë muajve e viteve në këtë detyrë, duke bërë mjaft gabime drejtimi e trajtimi për arësye të moshës së re e të papjekurisë që shqëron atë moshë si edhe të autoritetit që të jep pozita, mësova shumë e në mënyrë të pakrahasueshme se si të drejtoja e të trajtoja punonjësit vartës si individualisht ashtu edhe në grupe të organizuara në brigada e sektorë me një formim shumë heterogjen por me një përvojë të pakrahasueshme. Mësova e kultivova po ashtu edhe aftësinë për të ndërtuar e komunikuar marrëdhënie pune e korrekte me drejtues të shkallëve e funksioneve të larta shtëtërore e partiake.
Tjetër momenet është aventura e shpërnguljes në Kanada dhe ankthi fillestar i paprovuar i sigurimit të mbijetesës për vete e familjen në kushtet e mungesës absolute të një mbështetje financiare. Edhe kjo la gjurmë të thellë në përshtatjen dhe brumosjen time të mëtejshme si njeri dhe si profesionist.
Mbarimi i studimeve pasuniversitare në shkencën kompjuterike dhe hapja e një horizonti të paparë e të pamenduar në zgjedhjen e vendeve të punës që më ofroheshin, përbën një moment kyç për zhvillimet e ardhëshme profesionale.
Momenti i krijimit të vetëbesimit pasi u zgjodhja për të punuar në Statistikat e Kanadasë me një konkurim masiv e të paprovuar ndonjë herë.
Momenti i të ndjerit i arritur dhe i plotësuar profesionalisht dhe personalisht pasi fitova me konkurim një funksion profesional në Ministrinë e Mrojtjes së Kanadasë.
Shijimi i një krenarie të pashprehëshme kur u zgjodha për të përfaqësuar Kanadanë në një nën-strukturë të NATO-s me ekspertë të fushës përkatëse nga vendet antare – 12 vjet në këtë përfaqësim.
Dhe së fundi, ndjenja e triumfit të vetvetes e mbi vetveten kur kandidatura ime për të udhëhequr e kryesuar atë nën-strukturë u pranua nga perfaqësuesit e përhershëm të Komitetit të Konsultimit, Kontrollit e Komandës (Consultation, Command and Control Board – C3B) së NATO-s. E kryesova dhe e udhëhoqa me shumë sukses për katër vjet.
Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?
Në suksesin tim ka një çelës mastër që gjithmonë duhej të kombinohej me një çelës të veçantë të synimit konkret. Çelësi mastër qe dhe është përgatitja tërësore dhe e pandërprerë në fushën profesionale dhe përsosja e vazhdueshme në fushën e ndërlikuar të komunikimit dhe marrëdhenieve e të ndërsjelljes njerëzore. Çelësi i veçantë përgatitet për rastin konkret të synimit dhe përputhshmëria e thepave të këtij çelësi me konfigurimin e bravës së suksesit qe dhe është faktori përcaktues i arritjes apo dështimit të tij. E pranoj nga eksperienca që ka individë që arrijnë suksesin me një çelës mastër vetëm, ose me një mastër dhe me shumë pak të veçantë. Kurse unë ju siguroj që çdo sukses e kam arritur me një mastër që përsosej vazhdimisht dhe me një mori të veçantësh sa nuk i mbaj mend që të gjithë.

Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?
Dy janë sfidat që kanë lënë gjurmë mbetëse të thella në jetën time.
Kur jetoja në Shqipëri ishte përballja disa vjet rreshtazi me makthin rrënqethës e tmerues ndaj presionit jetë-shkatërrues e ndofta kriminal të Drejtorisë së Punëve të Brendëshme të Tiranës dhe operativit të saj për të më rekrutruar si informator i Sigurimit të Shtetit. E shmanga me shumë maturi dhe me një këmbëngulje dinake, pa pasoja shëndetësore mendore katastrofike për veten, pa marrë më qafë absolutisht as edhe një person të vetëm, pa dëmtuar me pasoja të rënda jetësore asnjë pjestar të ngushtë të rrethit tim familjar dhe pa rënë në kurthin e burgimit për agjitacion e propagandë që Sigurimi i Shtetit, në rast dështimi të rekrutimit, i ngrinte lehtësisht me ndihmën e njerëzve me cilësi të dobta, me karakter të poshtër e të kompromentuar dhe me individë partiakë që ushtronin një fanatizëm kriminal klasor.
