Nezir KRAKI është aktualisht ligjërues i Shkencave Politike në Universitetin Paris Est në Paris dhe drejtor i programeve akademike në shkollën private të biznesit Enaco në Lille. Ai ka më shumë se 10 vite që jeton në Paris, ku kishte shkuar për studimet Master dhe studimet doktorale në fushën e shkencave politike, pranë Universitetit Paris Est. Në vitin 2016 është specializuar në vendimmarrje strategjike në Universitetin prestigjioz të Stanfordit në Kaliforni, ku ndoqi dhe kreu me sukses programin ‘Strategic Decision and Risk Management’. Vitet e fundit z. Kraki ka qenë i përfshirë edhe në projekte dhe misione sidomos në Kosovë dhe Shqipëri. Në vitin 2011 u angazhua si ligjërues i ftuar i programit Brain Gain në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës. Gjatë vitit 2013 ishte rikthyer në Kosovë me angazhim të kohëpaskohshëm si koordinator programi dhe ligjërues në Institutin KIPRED të Prishtinës. Në vitet 2015-2016 z. Kraki ka punuar si Këshilltar i Lartë për Politikën e Jashtme Rajonale (me theks çështjet shqiptare) pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Është vazhdimisht i pranishëm në opinion përmes analizave dhe publikimeve të tij rreth faktorizimit të shqiptarëve në përgjithësi dhe shtetbërjes së Kosovës në veçanti.
Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?
Modeli im i gjithëjetshëm ka qenë babai im profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Mësimdhënia më ka fjetur gjithmonë në mendje dhe në zemër. Për mua mësimdhënia është vokacion, mision, jo thjesht profesion, është formim i përhershëm dhe kompletim jetësor. Shumë vite më herët e kam imagjinuar veten këtu ku jam sot dhe kam punuar që kjo të realizohet.
Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?
Kalimi një vjeçar në sistemin zviceran të edukimit dhe nisja e mësimit të frëngjishtes atje kanë qenë nisja e çdo gjëje që kam realizuar prej atëherë deri tani. Momenti i dytë më i rëndësishëm ka qenë ardhja në Paris për studime, pa pasur asnjë financim dhe asnjë mbështetje nga kushdoqoftë, përveç familjes time.
Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?
Kureshtja dhe këmbëngulja më kanë shërbyer si çelësa për hapjen e dyerve dhe tejkalimin e pengesave. Asnjë barrierë nuk mund t’i rezistojë vullnetit për të shkruar drejt një qëllimi të fiksuar mirë.
Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?
Sfida kryesore jetësore deri tani ka qenë përjetimi i luftës dhe i pasojave të saj nga ikja si refugjat deri te rikthimi dhe riparimi personal e psikologjik në Kosovën e shkatërruar. Sfida më e madhe e imja gjatë shkollimit ka qenë integrimi dhe mbijetesa në Paris gjithnjë duke ndjekur mësimet dhe duke mos devijuar nga qëllimi fillestar për të cilin kisha ardhur këtu.
Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?
Kam përshtypjen se shumicën e vendimeve të mia nuk do i ktheja kurrë mbrapa. Vendimi kryesor dhe i cili ma ka mundësuar ardhjen deri në pikën ku jam ka qenë, pa dyshim, studimi i gjuhës dhe kulturës franceze. Pastaj, krejt natyrshëm, ky itinerar më ka sjelle deri në Paris. Ardhjen në Paris e konsideroj si vendimin më të guximshëm në rrugën e formimit tim. Nuk ka qenë aspak e lehtë të shkëputem nga jeta stabile në Prishtine, ku kisha punën dhe rrethin tim dhe të mbërrij në një realitet tjetër shumë të paparashikueshëm.
Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?
Nuk mund te them se e kam kaluar veten. Më mbetet edhe shumë punë për të bërë dhe shumë gjera për të realizuar që një ditë t’i them vetes bravo. Këto që i kam bërë deri sot i konsideroj si ‘normale’, të realizueshme me vullnet dhe këmbëngulje.
Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe” ?
Jam rritur në një familje, e cila me gjenerata është persekutuar për fajin e fjalës “atdhe”. Në fakt për mua atdheun ka qenë gjithmonë sinonim i përpjekjeve shekullore të pandalshme dhe në të njëjtën kohë sinonim i një ëndrre për liri dhe jetesë normale në familje e në rreth. Sa here mendoj “atdhe” në të shkuarën kjo më asocion me vuajtje dhe dhimbje. Kur e mendoj atdheun, si përjetim të sotëm, më evokon zhgënjim, të kombinuar me një dozë malli.
Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira,trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?
Aftësia dhe kultura e këmbënguljes. Nën regjimin serb, si djali i një deputeti klandestin të Republikës paralele të Kosovës (1992) modeli im ka qenë këmbëngulës dhe vullnetmirë. Kjo ka bërë që sfidat dhe barrierat tjera të mëvonshme të më duket shumë të ‘thjeshta’ për t’u kaluar.
Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në eksperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?
E konsideroj veten si « emigrant me dëshirë » ose « emigrant me synim ». Për mua emigranti në kuptimin klasik të fjalës është personi që në një moment të jetës së tij, nga rrethana politike, ekonomike e sociale, e kupton që vetëm ikja është vazhdim, ikja e detyruar domethënë. Personalisht, nga fillim në Paris kam pasur status studenti por kuptohet që në sytë e vendasve edhe unë isha i huaj. Megjithatë, përveç kompleksitetit administrativ, që lidhej me lejet e qëndrimit dhe çështje tjera jetësore si puna apo banimi, nuk kam pasur ndonjë pasojë nga fakti që isha i huaj.
Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?
Duke i bërë normale dy shtetet tona në Ballkan dhe duke e organizuar diasporën tonë tashmë të fuqishme, mund të përmirësohet edhe bashkëpunimi ndërshqiptar.
Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?
Shumëçka por kryesorja që duhet të ndryshojë urgjentisht është politikëbërja dhe qasja e atyre që marrin përgjegjësi publike. Pa mëmëdhe funksional është vështirë të mbahet gjallë lidhja jonë historike, emocionale dhe atdhetare me të.
A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?
Qeveritë tona nuk janë marrë kurrë seriozisht me diasporën. Tani, së fundmi, kanë filluar ta shohin atë si aset politik dhe e kanë në shënjestër më shumë për ta mashtruar sesa për ta afruar. Unë do kërkoja që qeveritë tona të dalin nga logjika politike kur i qasen diasporës dhe ta kuptojnë që është momenti i fundit për ta rifituar vëmendjen dhe dashurinë e secilit për atdhe. Nëse dështohet në organizimin dhe kapitalizimin e potencialit të diasporës së tashme, gjenerata e ardhshme do jetë edhe më larg atdheut për nga lidhja emocionale dhe atdhedashuria.
Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?
Të forcohem edhe pak intelektualisht dhe ta zgjeroj gjurmën shqiptare në Paris pa e harruar atdheun dhe kombin. Nuk e përjashtoj një kontribut konkret në atdhe sidomos në fushën e edukimit dhe këndelljes së opinionit publik.
“The Albanian tanimë ka mbi 1 milion ndjekes online. Cili do të ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim)?
Mesazhi im është i thjeshtë: Nëse keni një synim mos lejoni kurrë t’ju shfaqet opsioni i dështimit gjatë rrugës dhe kurrë mos fiksoni synime që ju mjaftojnë veç juve. Synimi duhet të jetë i madh se vetja sepse, kur të arrihet, ai duhet t’u shërbejë edhe të tjerëve.
Petrit Kuçana The Albanian