Sipas Policisë, shpërthimi ka ndodhur nga aktivizimi i një sasie eksplozivi të vendosur në një makinë tip “Smart”, që ishte parkuar aty nga një grua, shkruan “Panorama”.
Dyshohet të ketë qenë një sasi prej rreth 100 gramësh lëndë plasëse e llojit tritol, që është aktivizuar me fitil zjarrpërcjellës nga persona ende të paidentifikuar. Burimet thanë se nga ngjarja nuk ka persona të lënduar, vetëm dëme materiale.
Makina ku ishte vendosur eksplozivi është në pronësi të shtetases me iniciale B.A., e cila banon shumë pranë vendit ku kishte parkuar mjetin, rreth një orë e gjysmë para se të ndodhte shpërthimi.
“Jemi njoftuar se në zonën e njohur si 9-katëshet ka ndodhur një shpërthim, ku si pasojë ka pësuar dëmtime një automjet tip ‘Smart’ në pronësi të shtetases B.A.
Automjeti ka qenë i parkuar dhe dyshohet të jetë dëmtuar nga vendosja e një sasie të vogël lënde eksplozive. Nga shpërthimi nuk ka të dëmtuar, vetëm dëme materiale”, tha mbrëmë zyrtarisht Policia e Tiranës.
Menjëherë pas shpërthimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr.1 që kanë rrethuar zonën, ndërsa kanë nisur edhe hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorët. Ekspertë kriminalistë dhe oficerë të Krimeve të Rënda kanë nisur veprimet paraprake në vendin e ngjarjes, ku janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë së disa bizneseve private rreth zonës ku ishte parkuar makina.
Pronarja e mjetit është pyetur paraprakisht në vendngjarje, duke deklaruar se nuk ka probleme me njeri dhe, sipas saj, ngjarja mund të jetë edhe një ngatërresë. Në njoftimin paraprak, Policia jep shumë pak detaje.
Aty thuhet se: “Në zonën e njohur si ‘Nëntëkatëshet’ ka ndodhur një shpërthim, ku si pasojë ka pësuar dëmtime një automjet tip ‘Smart’ në pronësi të shtetases B.A. Automjeti ka qenë i parkuar, dhe dyshohet të jetë dëmtuar nga vendosja e një sasie të vogël lënde eksploziv. Nga shpërthimi nuk ka të dëmtuar, vetëm dëme materiale. Policia ndodhet në vendngjarje”.





















