Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dorëzuar në gjykatë, akuzën për 9 të pandehurit e laboratorit të drogës që u zbuluar në fillim të vitit 2015 në Xibrakë të Elbasanit. “Trafik droge” dhe “grup i strukturuar kriminal”, është akuza për Ermal Hoxhën dhe të akuzuarit e tjerë. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot dosjen e plotë për të pandehurit ku dalin në dritë faktet, bisedat me kod të përgjuara nga prokuroria dhe fakti që lënda kimike e përdorur për laboratorin u ble me kuponë dhe fatura tatimore”.
INFORMACIONI NGA GJERMANIA
Nga aktet e këtij hetimi rezulton se në datën 17.12.2014, ka mbërritur në Prokurorinë për Krime të Rënda një informacion nga ana e autoriteteve gjermane mbi organizimin e një aktiviteti të trafikimit të një sasie lënde narkotike, të dyshuar si kokainë, nga Shqipëria drejt Gjermanisë. Nga hetimi i kryer përmes përgjimeve telefonike dhe vëzhgimeve, rezultoi se Ilir Hyseni, pas mbërritjes në Shqipëri kishte kontakte me shtetasin Kastriot Imeri. Në vijim të veprimeve të tij, Ilir Hyseni përveç kontakteve me Kastriotin kishte kontakte edhe me Ermal Hoxhën, përdorues i celularit 069 64 xxx 949. Në këto kushte policia gjyqësore vazhdoi me vëzhgimin e lëvizjeve të Ilir Hysenit dhe Ermal Hoxhës, derisa në datën 13 janar 2015, u zbulua se këta shtetas udhëtuan nga Tirana për në ish-magazinat e Rezervave Shtetërore në Xibrakë të Elbasanit. Në këto kushte vazhdoi vëzhgimi i këtyre ambienteve, nga ku rezultoi se, përveç Ilir Hysenit dhe Ermal Hoxhës, aty kishin akses edhe Klemend Dalipi, pronari i magazinës, Arjan Dalipi, Gentian Gjonaj dhe Saimir Batku. Rezultoi nga përgjimet telefonike se personat e mësipërm kishin komunikime të shpeshta me njëri-tjetrin.
Gentian Gjonaj rezultoi të ishte përdorues i numrave celularë 06 20 xx 189 dhe 067 20 xx 189, Arjan Dalipi përdorues i numrit 069 57 xx 975, Klemend Dalipi përdorues i numrit 068 40 xx 645 dhe Saimir Batku përdorues i celularit 067 46 xx 365. Personat e mësipërm komunikonin për vajtjet në Elbasan dhe lëvizjet e tyre. Nga vëzhgimet u konstatua se dhe dy shtetas të huaj, të cilët më pas rezultuan se ishin kolumbianë, Cesar Avila dhe Valther Moren Moreno, kishin akses tek ambientet. Nga vëzhgimet e datës 13 janar 2015, rezultoi se Ermali me automjetin e tij “Volvo”, me targë AA258KO, në orën 10:15 ka hyrë në Elbasan. Në orën 10:30 është futur te magazinat në Xibrakë, prej ku ka dalë në orën 10:45 së bashku me dy persona të tjerë, që u identifikuan si Cesar Avila dhe Valther Moren Moreno, dhe është nisur drejt Tiranës. Edhe nga përgjimet telefonike të numrit celular në përdorim të Ermal Hoxhës, rezulton se për marrjen e tyre në Elbasan ai kontaktoi Genci Xhixhën, përdorues i numrit 069 65 xx 888, pasi ky i fundit do i takonte ata në Tiranë.
Në orën 10:54, nga numri 069 64 xx 949 Ermali telefonon Gencin në numrin 069 65 xx 888. Ermali, që ishte nisur ndërkohë nga Elbasani, i thotë se vjen për 40 minuta dhe e pyet nëse do ta takojë dikë që ai e kishte me vete, duke nënkuptuar shtetasit kolumbianë. Në orën 11:33, Genci telefonon Ermalin. Në bisedë, Genci i kërkon që të ngjitet lart në shtëpi të zbresë çantat dhe të ikin, pasi do lëvizin shpejt. Nga vëzhgimet rezultoi se në orën 11:40, Ermali ka çuar dy personat në një pallat në rrugën “Milto Tutulani” dhe të tre, duke mbajtur dy çanta dore, janë ngjitur te kati i dytë i pallatit, prej ku kanë zbritur në orën 11:45.
