Një vit në pushtet dhe Aleksis Tsipras nuk është më “shpëtimtari” i premtuar i vendit të tij. Ai është shndërruar shumë shpejt në politikanin e rëndomtë ballkanas, që problemet e vendit i mat nga rehatia e kolltukut të tij.
Nga një vend që mund t’i rezervonte vetes në histori, ai po e vendos emrin në listën e shkaktarëve të asfiksisë së gjatë ekonomike të Greqisë moderne.
Popullariteti i tij po shkon në pikiatë prej janarit të vitit 2015 kur u betua si kryeministri që do të rivendoste “dinjitetin” e nëpërkëmbur të Greqisë së zhytur në borxhe nga “Trojka”, veçanërisht Gjermania, ndaj të cilës ai drejtonte gishtin si përgjegjëse. Pak muaj pasi u ngjit në zyrën e kryeministrit ai u detyrua të pranonte çdo kusht të kreditorëve.
“Reformatorit” iu desh t’u tregonte atyre që po besonin se ai po sillte një erë të re, jo vetëm në politikën e vendit të tij, fytyrën e një politikani tipik ballkanas. I zënë ngushtë nga mosmbajtja e premtimeve, ai spastroi shumë shpejt kundështarët në parti, të cilët i kujtonin Tsiprasin që grekët kishin njohur e dëgjuar përpara se të bëhej kryeministër. Bashkëpunëtorët më të ngushtë, si ish -ministri i Financave, Varufakis, apo ish -kryetarja e Parlamentit, e braktisën nën akuzën se ai “shiti besimin e zgjedhëseve”. Portreti prej heroi, që po përpiqej të krijonte para grekëve, devijoi në karikaturën e një hipokriti. Ai u akuzua për hipokrizi gjatë negociatave me kreditorët, ku për të mbajtur kolltukun shiti edhe bashkëpunëtorin më besnik, Varufakis.
Aleksis Tsipras e zhduku tonin e revolucionarit nga diskursi politik. Zëri i reformatorit vazhdon të mbytet në zhurmën e vazhdueshme që shkakton rënia e njëpasnjëshme e premtimeve të tij populiste.
Sot, në një vit qeverisjeje, ekonomia greke i është kthyer agonisë. Shenjat e para të ringjalles së vitit 2014 u shuan në 2015. (Nga 0.7 % rritje ekonomike në 2014, në 2015 rritja ishte zero – 0.0 %)
Në një vit qeverisje ai e ka çuar SYRIZA-n në pikën më të ulët të mbështetjes. Një sondazh i kryer nga Alko pak ditë më parë tregon se SYRIZA është 3.8 % pas Demokracisë së Re të Kyriakos Mitsotakis.
20 Mars 2016
Demokracia e Re 21.1 %
SYRIZA 17.3 %
Agimi i Artë 6.1 %
Në janar të vitit 2015 SYRIZA ishte 10 % para Demokracisë së Re. Në gusht 3 pikë para dhe në shtator vetëm 0.6 pikë para.
Janar 2015:
SYRIZA 36 %
Demokracia e RE 26 %
Gusht 2015
SYRIZA 28 %
Demokracia e Re 25 %
Shtator 2015
SYRIZA 29 %
Demokracia e Re 28.4 %
Tani, me 10 % popullaritet më pak se në zgjedhjet e 2015 –ës dhe me 3.8 pikë pas Demokracisë së Re, Aleksis Tsipras po qeveris vetëm me pushtetin e votave që ka në parlament. Grekët janë të zhgënjyer, siç e tregojnë sondazhet.
Opozita po e etiketon si politikanin më gënjeshtar që ka njohur Greqia moderne. Kyriakos Mitsotakis po i kërkon dorëheqjen, duke e akuzuar jo vetëm si gënjeshtar, por edhe si “përgjegjësin kryesor të situatës tragjike në të cilin gjendet vendi”.
“Në këtë debat ju jeni i akuzuar për gënjeshtrat tuaja”, i tha Mitsotakis në parlament gjatë një debati për reformën gjyqësore. “Për ju, qëllimi e justifikon mjetin. Dhe tani, ajo që ju intereson është vetëm si të vazhdoni të qëndroni në pushtet duke përdorur të gjitha mjetet që keni në dorë”.
Ai e akuzoi se ka emëruar të afërm e miq në poste të larta të administratës publike. Tamam si një udhëheqës i rëndomtë ballkanas!
Kriza e refugjatëve nuk është në favorin e Aleksis Tsipras. Ekonomia nuk po ia del ta nxjerrë kokën nga zhytja as sa për të marrë frymë. “Për sa kohë nuk qeverisni dot, ka vetëm një vendim të dobishëm që mund të ndërmerrni: Të dorëhiqeni! Largohuni përpara se ta shkatërroni vendin”, iu drejtua Mitsotakis duke i kërkuar të shkojë në zgjedhje dhe duke i kujtuar se ai e ka çuar Greqinë në zgjedhje 3 herë pa ndonjë arsye të vërtetë.
“Tani ka një arsye kombëtare”, tha ai. “Greqia nuk mundet t’u tolerojë më gjatë. Dhe ky parlament, siç duket, nuk mund të ofrojë zgjidhje. Ndaj lerë popullin ta gjejë atë. Kostoja për t’ju mbajtur në pushtet është më e lartë se ajo për t’ju hequr”.
Tsipras, siç u shpreh në reagimin e tij, nuk ka ndërmend ta çojë vendin në zgjedhje. Ai nuk sheh arsye derisa kartonat në parlament i sigurojnë të qëndrojë ende mbi kolltukun e kryeministrit. Kështu funksionon demokracia edhe për dikë që në pushtet erdhi në emër të moralit për të shembur një demokraci kartonash.
















