Kryeministri i Kosovës në detyrë, Hashim Thaçi, ka uruar Ahmet Davutoglun, për pozitën e re të Kryeministrit të Turqisë.
Thaçi, përmes një mesazhi të postuar në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se shteti turk mbetet partner strategjik i Kosovës dhe investitor serioz.
“Urova mikun tim dhe të Kosovës Ahmet Davutoglu për pozitën e re të Kryeministrit të Turqisë. Shteti turk është partner strategjik i Kosovës, si anëtar i NATO-s dhe investitor serioz, dhe Qeveria e Kosovës e mirëpret bashkëpunimin me kryeministrin e ri, i cili ka njohuri të thella për Ballkanin.
Bashkëpunimi ynë është i bazuar në kornizat e integrimeve Euro-Atlantike dhe marrëdhëniet historike në mes dy popujve”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Davutoglu, ish ministër i Punëve të Jashtme, është zgjedhur kryeministër i ri i Turqisë, pas zgjedhjes së Recep Tayyip Erdogan për president të shtetit turk.
















