Analisti politik nga Beogradi, Dushan Janjiq, ka thënë se Serbia do të detyrohet të nënshkruajë marrëveshje paqësore me Kosovën.
Në një deklaratë për gazetën “Danas”, Janjiq ka rikujtuar se nënshkrimi i marrëveshjes ndërkombëtare paqësore ndërmjet Serbisë e Kosovës është e paraparë me dokumentin e hartuar nga Britania e Madhe dhe Gjermania, në tetor të vitit të shkuar.
“Në të ashtuquajturin ‘non paper’ të Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, që është miratuar edhe nga vendet e tjera të BE-së dhe që do të jetë pjesë e negociatave kornizë të Serbisë e BE-së, përkatësisht të kapitullit 35, shkruan se pas arritjes së normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis Serbisë e Kosovës do të nënshkruhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, juridikisht detyruese”, ka thënë ai.
Si raporton Koha.net, Janjiq ka shpjeguar se kjo marrëveshje është përmendur edhe në Konferencën për ballkanin Perëndimor, në Berlin, dhe se kryeministri I Kosovës në detyrë e ka thënë të vërtetën.
“Kjo në fakt është ajo marrëveshje, marrëveshja ndërkombëtare paqësore për të cilën flasin zyrtarët e Kosovës. Thaçi nuk ka thënë në Berlin të pavërtetë mbi domosdonë e nënshkrimit të marrëveshjes ndërkombëtare paqësore ndërshtetërore, por ka folur për diçka që do të ndodhë, pas disa vitesh”, i ka thënë “Danasit” Dushan Janjiq.
















