Policia e Beratit ka vënë në pranga 26-vjeçarin Elidon Zhuka, i akuzuar se ka tentuar të trafikojë me qëllim prostitucioni një 20-vjeçare, drejt Italisë. Ai është ndaluar ditën e djeshme nga policia, pasi ishte shpallur person në kërkim.
Burime policore bëjnë me dije se pasi është pikasur duke udhëtuar me makinën e tij tip, “Benz”, ai nuk i është bindur forcave të rendit për të ndaluar.
Shtetasja me iniciale P.D., me banim në Berat, ka thënë para uniformave blu se Zhuka ka tentuar ta trafikuar me qëllim shfrytëzim prostitucioni në shtetin italian.
Rrethanat e tentativës së trafikimit nuk bëhen të ditura për arsye hetimore, ndërsa ndaj 26- vjeçarit të ndaluar, materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” e mbetur në tentativë dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.