Shpërngulja në Kanada u shoqërua me një stërmundim të pamatshëm dhe të pa parashikuar për të ndërtuar një të ardhme dhe status intelektual, të paktën të krahasuar me atë nivel që kisha arritur në Shqipëri, pa shitur veten dhe integritetin personal e profesional. E tejkalova dukshëm, gjerësisht dhe thellësisht këtë sfidë.
Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?
Kam vetëm dy bilance tronditëse që më ligështojnë sa herë që i kujtoj.
Bilanci me një vendim/zgjedhje time në Shqipëri. Isha kryenxhinier i ndërtimit të banesave në gjithë Tiranën dhe drejtova punimet e ndërtimit të qindra apartamenteve në Tiranë që nga Marikaj, Kamza, Kombinati, Sauku, “Ali Demi”, “Vori Bomit”, Allias dhe natyrisht qendra e Tiranës me “shumëkatëshet” modeste të prapa Muzeut dhe Rr. Barikadave. Drejtori që kisha ishte antar partie i fortë i gjeneratës së re, antar plenumi rajoni, i shkathët, i zgjuar, qefli dhe shumë njerëzor. Apartamentet kur i përfundonim së ndërtuari i dorëzonim me blloqe godinash tek Ndërmarrja Komunale e Tiranës që administronte qerate dhe mirëmbajtjen. Ndërtonim kaq shumë dhe me kaq invetarizim primitiv sa drejtori im mbante apartamente të zgjedhura, që nuk i raportonte në seksionin e strehimit të Komitetit Ekzekutiv. Kështu që nuk jepeshin leje banimi për to. Ky drejtor i linte për disa kohë bosh këto apartamente dhe i përdorte për të bërë hatëre me funksionarë partiakë e shtetërorë qe po mbinin si këpurdhat në Tiranë me çdo fshesë spastrimesh që bënte diktatori në atë kohë, i mbaruar nga shëndeti por i ruajtur ngushtë nga zagarët besnikë të tij që sillnin turli lloj kuadrosh nga rrethet. Këta bëheshin të fuqishëm dhe drejtori im u jepte nën dorë strehim të zgjeruar, të pa merituar sipas normave, për vete e familjet e tyre ose për ndonjë që qe transferuar por kishte vite që priste për autorizim shtëpie, e të tjera raste të kësaj natyre. Me këto drejtori im siguroi një rrjet shumë influencues shtetëror e partiak dhe vetë u ngrit shumë shpejt në detyra partiake deri diku të larta në rang rrethi.

Një herë drejtori më propozon mua për të më dhënë një apartament të mirë tek “Ali Demi”. Unë për sa kohë isha në Shqipëri, deri sa u shpërngula në Kanada, jetoja në shtëpinë e prindërve, i martuar e me një fëmijë. Natyrisht, në kushtet e mia të jetesës nën një strehë me një familje mjaft të zgjeruar, vuaja thellësisht për strehim, por propozimin e drejtrorit e mora si kompromentim për të më blerë në dallaverat që bënte: më kërkonte që t’i kompletoja shtëpitë e partiakëve dhe shtetarëve që u jepej strehim në Tiranë, me pajisje nga më të mirat hidrosanitare, me dyer e dritare jashtë serisë, me parkete, dysheme e pllaka majolike jashtë normës e serisë dhe me bojra lyerje që nuk kishte në treg në atë kohë. Dhe kjo e gjitha brenda kostos së parashikuar në preventiv. Me një fjalë më kërkonte që të kandisja e “detyroja” me takt e butësi inxhinierët që të mashtronin në raportim e situacion. Por kjo hapte rrugë edhe për shpërdorim e vjedhje nga ana e tyre për interes të tyre, se po kërkove diçka të pa rregullt nga ata nuk do të kisha as të drejtë morale dhe as të drejtë administrative të kërkoja llogari për shpërdorimin e tyre deri në shpagim. Me një fjalë nuk pranova. Ai më tha që do të pendohesh për këtë mundësi që po të krijoj për të pasur një shtëpi tënde që kush nuk e ëndëronte në atë kohë. Nga ana tjetër unë isha një drejtues luajal (nuk kam qenë dhe i kam urryer snitch-ët – spiunët), nuk i kallzoja as vartësit dhe as eprorët për parregullsi apo shpërdorime, vetëm luftoja e përballesha me ta me maturi për të zvogëluar humbjet. Këtë cilësi ma dinin të gjithë ndaj nuk më luftonin me prapaskena apo me kurthe, por ama e dinin që duhej të ndesheshin me rreptësinë dhe vendosmërinë time.