Në orën 11:48, Ermali së bashku me dy kolumbianët takojnë Gentjan Gjonajn dhe Genci Xhixhën. Më pas kanë shkuar të hanë drekë në restorant. Edhe në mëngjesin e datës 14.1.2015, Ermali ka komunikuar me Gencin për transportimin e dy personave në Elbasan. Në orën 8:57, Genci telefonon Ermalin dhe i thotë se do të shkojë në Shkodër, por në fakt niset drejt Elbasanit. Duket qartë se Shkodra përdoret si emër i koduar për Elbasanin. Të njëjtin kod përdor Ermali, teksa në bisedën e datës 13.1.2015 i thotë Gencit se kishte ikur gjer në Shkodër dhe po vinte, ndërkohë që po kthehej nga Elbasani me dy kolumbianët.
NDERHYRJA E POLICISE
Duke parë mënyrën si vepronin këta persona, policia ndërhyri në kushtet e flagrancës, duke ushtruar një kontroll në magazinë. Nga provat e gjetura në vendngjarje rezulton se magazina shërbente për të fshehur një laborator për transformimin dhe përpunimin e lëndëve që kishin përmbajtje kokaine, të cilat pas përpunimit dilnin në produkt përfundimtar që ishte kokainë e gatshme për t’u hedhur në treg. Në magazinë u sekuestrua e vendosur në një peshore një sasi prej 435 gramësh kokainë. Gjithashtu u sekuestruan edhe shumë pajisje të cilat përdoreshin në procesin e përpunimit.
PROVAT
Në magazinë u sekuestruan edhe një numër i madh enësh qelqi, bidonësh, kontejnerësh, fuçish, qesesh me pluhur, ku në një pjesë të tyre rezultoi se kishin brenda tyre, lëndë në të cilat në përmbajtje kishin kokainë, ishin prekursorë dhe po i rendisim më poshtë:
-Sipas aktit të ekspertimit kimik nr. 2241, ka rezultuar prani e kokainës në provat me numër…, 4 paketime të mbushura me material të përbërë nga grimca të bardha ose material të ngurtë ngjyrë pana, me peshë respektivisht 14,584 gr, 32,761 gr, 30,406 gr, sekuestruar në xhep Gentian Gjonajt.
-Sipas aktit të ekspertimit kimik nr.2132, datë 10.3.2015, ka rezultuar prania e kokainës në provën e emërtuar X 0004915 (presë metalike).
-Sipas aktit të ekspertimit kimik nr.2134, datë 10.3.2015, ka rezultuar prania e kokainës në provat e emërtuara B 0007681 dhe B 0007682 (dy prova mikrovale).
-Sipas aktit të ekspertimit kimik nr.2131, datë 10.3.2015, ka rezultuar prania e kokainës në provën e emërtuar 0024915 (tre kontejnerë me sasi lëngu).
-Sipas aktit të ekspertimit kimik nr.1942, datë 4.3.2015, ka rezultuar prania e kokainës në rrobat e Cezar Avila dhe Valter Moreno.
-Sipas aktit të ekspertimit kimik nr.1941, datë 4.3.2015, provat e emëruara B 0003185 dhe B 0007670 (dy paketime me pluhur të bardhë me peshë 3296 gr) kanë rezultuar levamisol.
-Sipas aktit të ekspertimit kimik nr.22489, datë 12.3.2015, në provën e emëruar C 0018247 (5 pako me pluhur me ngjyrë të bardhë) ka rezultuar benzokainë në pakot nr.1 dhe 3, dhe levamisole në pakot 3, 4 dhe 5.
Ndërkohë, nga aktet e ekspertimit daktiloskopik nr.535, datë 22.1.2015 dhe nr.1919, datë 4.3.2015, provohet se gjurma e lënë në peshoren “Laica”, e emëruar “K”, është lënë nga Sajmir Batku, çka është një provë tjetër për prezencën e tij në laboratorin ku ekstraktohej kokaina. Një tjetër gjurmë, ajo e emëruar “G”, është lënë nga Cezar Avila, i cili u arrestua në fakt në magazinë. Në pakot ku ishte futur lënda narkotike që i është sekuestruar shtetasit Sajmir Batku, janë fiksuar një gjurmë pëllëmbe e emëruar me germën “D” dhe një gjurmë gishti e emëruar me germën “F”, të cilat, sipas aktit të ekspertimit daktoloskopik 477, datë 20.1.2016, janë lënë nga Sajmir Batku.















