Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi me motivacionin për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në çlirimin e Kosovës, shpalljen e pavarësisë, formimin e institucioneve demokratike dhe politikën paqësore në rajon, është dekoruar me “Mirënjohje të Artë”, nga Shoqata e Luftëtarëve Shqiptarë të Kroacisë.
Gjatë takimit me luftëtarët shqiptarë dhe kryetarin e Shoqatës së Luftëtarëve Shqiptarë në Kroaci, Esat Çollakun, zëvendëskryeministri Thaçi ka thënë se Kroacia dhe Kosova kanë kultivuar gjithnjë marrëdhënie të mira.
“Jam i privilegjuar të jem me njerëzit që dhanë shumë për çlirimin e Kroacisë, por edhe për çlirimin e Kosovës dhe promovimin e afirmimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve kudo që jetojnë. Keni qëndruar të bashkuar, pa dallime, në shërbim të afirmimit të shqiptarëve. Kujtoni ku ishim para 16 viteve. Kosova nën gjenocid, Shqipëria e parespektuar, shqiptarët të diskriminuar në rajon. Shqiptarët kurrë nuk kanë qenë më të fuqishëm, Shqipëria tashmë është në NATO dhe në rrugë për në BE. Kosova është shtet i pakthyeshëm dhe në rrugë të sigurt euroatlantike”, tha zëvendëskryeministri Thaçi, raporton Telegrafi.
Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Luftëtarëve Shqiptarë në Kroaci, Esat Çollaku, duke arsyetuar dekoratën për Thaçin, tha se lideri politik i UÇK0-së, Hashim Thaçi, kishte guximin dhe vizionin që askush nuk e kishte. “Me kontributin dhe politikën e tij, z. Thaçi solli çlirimin e Kosovës. Shpalli pavarësinë dhe forcoi shtetin. Si lider i madh dhe i pakontestueshëm, Thaçi e vendosi Kosovën në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s. Është burrështetas evropian që angazhohet për paqe në rajonin e përgjakur, si dhe është njeriu më i votuar, më i besuar dhe është njeriu i shpresës në Kosovë dhe kudo në trojet shqiptare”, tha Çollaku.
Duke luftuar në Kroaci, sipas Çollakut, ata kanë luftuar edhe për Kosovën. Në luftën e Kroacisë, sipas tij, komuniteti shqiptar kishte mbi 3000 vullnetarë.
