Tani vjen përgjgja ime. Po vërtet jam penduar thellë për këtë mospranim dhe zgjedhje të papërgjegjëshme, të pamenduar e gjoja të papërlyer e me dinjitet që bëra, kur edhe sot e kësaj dite vazhdoj të jem pa një shtëpi timen në Tiranë, qytetin tim të lindjes, të fëmirisë, të rinisë, e të pjekurisë. Është shumë e trishtueshme për mua kur kam drejtuar ndërtimin e banesave me vite për mijëra apartamente në pjesën më të madhe të Tiranës, dhe për vete mbeta pa shtëpi dhe vij vërdallë shumë i pezmatuar sa here vizitoj Tiranën se ku do qendroj. Shikoj me shumë dhimbje e trishtim që pinjollët e pasardhësit e atyre të pa aftëve partiakë e shtetërorë që transferoheshin në Tiranë e që drejtori im i favorizonte me pronën e përbashkët, drejtojnë me grykësi sot Shqipërinë në vazhdimësinë e ketij korrupsioni nga më të shfrenuarit që e ka zanafillën tek fundërinat partiake të sistemit të përmbysur.
E si të mos ndjej keqardhje therese kur trualli i Tiranës sonë të dashur u përvetësua nga hordhitë grabitëse të sistemit pluralist e nën mbikqyrjen dhe pranimin e udhëheqësve partiakë punisto-leninistë të të gjithë krahëve. Neve që derdhëm mund e djersë në çdo pëllëmbë të Tiranës për ta ndërtuar e lulëzuar atë, na lanë pa pronë e shtëpi, për t’ja dhuruar dyndjeve të përvetësimit të dhunshëm e arbitrar të trojeve.
Bilanci me një vendim/zgjedhje time në Kanada. Ishte viti 2000 kur bursa në New York po shkonte shumë keq për shkak të shpërthimit të ballonit të fryrë nga investimet në HiTech. Unë kisha disa vite që merresha me blerje-shitje aksionesh për vete online (nëpërmjet internetit) nga discount brokers. Më kujtohet si tani, ishte mëngjes dhe sapo u hap Dow Jones dhe po shikoja të blija aksione sepse po mendoja që qenë shumë poshtë dhe do kishte mundësi spekullimi për të bërë para në të ardhmen. Po ndiqja aksionet e Intel-it dhe të Apple. E mbaj mend mire që Apple po luhatej rreth 8 dollar aksioni kurse Intel rreth 14 dollarë aksioni. I vura të dyja për blerje online për dhjetë mijë aksione. Po meditoja për të konfirmuar blerjen. Pas një gjysëm ore apo pak më tepër kërkimi opinionesh online, mëdyshje dhe pasigurie e hoqa urdhërin për blerjen e aksioneve të Apple dhe lashë vetëm të Intel-it. Ku do të isha tani më dhjetë mijë aksione të atëherëshme të Apple që janë dyfishuar duke u ndarë (split) kushedi sa herë nga që vlera e një aksioni bëhej e pa përballueshme për blerje massive? Minimumi tetëdhjetë mijë aksione të Apple me vlerën e tanishme të një aksioni! Kur bëj bilancin e keqardhjeve për të kaluarën time ky është momenti më i errët dhe më i dëshpëruar i jetës sime në zgjedhje e vendim-marrje.

Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?
Siç e thashë më lart në pyetjen e dytë: ndjenja e triumfit të vetvetes e mbi vetveten kur kandidatura ime për të udhëhequr e kryesuar nën-strukturën përkatëse u pranua dhe u aprovua me konsensus nga të gjithë perfaqësuesit e përhershëm të Komitetit të Konsultimit, Kontrollit e Komandës së NATO-s. E kryesova dhe e udhëhoqa me shumë sukses për katër vjet. Emri, biografia dhe origjina ime hyri ne historinë e kësaj nën-strukture të NATO-s. Në qershor të 2018-s mbledhjen e rradhës të kësaj nën-strukture e organizova në Tiranë.
Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe” ?
