Vetëm pas një jave, organizimi i mbetjeve (plehrave) në Tiranë do të bëhet krejt ndryshe nga sa është bërë tani, pasi ato do të diferencohen në mënyrë që të reciklohen më vonë. Kompania “Eco Tirana” ka nisur punën për pastrimin e qytetit dhe ka ndërtuar infrastrukturën përkatëse.
Kazanët e gjelbër me kapak të verdhë do të jenë për mbetjet e reciklueshme dhe ata blu me kapak gri për mbetjet organike. Në Tiranë do të ketë 850 kazanë plehrash. Por fushata për pastrimin e qytetit nuk mbaron me kaq.
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka treguar edhe një metodë tjetër që do të penalizojë të gjithë shtetasit që hedhin plehra në mënyrë të papërgjegjshme. “Duke filluar nga java tjetër do të nisin punë administratorët e pallateve, kurse ekipet e bashkisë do të certifikojnë administratorin. Një nga detyrat e administratorit është edhe vënia e gjobës për atë banor të pallatit që i hedh plehrat nga ballkoni, që i lë te dera e pallatit, që bën sikur i ka harruar në ashensor, sepse është shumë e rëndësishme që, përveç infrastrukturës, të punojmë pak edhe me kulturën”, – ka përfunduar ai.





















