Kryeministri i përgjigjet letrës së kreut demokrat Basha, lidhur me realizimin e Reformës Administrativo- Territoriale
Kryeministri Edi Rama i përgjigjet letrës së kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, njëkohësisht kryetar i Shoqatës së të zgjedhurve vendorë lidhur me Reformën Administrativo- Territoriale.
Përmes një letre të hapur, Rama është shprehur i gatshëm të takohet me opozitën për të gjetur rrugën më të mirë për miratimin e kësaj reforme deri në fund të muajit korrik.
“E lexova me interes letrën Tuaj të datës 3 korrik 2014 dhe dokumentin e bashkëlidhur të një rezolute të miratuar prej jush, për Reformën Administrative-Territoriale. Në përgjigje të asaj letre, do të gjeni bashkëlidhur edhe sqarimin e përgatitur enkas për dijeninë Tuaj nga Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Z.Bledi Çuçi, i cili koordinon qysh prej ditës së parë, punën e shumicës qeverisëse për këtë reformë”, shkruan Rama.
“Për sa më takon mua, jam i gatshëm që nëse Ju e gjeni me interes të takoheni me ne, të ulemi dhe të gjejmë rrugën më të mirë të bashkimit të forcave për ta miratuar së bashku Reformën e shumëpritur Administrative-Territoriale”, shkruan më tej kreu i qeverisë.
Në letrën e tij, Rama vë në dukje se në dokumentin e rezolutës së të zgjedhurve vendorë, ka shumë pika takimi, e sipas tij, kjo periudhë e mbetur nga sesioni parlamentar, mjafton për të ndarë së bashku, suksesin e kësaj reforme.
“Koha natyrisht ngushtohet pas çdo ftese prej nesh që nuk mirëpritet nga ana Juaj. Por duke parë se në dokumentin e rezolutës Suaj, gjejmë shumë pika takimi mes nesh dhe Jush, jemi të bindur se periudha e mbetur e sesionit kuvendor është mëse e mjaftueshme për ta ndarë së bashku suksesin e kësaj reforme historike.Ciladoqoftë përgjigja Juaj, lejomëni t’Ju falenderoj paraprakisht për letrën që më dërguat”, përfundon kryeministri Rama. E.Memushi