Letërsia sot jeton. Ajo nuk është më medium në të cilin kultura e klasës kombëtare përcakton historinë, traditën dhe identitetin kulturor, çfarë ka qenë në shekullin 19.
Dhe jo vetëm kaq, letërsia, është liruar nga detyrat për t’u shërbyer kërkesave kanonike dhe mund të eksplorojë kufijtë e saj me të tjera media dhe me botën shoqërore në mënyra gjithnjë e më të reja.
Letërsia nuk duket e vjetruar nga kthimi ikonografik, apo nga interneti, thotë Andreas Huyssen.
Janë, veçanërisht, forcat rrëfyese të saj, ato të cilat mund të bashkohen sot kundër amnezisë historike të shkaktuar nga digjitalizimi dhe perspektiva e përvojës së përkohshme, vazhdon më tej Andreas Huyssen në intervistën me të cilën nis numri i katërt i revistës kulturore “Symbol” që këto ditë ka dalë në shitje. Huyssen, profesor i Letërsisë Gjermane dhe Krahasuese në Columbia University, në New York, njihet veçmas si mendimtar me ndikim në teoritë e modernizmit dhe të postmodernizmit dhe si intelektual i përqendruar në diskursin mbi kujtesën historike, të drejtat e njeriut, kulturën urbane dhe globalizmin.
Ag Apolloni, kryeredaktor i revistës letrare “Symbol”, thotë për “Zërin” se çdo numër i revistës sjell nga një intervistë të realizuar me një personalitet të kulturës botërore.
“Në numrin e parë kemi intervistuar studiuesen më të njohur të postmodernizmit, Linda Hutcheon; në numrin e dytë, kemi intervistuar teoricienin Raoul Eshelman, që është një ndër emrat më të njohur që udhëheqin debatin për mbarimin e postmodernizmit dhe lindjen e një epoke tjetër, të cilën ai e quan performatizëm; në numrin e tretë kemi intervistuar artistin më të trentë të ditëve tona, piktorin Gottfried Helnwein, i cili përfaqëson hiperrealizmin në pikturën botërore; kurse në numrin më të ri kemi intervistuar kritikun Andreas Huyssen, që aktualisht është njëri nga emrat më të njohur që krijojnë konturet e diskursit mbi problematikën e botës perëndimore”, tregon Apolloni, derisa thotë se nëpërmjet intervistimit të këtyre personaliteteve, janë përpjekur ta mbajnë lexuesin shqiptar në kontakt me zhvillimet më të reja në kulturën botërore.
“Natyrisht, përveç intervistave, revista përfshin edhe shkrime të tjera për të gjitha fushat e artit, prandaj edhe rrethi i bashkëpunëtorëve është duke u zgjeruar hovshëm, po ashtu edhe interesimi i lexuesve po rritet nga numri në numër”, ka thënë Ag Apolloni.
Madje ai tregon se, për shkak të rëndësisë së problemeve që trajtohen në të, sidomos në faqet në gjuhën angleze, revista është bërë pikë referimi edhe nga bota akademike anglofone.
Xhemajl Avdyli, drejtor i revistës letrare “Symbol”, ka treguar se përveç, intervistës ekskluzive të realizuar me Andreas Huyssen, numri i ri i “Symbol”, sjell shkrime për pikturën, një ekspozitë pikturash gjithashtu, muzikën, historinë e posterit, zhvillimin e arkitekturës postmoderne, shkrime kritike për disa nga filmat më të shquar të kinematografisë botërore, konceptin e lirisë dhe logjikës nga aspekti filozofik, pastaj problematikat e përkthimit te traduktologjia, kritikë letrare, ese, prozë, poezi dhe teatër.
“Përveç cilësisë dhe rëndësisë së pakonkurrentë në përmbajtjen e shkrimeve, Symbol i këtij numri, si edhe të tjerët, dallohet edhe për nga cilësia teknike, pra në një dizajn të kujdesshëm të formati A4 me mbi 130 faqe të cilësisë së lartë, ky numër është shtypur i tëri në kolor, dhe shquhet gjithashtu edhe për cilësitë vizuele që ofron”, ka thënë Avdyli për gazetën, duke shtuar se revista që ai e drejton është një revistë ndërkombëtare, e certifikuar me ISSN, e cila vendbotim ka Tiranën, Prishtinën, Shkupin.
Xhemajl Avdyli ka treguar nga muaji shtator i këtij viti, “Symbol” pritet të bëhet anëtare e barabartë e Rrjetit Evropian të Revistave Kulturore, me seli në Vjenë, “EUROZINE”, nga e cila edhe do të certifikohet.
“Tashmë Symbol i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret e kërkuara për anëtarësim në këtë rrjet”, ka thënë Avdyli, derisa ka shtuar se pas kësaj, stafi i gjerë i profesionistëve që janë të angazhuar në revistën “Symbol”, janë duke bërë përpjekje të certifikimit me Impakt Faktor (IF), i cili do ta vërë “Symbol”-in në një rang me revistat më të njohura botërore.
Në intervistën dhënë për “Symbol”, Andreas Huyssen flet dhe për Kosovën. Çfarë ndodhi në Bosnjë dhe Kosovë ishte një rast i qartë i agresionit ushtarak dhe i spastrimit etnik modern.
Kjo është arsyeja pse kam menduar se ndërhyrja ushtarake e NATO-s në vitin 1999 ishte legjitime, edhe pse jo, siç thuhet, krejt legale, domethënë jo e bekuar pa mëdyshje nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, thotë Huyssen.
Intervista me Andreas Huyssen, e cila publikohet në të dyja gjuhët, shqipe dhe anglisht u paraprin shkrimeve nga fusha të ndryshme të kulturës, si nga piktura që është shkrimi “Pushteti i pikturës” i Gilles Deleuze, ndërsa Avni Alija sjell shkrimin “Mjeshtri i polimorfizmit”.
Disa faqe, revista në këtë numër i kushton ekspozitës: Sali Dashi, ndërsa Rrezeart Galica, shkruan për historinë dhe zhvillimin e posterit. Se arkitektura është duke shkuar drejt asaj postmoderne shkruan Astrit Salihu, ndërsa Ag Apolloni shkruan për B.B. King, mbretin e fundit të bluzit.
Jean Baudrillard shkruan për filmin “Apocalypse Now”, përkthyer nga Labinot Kelmendi, ndërsa Dritan Dragusha sjell shkrimin “Teknika e Tornatores”, derisa Blerim Latifi sjell shkrimin “Liria dhe logjika”.
“Shqipërime dhe shpërdorime”, është një tjetër shkrim i revistës i shkruar nga Agron Tufa.
“Si është krijuar ‘Manteli’ i Gogolit” tregon Boris Eichenaum. Sa i takon prozës, në numrin e katër të “Symbol” Ridvan Dibra sjell “Shkrimtari dhe lavdia”, ndërsa revista letrare sjell poezi nga Georg Trakl, Luis García Montero e Agron Tufa.
Orjela Stafasani shkruan esenë “Metafora e miut”, e cila po ashtu ka përkthyer nga spanjishtja dramën “Dashuria e Don Perlimplinit me Belisën në kopshtin e tij” të shkrimtarit Federico García Lorca.
Deri në fund të këtij viti, “Symbol” do të nxjerrë edhe dy numra të rinj, ndërsa numri i katërt i revistës letrare financiarisht është ndihmuar nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, dhe Komuna e Fushë Kosovës.



















