Në Tiranë u takuan ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe zëvendësndihmës Sekretarja amerikane e Mbrojtjes, Evelin Farkas
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli garantoi qeverinë amerikane se Shqipëria do të vazhdojë të mbetet faktor paqeje dhe qëndrueshmërie në Ballkan.
Zonja Kodheli ia tregoi angazhimin e Shqipërisë, zëvendësndihmës Sekretares amerikane të mbrojtjes Evelin Farkas (Evelyn N. Farkas).
Në një njoftim të disa minutave më parë të ministrisë së Mbrojtjes , thuhet se zonja Kodheli dhe zyrtarja amerikane për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë diskutuan çështje të bashkëpunimit dypalësh me interes të ndërsjellë.
“Ministrja Kodheli vlerësoi rolin dhe kontributin që SHBA po jep për Forcat e Armatosura në modernizimin dhe transformimin e tyre. Ajo garantoi se me lidershipin e ri, Forcat e Armatosura do të jenë pjesë e një sistemi transparent vendimmarrje dhe promovimi”-thuhet në njoftim.
Njoftimi thotë se ministrja e njohu zonjën Farkas me zhvillimet më të fundit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë në rajon.
Zonja Farkas, sipas të njejtit njoftim, vlerësoi rolin e Shqipërisë si faktor i vazhdueshëm stabiliteti në rajon.
Sipas zyrtares amerikane ndihmesa e Shqipërisë dhe ushtarakëve të saj kanë qenë gjithnjë domethënëse.
Shtetet e Bashkuara nëpërmjet zyrtares Farkas theksuan “rëndësinë e vazhdimit të luftës kundër korrupsionit dhe nënvizoi mbështetjen e padiskutuar amerikane kundër këtij fenomeni”. Denion Ndrenika
