Evokim i djeshëm është një fjalë boshe tallëse që nuk i referohej asgjëje veçse një ideali propagantistik që sistemi ja kishte hequr përmbajtjen fizike të pronës e të të pasurit/zotëruarit – zotërimit personal, me ligj. Shkrimtari dhe poeti ynë i madh Dritëro Agolli e ka shprehur në një monolog publik shumë bukur këtë boshllëk ku evokon xhveshjen lakuriq të shqiptarit nga sistemi nga çdo titull pronësie duke filluar nga më e shtrenjta njerëzore – TOKA – ose pasuria e patundëshme. Atëhere ç’kuptim ka fjala Atdhe? Dheu i atit? Por unë që kur kam lindur dhe deri më sot nuk kam DHE të tim eti. Atë ja grabitën punisto-leninistët aventurierë e mashtrues dhe pas tyre demokratët banditë e hajdutë pronash e pasurie po me principet e metodat punisto-leniniste. Për kë ta evokoj fjalën Atdhe? Për këta grabitës të pasurisë së patundëshme të këtij vendi ku unë kam lindur dhe jam rritur dhe i privuar nga çdo lloj titulli pronësie? Është shumë e rëndë ta them por unë nuk kam Atdhe jo se nuk desha e nuk dua unë por sepse ma vodhi, rrëmbeu, grabiti e u morr peng që nga sistemi i kolektivizimit e kushtetuta monisto-puniste e deri tek sistemi demokrato-pluralist me kushtetutën plaçkitëse leniniste. Dheu i Atit tim ka 75 vjet që është marrë peng, grabitur e vjedhur nga aventurierët, hajdutët e batakçinjtë të veshur me pushtet. E pra unë, në këtë perspektivë, s’kam se çfarë të quaj Atdhe.
Por nga ana tjetër unë jam krenar dhe evokoj me mburrje sublime e përulëse përkatsinë time etnike dhe të origjinës shqiptare. Jam shqiptar pa ndrojtje dhe pa keqardhje dhe me brumosje të thellë dhjetra ndofta qindra brezore dhe e shpall këtë kudo e në çdo mjedis shqiptar apo të huaj dhe “i hidhem në fyt” kujtdo qoftë që tenton të marrë nëpër këmbë, të përçmojë apo të qesëndisë përkatësinë time etnike ose shqiptarët në përgjithësi. Origjina dhe përkatësia ime shqiptare është e pa mohueshme, e pa shlyeshme, e pa tjetërsueshme, e pa cënueshme dhe e pa krahasueshme. Jam shqiptar krenar që tërthorazi imponoj reflektim njerëzor e të emancipuar tek bashkëbisedues me origjinë e përkatësi etnike të ndryshme nga e imja.

Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?
Karakteri i vërtetë i shqiptarit të ndershëm e me krenari përulëse dhe arsimimi i pa kontestueshëm që brezi im pati fatin e madh të përvetësojë në kushtet e një sistemi shoqëror absurd që eksperimetonte në mënyrë kriminale e pa përgjegjësi me jetë njerëzish dhe të ardhmen e shoqërisë shqiptare.
Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në ekperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?
Në ekspereincën time personale përcaktimi “emigrant” nuk ka pasur asnjë rezonim ose pasqyrim inferioriteti, diskriminimi, kategorizimi apo përbuzje njerëzore. Gjatë gjithë kohës sime në Kanada unë jam trajtuar dhe respektuar njëlloj si kanadez i lindur në Kanada pa asnjë dallim dhe në asnjë rast. Kanadaja është një nga vendet dhe shoqëritë më të hapura në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore që i ka pranuar dhe vazhdon t’i pranojë emigrantët si pjesë përbërëse dhe kontribuese e të njësuar me shoqërinë së saj. Çështja është se sa emigrantët pranojnë, përpiqen apo ndryshojnë për t’u bërë pjesë e integruar dhe e pa dallueshme e shoqërisë kanadeze. Kanadaja të bën të quhesh e ndjehesh kanadez pa u quajtur emigrant.
Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?
