Historia dhe kultura e Kosovës do të jetë në syrin e kamerave të të gjithë të rinjve që duan të jenë pjesë e “Youth Film Festival”, festival ky që organizohet nga Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane dhe “Inovation Center Kosova”.
Sipas Oltion Beshirit nga “Inovation Center Kosova” për edicionin e parë të festivalit kanë zgjedhur temën “Kosova ime” së bashku me Këshillin Rinor të Ambasadës Amerikane për shkak se kjo është mënyra më e mirë për të nisur një festival, duke shpërndarë imazhet e Kosovës dhe pamjet e shtetit.
“Kosova ka shumë vende të pashfaqura deri më tani dhe ne kemi cilësuar se të rinjtë janë mesazhi më i mirë që mund t’i jepet botës se Kosova me të vërtetë është një vend i bukur për ta vizituar”, deklaroi Beshiri.
Në “Youth Film Fest” të drejtë konkurrimi kanë të gjithë ata që janë nga mosha 16-30 vjet, dhe për organizatorët nuk ka rëndësi nëse janë apo jo pjesë e kinematografisë kosovare. Të drejtë konkurrimi në këtë festival kanë edhe ata filma që janë shfaqur por nuk duhet të jenë më të vjetër se dy vjet.
Sipas Beshirit të gjithë ata që bëhen pjesë e festivalit më të ri në Kosovë do të marrin edhe shpërblime. “Vendi i parë do të shpërblehet me 1000 euro, vendi i dytë me 750 euro dhe vendi i tretë me 500 euro”, tha Beshiri. Ndërsa pjesëmarrësit e tjerë do të përfitojnë bursa nga ICK dhe AUK, për trajnime të ndryshme.
Organizatorët thonë se janë mbajtur edhe disa punëtori në zyrat e “Inovation Center Kosova”. Në këto trajnime të gjithë të rinjtë kanë pasur mundësi që të mësojnë për filmin nga emra të njohur të kinematografisë kosovare. Një prej trajnerëve në këto punëtori ka qenë aktori Armond Morina.
Aktori Morina tha për gazetën “Zëri” se në këto punëtori ka kaluar një eksperiencë të mirë, dhe është munduar që t’u tregojë të rinjve se si të realizohet një film në Kosovë.
“Jemi munduar që me njohuritë tona dhe përvojën në botën e filmit t’i mësojmë dhe t’u tregojmë të gjithë atyre të rinjve që ishin pjesë e punëtorisë se si mund të realizohet një film, në raste edhe me buxhet zero duke filluar nga skenari, regjia po ashtu edhe përzgjedhja e pamjeve”, deklaroi Morina.
Ndër të tjera aktori Morina tha se në këtë edicion të parë të “Youth Film Fest” ka pasur një interesim të madh nga të rinjtë të cilët gjatë gjithë kohës janë munduar që të mësojnë sa më shumë se si në të ardhmen të realizojnë një film në Kosovë.
“Interesimi i të rinjve ka qenë jashtëzakonisht i madh dhe ne kemi qenë shumë të lumtur sepse në të ardhmen ata mund të jenë prodhuesit e rinj të filmave kosovar”, tha Morina.
Ndërsa juria e “Youth Film Fest” ende nuk është bërë e ditur, por sipas organizatorëve në ditët në vijim do të publikohen emrat të cilët vijnë nga bota e filmit dhe e kinematografisë.
Ata që duan të krijojnë filma për Kosovën dhe të jenë pjesë e “Youth Film Fest” kanë afat deri më 25 gusht kur edhe përfundon konkursi i këtij festivali.



















