Gjatë pasdites së sotme janë parë lëvizje të shumta të njerëzve me uniforma pranë urës famëkeqe mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Kontejnerët që shërbenin për “Rojat e urës” janë vendosur në kamionë dhe janë larguar nga KFOR-i.
Çështja e heqjes së barrikadës ka qenë tema qendrore e bisedimeve në takimet e sotme të kryeministrit, Hashim Thaçi me ambasadorët e SHBA, Britanisë dhe Gjemanisë, kurse vendimi është marrë në koordinim me të gjitha palët.
Gjatë bartjes së kontejnerëve është parë edhe një përqendrim i madh i trupave të KFOR-it, EULEX-it dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në zonën afër urës dhe, sipas burimeve të Kosovapressit, në orët në vijim do të hiqet edhe barrikada.
Të gjitha këto veprime, sipas burimeve brenda policisë, po bëhen në bashkëpunim edhe me pjesëtarët e të ashtuquajturës Mbrojtje Civile Serbe, të cilët ishin të pranishëm kur po hiqeshin kontejnerët.
Sipas tyre, ky ishte momenti më i përshtatshëm për të hequr barrikadën, përderisa zgjedhjet parlamentare kanë mbaruar e partitë serbe nuk kanë më kosto elektorale dhe tashmë janë të gatshme t’i jetësojnë pikat e marrëveshjes së prillit të vitit të kaluar.
Sikurse që është raportuar paradite, kryeministri Thaçi sot ka pasur takime të ndara me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ian Cliff dhe atë të Gjermanisë, Peter Blomeyer.
Sipas burimeve të Kosovapressit, çështja e heqjes së barrikadës ka qenë tema qendrore e bisedimieve në këto takime dhe vendimi është marrë në koordinim me të gjitha palët e përfshira në këtë problem shumëvjeçar.
