Bashkëpunimin ndërshqiptar e konsideroj si një veprimtari kombëtare shumë të përgjegjëshme dhe të rëndësishëme strategjike, të organizuar e të përherëshme për përparimin dhe ardhmërinë e kombit shqiptar, shoqërive shqiptare dhe shteteve shqiptare. Mendova se ideja e samiteve që filloi në nëntor të 2016-s në Tiranë do të hidhte bazat për këtë bashkëpunim, por u zhgënjeva thellësisht sepse qe dhe vazhdojnë të jenë parada boshe propagandistiko-politike të qeverisë dhe jo të shtetit shqiptar, sipas stilit të Kongreseve të Bashkimeve Profesionale apo të Frontit Demokratik.
Dëshiroj të përfitoj nga rasti e të shpreh mendimin tim personal se edhe Këshilli Drejtues i Diasporës, i krijuar së fundi nga Qeveria Shqiptare dhe krejtësisht nën përzgjedhjen, kontrollin, drejtimin dhe tutelën e saj, ëshë një shaka (joke) e institucionalizuar dhe pa bereqet të dukshëm, frymëzues e premtues.

Duhet një grup nismëtarësh që të krijojë dhe organizojë një bashkëpunim ndërshqiptar me statut, pa përkatësi partiake e politike me qendër e të regjistruar në Tiranë si një organizatë jo-qeveritare dhe e financuar me antarësi e me fondacione publike edhe private sipas statutit të saj. Unë vizionin dhe idetë i kam shumë të qarta për këtë lloj bashkëpunimi por mendoj se hollësitë dhe sfidat që do pasojnë nga të gjitha krahët për shpalosjen e vizionit dhe të ideve të mia nuk mund të jenë pjesë e kesaj interviste.
Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?
Forma e shtetit dhe mënyra se si shteti qeveris dhe adminsitron mëmëdheun. Me përcaktimin “shtet” përfshij legjislativin d.m.th. Kushtetutën, Parlamentin dhe Presidentinë ligj-zbatuesit dhe ekzekutivin d.m.th. Këshilli i Ministrave, Qeveria dhe e gjithë Administrata Shtetërore Qendrore dhe Vendoreë ligj-interpretuesët d.m.th. Gjykatat e të gjitha niveleve. Pra gjithshka duhet të jetë absolutisht ndryshe nga ç’është. Këtu përgjgjen time dëshiroj ta ilustroj me këtë citat që i atribohet Albert Ajnshtajn: “Insanity is doing the same thing over and over and expecting different results.” – Duke bërë të njëjtën gjë përherë e vazhdimisht dhe të presësh rezultate të ndryshme është marrëzi.
A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?
Fillimisht më lejoni të shpall këndvështrimin tim vëzhgues. Për arësye abstraksioni i ndaj diasporasit në dy grupe: ata që kërkojnë diçka nga qeveritë shqiptare në formë mbështetje, interesimi, ndofta mbrojtje, konfirmimi, vetëafirmimi etjë dhe ata që nuk kërkojnë absolutisht asgjë nga qeveritë shqiptare, përkundrazi këta kërkojnë të angazhohen me aftësitë e tyre dhe të kontribojnë në të dy shtetet shqiptare. Grupi i parë ka një shumicë masive kurse grupi i dytë ka një pakicë të pa përfillshme. Unë i përkas grupit të dytë dhe më tej, duke kërkuar ndjesë për guximin e pa ndrojtur dhe në dukje të mungesës së modestisë sime, dëshiroj të deklaroj që unë me këtë status profesional e personal që gëzoj s’kam absolutisht nevojë për shtetin shqiptarë përkundrazi shteti shqiptar ka shumë nevojë për njohuritë, përvojën, mjeshtritë, mënçurinë, aftësitë dhe ekspertizën time në fushat e administratës publike, të mbrojtjes kombëtare, të marrëdhënieve me jashtë, të rishikimit të projektligjeve para se të aprovohen në ligje dhe të përpilimeve të drejtimeve, të politikave e të procedurave nën-ligjore. Këtë deklarim do të doja ta përfocoj me citatin e një nga arkitektëve të famshëm e të talentuar të shekullit të kaluar Frank Lloyd Wright: “Maybe we can show government how to operate better as a result of better architecture.” – Si pasojë e një arkitecture më të mirë ne mund ti tregojmë qeverisë se si mund të funksionojë më mirë.

