Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit është institucioni i dytë i kulturës kombëtare, që ka kërkuar nga Ministria e Kulturës një ndërhyrje për rikonstruksionin e tij. Një godinë që daton dekada më parë por sot për artistët është larg kushteve, që duhet të ketë një teatër i tillë kombëtar. Edhe pse me një kalendar artistik me shfaqje baleti dhe opera, mbrëmje muzikore ku nuk mungojnë dhe koncertet e artistëve të Ansamblit Kombëtar në këtë ndërtesë, i lënë prej vitesh larg vëmendjes artistët por dhe drejtues të këtij institucioni prej kohësh kanë kërkuar një investim që do të ndryshonte gjendjen e teatrit. Pranë Ministrisë së Kulturës bëjnë të ditur se nga drejtues të TKOB është prezantuar gjendja e teatrit, ndërtesës që paraqet jo pak probleme, ku dikasteri ministror po planifikon që më pas në bazë të projekteve të hartuara të ketë gati një ndërhyrje rikonstruksioni në gjysmën e dytë të vitit që vjen. Ministria e Kulturës ndërkaq ka çelur një fond prej 7 milionë lekësh të reja, që do të shkojnë për hartimin e projektit, ndërsa do të jenë edhe specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës që do të studiojnë ndërtesën. Sipas dikasterit ministror, TKOB ka jo pak probleme me sallën, sistemin e ngrohjes, ndriçimin, mjediset e artistëve, studiot e provave, etj. Pas Teatrit Kombëtar që paraqet shumë probleme, TKOB pritet pas studimit të gjendjes së ndërtesës të jetë dhe institucioni i dytë që do të ketë një buxhet jo të vogël për rikonstruksion të plotë. Për godinën e amortizuar ku ndodhet teatri, edhe vetë artistët pohojnë se duhet një ndërhyrje sa më e shpejtë. Dirigjenti Edmond Doko pohon se dhe disa riparime që janë bërë me investime të pakta ndër vite më shumë duket se kanë dëmtuar. “Teatri ndodhet në një ndërtesë të amortizuar, si nga jashtë dhe nga brenda teatrit ka probleme. Ka probleme në hollin e TKOB, në dhomat e artistëve, salla dhe vendi ku qëndron orkestra. Vite më parë u bënë disa rregullime në sallë, por sërish ka probleme. Po ashtu e njëjta gjë ndodhi dhe tek studiot e solistëve. TKOB i mungojnë kushtet e duhura që kërkon një teatër kombëtar, e gjithë godina ka probleme”, pohon dirigjenti i njohur Edmond Doko. Por përballë gjendjes që ka sot TKOB, që me emërimin e tij drejtori Ilir Kerni kërkoi nga qeveria më shumë vëmendje për teatrin, duke kërkuar rikonstruksion të ndërtesës apo dhe një teatër të ri, dhe duket se përballë kërkesës së titullarit Kerni, MK tashmë po mendon projektet në ndihmë të institucionit dhe artistëve. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit Teatri Operistik filloi punën në godinën që sot mban emrin Teatri Kombëtar, atë kohë Teatri “Kosova”. Shfaqja e parë është opera “Rusalka” e kompozitorit rus A.S. Dargomizhskij 28 Nëntor 1953. Teatri i Operës u shpërngul në godinën që sot mban emrin Universiteti i Arteve, më 1958 dhe pak vite më vonë1962 ftoi në gjirin e saj dhe Konservatorin Shtetëror. Zhvillimi i shpejtë i artit dhe i forcave artistike, në periudhën 1958-1965 solli një frymë të mirë angazhimi, si për krijuesit ashtu edhe për interpretuesit. Me kalimin e viteve zhvillimi i artit solli dhe premisat e krijimit të një qendre të re e të madhe kulture, e cila të përmblidhte në një ndërtesë disa institucione bashkë: Teatrin e Operës dhe Baletin, Bibliotekën Kombëtare dhe Qendrën e Kulturës më 1966. Sigurisht që për Teatrin e Operës kjo ishte një ngjarje e madhe dhe përmblodhi edhe pjesën më të madhe e më të mirë të forcave artistike të fushës së artit skenik muzikor e koreografik, por sot ky institucion pret të ketë një rikonstruksion të plotë, pasi siç shprehen dhe artistët ka shumë probleme dhe është larg kushteve që duhet të ketë një teatër operistik kombëtar.
Historia e panjohur/ Si e shpëtoi Selanikun shqiptari Hasan Tahsin Pasha
Këtë të diel u mbushën 113 vjet që nga çlirimi i Selanikut nga perandoria osmane, më 26 tetor 1912. Gazeta...


