Sipas këndvështrimit tim qasja që shteti shqiptar në përgjithësi dhe qeveritë shqiptare ne veçanti kanë ndërmarrë ndaj diasporës është shumë e mangët, e kufizuar, pa themel, e pabesueshme, e pa sinqertë, dhe herë-herë qesharake. Ndofta jam i vetmi kundra rrymave diasporike që mbizotërojnë në Diasporë, në Shqipëri dhe në Kosovë, por unë mendoj tashmë si strategjist “outside the box – jashtë kutisë” duke venë në punë profesionin që ushtroj. Pse e them këtë? Rrymat diasporike po ashtu edhe qeverive shqiptare të Shqipërisë e Kosovës, politikisht, ju intereson të tregojnë interes e përkushtim demagogjik për diasporën në këto drejtime kryesore: ruajtjen e kulturës dhe mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, mburrja dhe reklamimi i arritjeve të shqiptarëve në vendet ku janë shpërngulur për të jetuar, lobime e thirrjet për investime në Shqipëri e Kosovë nga diaspora apo të huajt, samite të tipit të Kongreseve të Bashkimeve Profesionale ku podiumi i qeveritarëve vendas kontrollon audiencën diasporase, Këshill Kordinues i Diasporës që zgjidhet, e parashikohet të financohet e si rrjedhim e të kontrollohet nga qeveria, etj si këto por që për mendimin tim janë të dorës së dytë.
Këndvështrimi im është se shtetet shqiptare duhet të projektojnë e rregullojnë me drejtime, politika, procedura a ndofta në ndonjë aspekt edhe me ligj, qasjen e qeverisë dhe administratës shtetërore me diasporën. Prandaj ngul këmbë që qasja nuk duhet t’i lihet në dorë qeverive pasi ato janë të pa qendrueshme e të përkohëshme për shkak të karakterit ciklik e politik të tyre. Ndërsa qasja e shtetit është e përherëshme sepse kërkon konsesus shtetëror shumë-partiak e jashtë politikës partiake. Nga ana tjetër unë jam promotor i të krijuarit përpara, fillimisht e urgjentisht, në Shqipëri dhe në Kosovë, të një shteti të besueshëm modern, të shëndoshë, të fortë e të pasfidueshëm dhe pastaj të propozohen e shtrihen angazhimet dypalëshe apo udhëheqëse të këtyre shteteve në vendet ku ka diasporë.
Po ashtu, sipas këndvështrimit tim, shtetet e pabesueshëm, të përfolura e të rradhitura në shkallën e korrupsionit më të lartë dhe të falimentuara në shumë aspekte qeverisje, ushtrimi drejtësie e administrimi, nuk mund të kujdesen e angazhohen sinqerisht, denjësisht e seriozisht për diasporën sepse këto shtete nuk kanë aftësi e nuk arrijnë dot të qeverisin e administrojnë ashtu siç duhet dhe me besueshmëri e drejtësi ligjore shqiptarët që jetojnë e banojnë në teritoret që kanë nën legjislacionë atëhere me çfar besueshmëri administrative, ushtrimi drejtësie kontraktuale e qeverisëse këto shtete te korruptuara do të arrijnë të kujdesen, ndihmojnë e të thithin investimet e huaja e të diasporës?

Me ç’seriozitet Qeveria Shqiptare premton ti arsimojë me gjuhën shqipe e kulturën shqiptare fëmijët e lindur apo të shpërngulur në diasporë kur Shqipëria ka bërë një regres të pa falshëm në arsimimin e fëmijëve brenda në Shqipëri, ku ka fëmijë analfabetë e të mitur lypsa nëpër rrugë? A e di Qeveria Shqiptare që i/e mituri(a) lyps(e) nëpër rrugë në vendet tona të diasporës i merret nga kujdestaria prindërve dhe këta të fundit trajtohen si abuzes të të miturve? Atëhere ç’përallis qeveria për gjuhë e kulturë shqiptare në diasporë kur në 30 vjet sistem pluralist, të trumpetuar si demokratik, shkatërroi arsimimin e përgjithshëm e të detyrueshëm dhe zhdukjen e analfabetizmit që trashëgoi para pluralizmit e rikrijoi përsëri atë plagë analfabetizmi që ekzistonte në Shqipëri fill pas Luftës së Dytë Botërore? Ç’përrallis qeveria për investime të huaja kur:
- Elementin rrënjësor të investimit siç është titulli i pronësisë mbi truallin e pasurinë e patundëshme e ka shkatërruar, masakruar e tjetërsuar me banditizëm e grabitje?
- Bankat e krijuara gjatë pluralizmit s’kanë asgjë të përbashkët me funksionimin dhe kontrollin bankar të sistemit kapitalist mbi gjithë ekonominë e vendit?
- Marrëdhëniet kontraktuale s’janë të rregulluara rigorozisht e nuk mbrohen apo kontestohen në gjykata të papërfolura e të pa molepsura nga korrupsioni?
- Shteti takson e dhunon veprimtarinë private me mendësinë leniniste të taksave të jashtëzakonëshme dhe të preferencave politke kundrejt drejtuesve të biznesit për ta shkatërruar atë dhe jo për ta fuqizuar ate e për të nxjerrë e siguruar pa ndërprerë prej tyre të ardhura rrjedhëse për shtetin?
Në përfundim të kësaj pyetje unë kam bindjen se qasja e qeverisë ndaj diasporës është një demagogji politike dhe një çfaqje komike e dramës së rëndë shoqërore e qeverisëse që ajo ka ndërtuar e po ndërton me një mendësi foshnjore, të mangët, pa pjekuri madhore e përgjegjësi kombëtare.
Kërkoj me forcë dhe me këmbëngulje që shtetet shqiptare – e theksoj edhe një herë: aspak qeveritë përkatëse – në Shqipëri e Kosovë të përfshijnë diasporën në hallkat e strukturat e tyre qeverisëse e administruese sipas kritereve, direktivave, politikave e procedurave të hartuara paraprakisht nga ligjvënësit në komisionet përkatëse dhe jo nga ligjzbatuesit.
Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?
Të dal në pension dhe të shpenzoj sa më shumë kohë gjatë vitit në Tiranë e Shqipëri. Me ndihmën e Zotit kam dy projekte krijuese që dua t’i kryej e përfundoj para se të largohem nga kjo botë:
- Të shkruaj në anglisht një libër me përmbajtje filozofike mbi eksperiencën time personale nga dy sistemet më të studiuar, më të lavdëruar, më të kritikuar e më të luftuar njëkohësisht e reciprokisht, që ka përjetuar njerëzimi i kohëve moderne: Kapitalizmi dhe Social-Komunizmië
- Të hartoj e publikoj një album ilustrativ të cilësisë së lartë dhe dinjitoz me punimet krijuese artistike më të spikatura e të përzgjedhura të të gjithë veprimtarisë profesionale në artin fotografik që ka publikuar e arkivuar babai im Jani Ristani gjatë shekullit të kaluar. Krijimtaria e tij figurative dhe artistike ka një shtrirje kohore prej më se treçerek shekulli e me përmbajtje e vlera të pakrahasueshme historiko-kombëtare. Gjatë pjesës më të madhe të shekullit të njëzet, nuk ka ngjarje historike kombëtare, propagandistike, artistike, politike, festive, shoqërore, ekonomike, transformuese, ndërtimore, vizita personalitetesh e udhëheqësish të vendit e të huaj ku Jani Ristani të mos ketë fiksuar me mjeshtëri, besnikëri, talent dhe art faktet e ngjarjet e kohës në shoqërinë shqiptare e në Shqipëri. E gjithë kjo pasuri kombëtare ja vlen të prezantohet artistikisht në një album përmbledhës të ilustruar.
“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekes online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim)?
Synimi, përafrimi, këmbëngulja, përkushtimi, besimi, shpresa dhe emancipimi, të mbështetur nga fati, krijojnë arritje dhe sukses. Gjithashtu një poemë që unë kam gjetur tërësisht motivuese dhe thellësisht frymëzuese është “If” e Rudyard Kipling. Ju sugjeroj të gjithë ndjekësve që të paktën një herë në muaj në qetësinë e tyre të patrazuar të lexojnë këtë poemë magjike. Kjo poemë është përkthyer në shumë gjuhë duke përfshirë edhe gjuhën shqipe. Preferenca ime është përkthimi në italisht që në planin emocional ja kalon edhe origjinalit në anglisht.
Si përfundim ju falenderoj sinqerisht për këtë privilegj, konsideratë e nderim që më kushtuat me këtë interrvistë. Përfitoj nga rasti për t’i uruar “The Albanian” punë të mbarë e të suksesëshme në përçimin dhe rezonimin e vlerave më të mira të kombit tonë në gjithë komunitetet shqiptare kudo që janë.
“The Albanian”
